Ndërlidhjet

“Goli i artë” i Kosovës në FIFA…?!


Ilustrim
Ilustrim

Sytë do të jenë në Meksiko Siti të premten, kur Federata Botërore e Futbollit - FIFA të vendosë për pranimin ose jo të Kosovës në këtë organizatë.

Emocionet janë të larta, pasi, vetëm dhjetë ditë më parë, Kosova është pranuar në Federatën Evropiane të Futbollit.

Pranimi në UEFA – njërën prej gjashtë konfederatave kontinentale të FIFA-s – është kushti i parë për anëtarësim në organizatën botërore të futbollit.

“Janë rrugët e hapura që më 12 dhe 13 maj të jemi edhe në FIFA”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

FIFA, 209-anëtarëshe, përfshin vende nga e gjitha bota dhe turneu i saj kryesor është Kupa e Botës, e cila organizohet çdo katër vjet.

Pranimi në FIFA do t’i hapte rrugën kombëtares kosovare që të marrë pjesë në kualifikimet për Kupën e Botës më 2018, të cilat nisin në shtator.

Janë disa lojtarë kosovarë që luajnë dhe kanë shënuar suksese me kombëtare të tjera. Rregullat e FIFA-s nuk i lejojnë lojtarët të ndryshojnë angazhimet e tyre, por ka spekulime se në rastin e Kosovës mund të bëhen përjashtime.

Një gjë e tillë do të kishte ndikim të madh në ekipet kombëtare të Zvicrës dhe Shqipërisë, të cilat kanë numër të madh të lojtarëve me rrënjë kosovare.

Në rastin e Zvicrës bëjnë pjesë lojtarë si Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri e Valon Behrami, ndërsa kapiten i kombëtares shqiptare është Lorik Cana.

Çështja e lëvizjes së tyre nga njëra kombëtare në tjetrën është ngritur, por nuk është zgjidhur kur Kosova është zgjedhur anëtare e UEFA-s, javën e kaluar.

“E kemi pyetur FIFA-n në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe do të donim një përgjigje të qartë”, ka thënë drejtori ligjor i UEFA-s, Alasdair Bell.

Me statutin e FIFA-s, lojtarët që janë të përshtatshëm për më shumë se një vend, lejohen të lëvizin vetëm një herë dhe vetëm nëse paraqitja e tyre për vendin e parë nuk ka qenë një ndeshje e madhe, me konkurrencë ndërkombëtare. Tani, FIFA duhet të vendosë se çfarë të bëjë me lojtarët që më herët nuk e kanë pasur Kosovën opsion.

“E kanë obligim kombëtar të kthehen, por nuk duhet t’iu bëhet presion, sepse për shtetet që kanë prezantuar, e kanë obligim moral”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë Bilbil Sokoli, trajner i futbollit dhe profesor në Universitetin e Prishtinës.

Çështja e Kosovës është paksa komplekse edhe për shkak të Serbisë, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe kundërshton fuqishëm pranimin e saj në organizata ndërkombëtare.

Autoritetet serbe janë zotuar se do ta sfidojnë çështjen e pranimit të Kosovës në UEFA në Gjykatën e Arbitrazhit në Lozanë të Zvicrës.

Ka gjasa që FIFA dhe UEFA të mbajnë ekipet e Kosovës dhe të Serbisë larg njëra-tjetrës në gara, ashtu siç veprohet me Gjibraltarin dhe Spanjën, prejse Gjibraltari është anëtarësuar në UEFA, tre vjet më parë.

Gjibraltari, sikurse edhe Kosova, pret përgjigjen për anëtarësim ose jo në FIFA, të premten.

Organizata botërore e futbollit, në krye me presidentin e ri, Gianni Infantino, mbetet joshëse, pavarësisht skandaleve të mëdha për korrupsion, që e kanë goditur sidomos vitin e kaluar.

FIFA është themeluar në vitin 1904, ndërsa Kupa e parë e Botës është mbajtur në vitin 1930, në Uruguaj.

Kongresi i 66-të i FIFA-s zhvillon punimet sot dhe nesër në Meksiko Siti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG