Ndërlidhjet

Mustafa: Nuk jap dorëheqje, opozita të jap dorëheqje nga gazi e dhuna


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e ka përjashtuar çdo mundësi që ai të jap dorëheqje pas presioneve të shtuara të opozitës.

Në një konferencë përmbyllëse të punës së Qeverisë së Kosovës për këtë vit, Mustafa ka deklaruar se qeveria që ai drejton është e ndërtuar mbi bazën e një koalicioni të gjerë që përfaqëson shumicën në Kuvend dhe se opozita, sipas tij, nuk ka të drejtë t’i kërkojë dorëheqjen.

“Mendoj se dorëheqje duhet të jap opozita. Jo dorëheqje nga Kuvendi, por dorëheqje nga dhuna dhe hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend. Duhet të hiqet dorë nga këso veprime, sepse në një vend demokratik askush nuk ka të drejtë të shkel ligjin dhe që të përdorë armët dhe mjetet e dhunës për të imponuar një vullnet politik".

"Nuk e kemi ndërmend të japim dorëheqje e as të shkojmë në zgjedhje, sepse zgjedhjet do të mbahen në vitin 2018. Kemi një koalicion të fortë e stabil”, ka deklaruar Mustafa.

Kërkesa e opozitës për dorëheqjen e Mustafës mbështetet edhe në aktgjykimin e shpallur të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me parimet e marrëveshjes me Serbinë për Asociacionin e komunave të banuara me shumicë serbe.

Aty thuhet se disa parime të kësaj marrëveshjeje nuk janë në tërësi në harmoni me Kushtetutën.

Por, sipas Mustafës, kjo nuk përbën shkelje, ngase palët në dialog, Prishtina, Beogradi dhe ndërmjetësuesi Bashkimi Evropian, janë pajtuar që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të jetë interpretuese e parimeve.

“Suksesi më i madh i kësaj marrëveshjeje është se ka pranuar si Brukseli ashtu edhe Serbia që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të jetë arbitri dhe interpretuesi i Kushtetutës në këtë marrëveshje. Konsideroj që interpretimet që i ka dhënë Gjykata Kushtetuese janë shumë të mira dhe kontribuojnë që në vazhdim, gjatë hartimit të statutit çdo gjë të përputhet me Kushtetutën. Marrëveshja nuk është akt juridik, por statuti”, ka theksuar Mustafa.

Mustafa ka folur edhe për prioritetet e qeverisjes së tij për vitin e ardhshëm.

Ndër tjera, ai ka premtuar edhe vazhdimin e proceseve integruese, zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian si dhe finalizimin e procesit të liberalizimit të vizave.

“Tani mbetet vetëm çështje e vullnetit politik të Bashkimit Evropian për të dhënë rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave. Unë kam besim që këtë do ta bëjë dhe po ashtu jam i bindur që ne gjatë vitit 2016 do të arrijmë që të udhëtojmë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian”, ka thënë Mustafa.

Kosovën gjatë vitit 2015 e njohën vetëm tri shtete të reja.

Por sipas, kryeministrit Mustafa, tani numri i njohjeve është në nivelin ku nuk priten më seri të një pas njëshme njohjesh.

Kurse prioritet, ka nënvizuar ai, po i kushtohet lobimit te pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, duke veçuar sidomos Greqinë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG