Futja ose jo e lëndës së mësim-besimit në shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë, tashmë ka kohë që është iniciuar si temë debati në vend, e cila është përcjellë me qëndrime kundërthënëse. Por, së fundmi, ajo është aktualizuar sërish pas një deklarate, rreth dy javë më parë, të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në profilin e tij në rrjetin social Facebook.
“Dituria mbi kulturën e besimeve është njëra ndër rrugët që duhen hapur me kurajë dhe vullnet të madh për të mbrojtur fëmijët tanë nga ekstremizmi i çdo forme dhe për t'i pajisur ata me një armë të domosdoshme në mbrojtje të thesarit tonë të çmuar të bashkëjetesës fetare”, ka shkruar Rama.
Kjo deklaratë ka rikthyer debatin edhe në Kosovë se a duhet të futet mësim besimi në shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë.
Në këtë debat janë përfshirë edhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare kryesore në vend, por edhe studiuesit e sjelljeve shoqërore karshi religjionit.
“Për” mësim-besimin në shkolla
Përfaqësuesit e komuniteteve fetare në Kosovë, pajtohen në pikën që mësim-besimi të aplikohet në shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë.
Kryeimami i Kosovës, Sabri Bajgora, thotë për Radion Evropa e Lirë se Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), e cila përfaqëson komunitetin fetar shumicë në vend, do ta mirëpriste aplikimin eventual të mësim-besimit në shkolla në Kosovë.
“Vet esenca e lëndës dhe emërtimi i lëndës ‘Edukata fetare’ do ta kishte efektin e vet pozitiv në edukimin e gjeneratave, ashtu siç po bëhet në shumicën e vendeve evropiane. Mendoj se ndihmesën më të madhe që do ta kishte luajtur rolin ‘Edukata fetare’ do të ishte parandalimi i dukurive negative, por edhe i dukurisë së ekstremizmit dhe radikalizmit fetar, me të cilin po ballafaqohemi tash e sa kohë."
"Mendoj se kur teologët e mirëfilltë, të licencuar nga BIK-u dhe MASHT (Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë), do ta kishin rolin parësor në largimin e këtyre paragjykimeve që sot ekzistojnë, fatkeqësisht, për fenë islame te ne në Kosovë, por edhe kudo në botë”, ka thënë Bajgora.
Igumeni Sava Janjiq, përfaqësues i Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se është mirë dhe e rëndësishme që të më mësohet religjioni në shkollat në Kosovë, në mënyrë që të kuptohen traditat e njëri tjetrit dhe kjo të orientohet kah mirëkuptimi i ndërsjellë, pajtimi dhe jetesa e përbashkët.
“Mendoj se duhet të mësohet për nocionet themelore të fesë, të cilat janë të rëndësishme për traditën e secilës bashkësi, por të vihet theksi në zbatimin praktik të besimit në jetë, në raport me njerëzit e tjerë, me ndërtimin e shoqërisë dhe respektin ndaj të tjerëve, respektimin e ligjit e të tjera".
"Është mjaft e rëndësishme që kjo të mos jetë vetëm mësim teologjik dhe rregullat e caktuara fetare, por të mësojmë se si ta jetësojmë besimin tonë në shoqërinë ku jetojmë, në mënyrën që të na bëjë konstruktiv dhe anëtarë të mirë të asaj shoqërie, në mënyrë që t’i iket keqpërdorimit të fesë, e në veçanti ekstremizmit fetar”, ka thënë Janjiq.
Por, përfaqësuesi i Kishës Katolike në Kosovë, Don Shan Zefi, kancelar ipeshkvor i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se në rast semësim- besimi aplikohet në shkollat në Kosovë, atëherë kjo do të duhej të bëhej vetëm nga qasja e historike.
“Më duket se është e vetmja, si alternativë, kuptimi i religjionit në kuptimin historik. Do të thotë, krishterimi duhet të mësohet gjatë 20 shekujve, islamizimi tek shqiptarët gjatë 5 shekujve, si dhe religjionet tjera, sidomos ato që janë të pranishme në Kosovë, në rajon dhe në përgjithësi. Kështu që, do të duhej të ishin profesorët, të cilët trajnohen ose e kanë profesionin e historianit dhe flasin në kuptimin e qartë të historisë se si kanë ardhur religjionet në Kosovë, në rajon dhe më gjerë”, thotë Zefi.
Në anën tjetër, profesor Ismajl Hasani, sociolog i religjionit, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se është e nevojshme një periudhë prej dy apo tri vitesh që të debatohet, fillimisht, nëse është e nevojshme futja e mësim-besimit në shkolla. Në të kundërtën, sipas tij, veprimet e ngutshme do të prodhonin efekte negative dhe do të krijohej perceptimi se po ushqehet radikalizmi dhe ekstremizmi fetar.
“Nëse do të prevalonte ideja që të futet mësim-besimi në shkolla, atëherë gjithsesi do të ishte e nevojshme që të mendohet që të hartohet një kurriikulë, e cila jep informacionet e përgjithshme mbi religjionet, pa ndonjë përjashtim. Do të thotë, jo vetëm informacionet, por edhe njohuritë tjera të doktrinave të religjioneve të veçanta.”
“Përndryshe, në qoftë se insistohet në futjen e mësim-besimit për qëllime të praktikumit të fesë nëpër shkolla, atëherë kjo është një e keqe e cila po i përgatitet Kosovës, sepse edhe ashtu jemi mjaft të atomizuar”, thotë Hasani.
Mospajtime për emërtimin e lëndës së mësim-besimit dhe për ligjëruesit
Por, si do të quhej lënda, a do ta nënkuptonte mësimin për fenë apo mësimin mbi fenë, si dhe kush do ta ligjëronte atë në rast se mësim besimi do të futej eventualisht në shkollat e Kosovës?
Në këto pika ekzistojnë pikëpamje të ndara ndërmjet përfaqësuesve të bashkësive fetare, por edhe njohësve të sjelljeve shoqërore karshi religjionit.
Kryeimami Bajgora thotë se Bashkësia Islame e Kosovës insiston në atë që lënda të quhet “Edukatë fetare”.
“Nxënësit do të merrnin informacionet bazike rreth fesë së tyre dhe këtë lëndë sigurisht që do të ishin kompetent që ta japin teologët e mirëfilltë, të licencuar nga BIK-u dhe nga Ministria e Arsimit. Përndryshe, lënda ‘Mësime bazike mbi fenë’, kjo nuk do të kishte çuar fort peshë për BIK-un, sepse gjë e tillë faktikisht ekziston në librat e Edukatës Qytetare.”
“Nëse ka ndonjë nismë që të flitet rreth lëndës ‘Edukata fetare’, siç mësohet në shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian, atëherë ne jemi të gatshëm që ta japim kontributin tonë, pa kurrfarë hezitimi”, ka theksuar Bajgora.
Mendim të përafërt ka edhe Igumeni Janjiq. Ai vlerëson se ligjëruesit e mësim-besimit duhet të përcaktohen nga vet bashkësitë fetare.
“Më e rëndësishme është që mësim-besimin duhet ta ligjërojë ai i cili e njeh mire fenë. Me këtë mendoj se më së miri është që vet bashkësitë fetare t’i emërojnë dhe vendosin mësuesit e vet të mësim-besimit.”
“Por, do të ishte mirë që pavarësisht atyre marrëveshjeve në nivel të secilës bashkësi fetare, të organizohen edhe simpoziume, me pjesëmarrjen e organizatave ndërkombëtare për pajtim fetar dhe tolerancë”, thotë Janjiq.
Por, ndryshe mendon kancelari ipeshkvor i Kosovës, Don Shan Zefi. Ai thotë se mësimi i fesë brenda institucioneve shkollore, nuk është i nevojshëm hë për hë.
“Feja, si e tillë, brenda institucioneve, mendoj se është herët dhe tani nuk mund të bëhet, sepse sigurisht që do të sillte edhe përçarje, sidomos me këtë frymën e ekstremizmeve fetare. Mandej, ne jemi shtet laik dhe rrethanat nuk i kemi të ngjashme si me popujt që na rrethojnë, sepse ne e kemi një histori paksa më ndryshe. Kështu që, të futet përbrenda dhe të ketë mandej edhe rituale, sigurisht që Kisha Katolike nuk do ta favorizonte idenë. Por, ne do të ishim për atë aspektin e gjerë, historik, ashtu siç bëhet edhe nëpër rajone”, thotë Zefi.
Profesor Hasani shpreh mendimin se lënda e mësim-besimit nuk do të duhej fare të ligjërohej nga klerikët fetar, të cilitdo konfesion qofshin ata. Por, sipas tij, në anën tjetër, mungojnë kuadrot kompetente për ligjërimin e kësaj lënde. Nisur nga kjo, sipas tij, duhet shikuar praktikat e vendeve që janë ballafaquar me problem të ngjashëm.
“Unë po e marr vetëm rastin e Republikës së Kroacisë. Përgatitjet e kuadrove në Republikën e Kroacisë kanë zgjatur disa vite. Do të thotë, këtë lëndë nuk mund ta ligjërojë, në mënyrë rigoroze, as hoxha, as prifti, por as profili i një studiuesi të zakonshëm sekular, i cili nuk i ka njohuritë elementare për religjionet botërore. Do të thotë, këtu duhet të mendohet për përgatitjen e një profili, në të ardhmen, i cili do të jetë i përshtatshëm për mësimdhënie në këtë lëndë”, thotë Hasani.
Sido që të jetë, Kosova, me kushtetutën e saj, është e definuar si një shtet demokratik dhe laik, me shoqëri multietnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera, besimet fetare të të cilave janë të ndryshme.
Ligji aktual për arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës, aktualisht, nuk lë hapësirë që të futet si pjesë e arsimit edhe edukata fetare si lëndë e veçantë. Për futjen eventuale të lëndës së mësim-besimit në institucionet arsimore, do të nevojiten ndryshimet paraprake ligjore.