Ndërlidhjet

Qëndrime të ndara për Asociacionin


Bruksel, 27 janar 2016.
Bruksel, 27 janar 2016.

Në Bruksel ka përfunduar edhe një rreth i bisedimeve midis kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Temë kryesore e këtij takimi ka qenë zbatimi i marrëveshjes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në një adresim për mediat, kryeministri Mustafa ka thënë se bisedimet kanë qenë të mira dhe konstruktive.

Mustafa ka theksuar se Asociacioni mund të zbatohet “vetëm në suaza të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të marrëveshjes së parë dhe të ligjit të ratifikimit të marrëveshjes së parë”.

“Asgjë nuk do të funksionojë në Kosovë nëse nuk është në suaza të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo është e qartë edhe për palën serbe”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se nuk është rënë dakord për asnjë afat kohor për formimin e Asoaciacionit.

Kryeministri i Serbisë, Vuçiq, ka insistuar se nuk pranon asnjë vendim të, siç ka thënë, së ashtuquajturës Gjykatë Kushtetuese të Kosovës.

“Bisedimet nuk janë të lehta dhe po kërkojmë mënyra se si të zhbllokohet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka thënë Vuçiq për radio-televizionin serb.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka marrë vendim që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të themelohet ashtu siç është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit, të arritur në prill të vitit 2013, në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Intepretimi i kushtetueshmërisë së Marrëveshjes së 25 gushtit për themelimin e Asociacionit, në të cilën këmbëngul edhe pala serbe, është kërkuar nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Kjo, pasi partitë opozitare në Prishtinë kanë bojoktuar dhe bllokuar punimet e Kuvendit të Kosovës, duke thënë se marrëveshja për Asociacionin çon në ndarje të Kosovës.

Ndërmjetësuesja e dialogut, Federica Mogheni, përmes një deklarate për media, ka falënderuar kryeminsitrat për, siç ka thënë, përkushtimin e tyre të vazhdueshëm për të normalizuar më tej marrëdhëniet e tyre në kuadër të dialogut.

“Takimet e sotme kanë treguar gatishmërinë e tyre për të ecur përpara me një qasje shumë konstruktive. Ne të gjithë e kemi parasysh nevojën për të sjellë përfitime të drejtpërdrejta dhe konkrete për të gjithë njerëzit në Serbi dhe në Kosovë, të cilët dëshirojnë të përparojnë në rrugën e tyre evropiane”, ka thënë Mogherini, duke shtuar se të dyja palët janë pajtuar për të nisur bisedimet për lidhje direkte ajrore dhe hekurudhore midis Kosovës dhe Serbisë.

Duke folur për gazetarët pas takimit, Mustafa po ashtu ka thënë se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave dhe se nuk është e drejtë që të mbetet i vetmi vend i izoluar në rajon.

Mustafa i ka bërë këto komente pas raporteve të mediave në Prishtinë, të cilat kanë kritikuar shkuarjen e tij në Bruksel pas, siç është thënë, deklaratave të vetë kryeministrit se nuk do të shkojë pa ndodhur liberalizimi i vizave.

“Duhet të bashkëpunojmë me institucionet e Bashkimit Evropian, sepse edhe liberalizimin e vizave, edhe zbatimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim, edhe dialogun duhet ta zhvillojmë me këto institucione”, ka thënë Mustafa.

Analistët në Prishtinë kanë parashikuar se dialogu tani do të pushojë për një kohë, për shkak të zgjedhjeve në Serbi dhe për shkak të krizës politike në Kosovë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG