Ndërlidhjet

Koalicioni flet për zgjedhjen e presidentit, opozita për zgjedhje parlamentare


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Koalicioni flet për zgjedhjen e presidentit, opozita për zgjedhje parlamentare

Dorëheqje e qeverisë dhe organizimi i zgjedhjeve të reja të parakohshme, janë kërkesat e reja të opozitës në Kosovë.

Këto kërkesa pasojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese ku thuhet se disa parime të marrëveshjes me Serbinë për Asociacionin e komunave të banuara me shumicë serbe nuk janë tërësisht në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Ky aktgjykim, sipas opozitës është i mjaftueshëm që, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, zëvendësi i tij Hashim Thaçi dhe qeveria, të japin dorëheqje në mënyrë që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka thënë të martën në Prishtinë se Qeveri e Kosovës ka dështuar në qeverisjen e vendit.

Gjendja, sipas tij, “që nga paslufta nuk ka qenë më e rëndë dhe për ta kthyer një shpresë për qytetarët, vendi duhet të shkoj në zgjedhje”.

Opozita, thotë se është e bashkuar në qëllimin e saj për rrëzimin e qeverisë dhe këtë do ta kërkoj nga ditët e para të vitit vijues.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri kishte bërë me dije se kërkesat e opozitës do të mbështeten edhe tek aktgjykimi i Kushtetueses në lidhje me marrëveshjen për Asociacionin, sado që për shkeljet kushtetuese, në Kushtetutën e Kosovës precizohet se duhet të jap dorëheqje presidenti, kurse nuk përmenden kryeministri apo qeveria.

“Kërkojmë urgjentisht ose dorëheqje ose largim të tyre (Isa Mustafa e Hashim Thaçi) nga pozitat ku janë. Në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë dhe nuk duhet të lejojmë që klika anti-kushtetuese Mustafa – Thaçi të vazhdojë dhunimin e Kushtetutës”, ka deklaruar Ymeri.

Pretendimeve të opozitës, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa u është përgjigjur negativisht. Ai ka thënë se zgjedhjet do të mbahen, sipas mandatit kushtetues, në vitin 2018.

Megjithatë, edhe në vitin 2016, do të ketë një proces zgjedhor, por për postin e presidentit të Kosovës.

Kandidati i vetëm për këtë post është kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi, njëherësh ministër i Jashtëm dhe zëvendëskryeministër aktual i Kosovës.

Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se vetëm një dështim eventual i koalicionit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës do të mund ta çonte vendin në zgjedhje, dhe jo presioni i opozitës.

Në cilësinë e partnerit qeverisës, kryeministri Isa Mustafa, lider i Lidhjes Demokratike të Kosovës e ka siguruar Thaçin se do të këtë mbështetjen e LDK-së në Kuvend, pavarësisht qëndrimeve kundërshtuese të disa deputetëve të partisë së tij.

“Gjithsesi zotohem që marrëveshja do të zbatohet tërësisht dhe nuk ka asnjë arsye që z.Thaçi të mos jetë president sepse ne do t’ia sigurojmë votat si LDK, ashtu siç e kemi përcaktuar me marrëveshjen e koalicionit”, ka thënë Mustafa.

Sidoqoftë, përplasjet e ashpra në raportet ndërmjet pozitës dhe opozitës gjatë vitit 2015, po paralajmërohen të vazhdojnë edhe në vitin 2016.

Këto përplasje, nga analistët janë vlerësuar se po lënë anash shumë aspekte tjera zhvillimore nga fusha e ekonomisë, po ndikojnë negativisht në joshjen e investitorëve të huaj, në zbatimin e reformave demokratike si dhe po bëhen pengesë në aspektin e sundimit të rendit dhe ligjit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG