Kosova, nga dita e martë, është anëtarja e 55-të e Federatës Evropiane të Futbollit.
Në Kongresin e UEFA-s, që është mbajtur në Budapest, 28 vende kanë votuar në favor të Kosovës, ndërsa 24 kanë qenë kundër. Dy vota, ndërkaq, kanë qenë të pavlefshme.
Me kërkesë të Zvicrës, votimi është zhvilluar në mënyrë të fshehtë.
Vendimi i UEFA-s është përshëndetur nga institucionet e Kosovës dhe përfaqësuesit e Federatës së Futbollit.
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, e ka cilësuar si fitore historike.
“Po hyjmë në një histori të re, ku njerëzit tanë, sportistët tanë do ta shkruajnë historinë e sportit evropian dhe të sportit botëror”, ka thënë Mustafa.
“Ju garantoj se do të bëjmë çdo gjë si qeveri, jo të përzihemi në sport, por ta përkrahim sportin, në pikëpamje të ndërtimit të infrastrukturës sportive, sepse kemi detyrime ndaj UEFA-s”, ka shtuar ai.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, po ashtu e ka cilësuar ngjarjen me rëndësi historike.
“Është një moment historik, i cili është arritur me shumë mund. Është parë edhe në mbledhjen e sotme se sa vështirë ka qenë. Ka pasur shumë obstruksione të armiqve tanë sportivë. Është një fitore e madhe e të gjithëve. Duhet të jemi krenarë që kemi arritur këtë fitore kundër disa kundërshtarëve që nuk janë të lehtë”, ka thënë Vokrri.
Votimi për Kosovën ka pasuar debatet për ndryshimet në statutin e UEFA-s, që parasheh anëtarësimin e vendeve që janë anëtare të Kombeve të Bashkuara.
Ndryshimet nuk kanë siguruar dy të tretat e votave të nevojshme, por këshilltarët ligjorë të UEFA-s kanë thënë se kjo nuk e pengon Kosovën që të bëhet anëtare.
Anëtarësimi në UEFA u mundëson ekipeve të Kosovës të marrin pjesë në garat evropiane, si dhe i hap rrugën Kosovës të anëtarësohet në Federatën Botërore të Futbollit - FIFA. Kjo e fundit do të mbajë kongresin e radhës në Meksiko Siti më 12 dhe 13 maj.
FIFA, në janar të vitit 2014, i ka lejuar Kosovës që të luajë ndeshje miqësore kundër shteteve anëtare të FIFA-s, në nivele klubesh dhe ndërkombëtare, por me kufizime.
Sipas atij vendimi, Kosovës nuk i lejohet të luajë kundër klubeve dhe ekipeve nga shtetet e ish-Jugosllavisë.
Ka qenë po ashtu kërkesë e FIFA-s që ekipet e Kosovës të mos përdorin simbole shtetërore dhe të mos këndojnë himnin e tyre në lojëra.
Kjo ditë, sipas përfaqësuesve të futbollit të Kosovës, shënon fundin e izolimit shumëvjeçar të këtij sporti.
Federata e Futbollit të Serbisë është shprehur e pakënaqur me vendimin e Kongresit të UEFA-s.
Prejse Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, Serbia ka kundërshtuar vazhdimisht përfaqësimin e veçantë të saj në organizata të ndryshme ndërkombëtare.