Ndërlidhjet

Mbi 100 specialistë shëndetësorë janë të papunë në Kosovë


Ilustrim
Ilustrim

Ndonëse në sistemin publik shëndetësor në Kosovë në shumë lëmi ka mungesë të profesionistëve, megjithatë, llogaritet se janë rreth 100 mjekë specialistë të fushave të ndryshme, të cilët janë të papunë.

Ky numër i mjekëve specialistë, të cilët nuk kanë mundur të punësohen ende, thuhet se vjen si pasojë e buxhetit të limituar që ka Ministria e Shëndetësisë e Kosovës.

Në nivelin terciar shëndetësor ka mungesë të theksuar të profesionistëve, sidomos në lëmin e kardiokirurgjisë, anesteziologjisë, hematologjisë, e në shumë fusha të tjera.

Emrush Kryeziu, hematolog në Qendrën Klinikën Universitare të Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në repartin e Hematologjisë janë gjithsej 4 hematologë specialist të punësuar, ndonëse është qendër referente për tërë Kosovën.

“Ne jemi i vetmi shërbim hematologjik në Kosovë. Jemi në nivelin terciar të mbrojtjes së shëndetit dhe i kemi vetëm 4 mjekë. Ne kemi kërkuar kuadro të reja, por nuk kemi hasur në mirëkuptim. Kanë premtuar se do t’i punësojnë edhe tre mjekë të tjerë”, tregon Kryeziu.

Në Ministrinë e Shëndetësisë, drejtori i departamentit për Informim, Faik Hoti ka bërë të ditur se janë rreth 100 mjekë specialistë të papunë. Evidentimi i të papunëve nga kuadrot mjekësore specialistike bëhet përmes një regjistri të veçantë.

“Me qëllim të krijimit të një regjistri të saktë të mjekëve specialistë që nuk janë të inkuadruar në punë, Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar që ata të lajmërohen. Deri tash, janë rreth 100 specialistë që janë lajëmruar si të papunë. Por, një numër prej tyre punojnë në sektorin privat, por që janë deklaruar si të papunë.”

“Ata janë të profileve të ndryshme , si drejtime pediatrike biokimike, kirurgjike, por që numri i disa profileve që janë më të nevojshme, është më i kufizuar dhe kjo do t’i shërbejë Minsitrisë së Shëndetësisë që t’i orientojë mjekët që të marrin specializim në ato lëmi, siç janë kardiokirurgjia, anesteziologjia dhe disa profile të tjera”, ka thënë Hoti.

Arsyeja pse është kërkuar që të ketë regjistër për mjekët e papunë, sipas Faik Hotit, bëhet me qëllim që i njëjti regjistër t’i prezantohet më pas Qeverisë së Kosovës, në mënyrë që të bëhet një zgjidhje për ta.

“Ministria do të përgatisë një projekt, që ky numër i mjekëve specialist gradualisht të punësohen dhe ta japin kontributin e tyre brenda sistemit shëndetësor. Sigurisht, ky numër do t’i prezantohet edhe Qeverisë së Kosovës, por edhe komunitetit të donatorëve edhe akterëve tjerë , që do të mund të ndihmonin në zbutjen e papunësisë të komunitetit të mjekëve”, ka thënë Hoti.

Ndërkaq, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, zëdhënësi Shpend Fazliu ka deklaruar se në këtë institucion ka kërkesa të vazhdueshme për punësim, për specialistët e papunë, por, mundësitë buxhetore të këtij institucioni janë shumë të kufizuara, gjë që po pamundëson punësimin e mjekëve të rinj edhe në ato shërbime ku ka deficit.

“Shpresojmë që Qeveria e Kosovës do ta ketë parasysh dhe do ta shtojë buxhetin, në mënyrë që ne ta shtojmë numrin e mjekëve specialistë të papunë, pra, t’i punësojmë ata. Kërkesat më të mëdha drejtohen në QKUK për punësime të reja.”

“Janë disa lëmi që janë ekskluzivisht terciare dhe nuk ofrohen në qendra tjera, si hematologjia, kardiokirurgjia , kirurgjia plastike, kirurgjia torakale”, shpjegon Fazliu.

Ndërkaq, Emrush Kryeziu ka shtuar se në mungesë të stafit profesional, shumë shërbime që do të mund të kryheshin në këtë institucion,nuk mund të realizohen për shkak të këtyre mungesave.

“Ne do duhej t’i kishim së paku 10 mjekë në klinikë, dhe do të mund të kryheshin edhe disa shërbime që tashmë nuk është e mundur të bëhen në QKUK”, thotë Kryeziu.

Suficiti i kuadrit mjekësor është shtruar disa herë si temë edhe në Kuvendin e Kosovës nga deputetë të partive të ndryshme politike, duke thënë se mungesa e kuadrove mjekësore ndikon në mirëqenien e përgjithshme të shëndetit publik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG