Ndërlidhjet

Operacioni në Paris: 2 të vdekur, 7 të arrestuar


Paris, 18 nëntor 2015.
Paris, 18 nëntor 2015.

Së paku dy persona të dyshuar për lidhje me sulmet terroriste në Paris janë vrarë dhe shtatë të tjerë janë arrestuar gjatë një bastisjeje të një apartamenti në lagjen Saint-Denis, në veri të kryeqytetit të Francës.

Burimet e policisë kanë thënë se Abdelhamid Abaaoud, organizatori i dyshuar i sulmeve të javës së kaluar, ka qenë në fokus të bastisjes.

Sipas raporteve të mëhershme, Abaaoud besohet se është larguar drejt Belgjikës ose Sirisë.

Shpërthime dhe të shtëna me armë janë dëgjuar gjatë operacionit, i cili ka nisur para agimit dhe ka zgjatur rreth gjashtë orë.

Autoritetet kanë thënë se njëri prej të dyshuarve është qëlluar për vdekje dhe një tjetër, një grua, ka hedhur veten në erë duke përdorur një rrip vetëvrasës.

Pesë policë janë plagosur po ashtu, ndërsa një qen i policisë është vrarë nga të dyshuarit.

Duke folur nga vendi i ngjarjes, pas përfundimit të operacionit, prokurori Francois Molins ka thënë se bastisja është urdhëruar pasi përgjimet e telefonave kanë sugjeruar se i dyshuari kryesor, Abaaoud, me prejardhje marokene, mund të jetë atje.

Saint-Denis është një lagje multikulturore, multifetare dhe multietnike. Atje jetojnë afrikanë, indianë, kinezë, turq dhe të tjerë. Gjatë operacionit, banorëve lokalë u është kërkuar të qëndrojnë brenda. Dyqanet dhe shkollat janë mbyllur sot, ashtu si edhe rrugët dhe transporti publik drejt lagjes Saint-Denis.

Ministri i Brendshëm i Francës, Bernard Cazeneuve, ka lavdëruar forcat e sigurisë për, siç ka thënë, aksionin e tyre në kushte të papara më herët.

Sulmet e njëpasnjëshme në bare, restorante, në një sallë koncertesh dhe pranë stadiumit kombëtar të futbollit, më 13 nëntor në Paris, kanë lënë të vrarë 129 persona dhe të plagosur mbi 350. Mbi 200 të plagosur mbeten ende në spital.

Vendet evropiane janë në gatishmëri të lartë. Të martën në mbrëmje, një ndeshje futbolli midis Gjermanisë dhe Holandës është anuluar vetëm pak minuta përpara se të niste në qytetin Hanover, për shkak të kërcënimeve për sigurinë.

Militantët e Shtetit Islamik kanë thënë se kanë kryer sulmet në Paris, në përgjigje të fushatës ajrore të Francës kundër udhëheqjes së tyre në Siri. Militantët janë zotuar se do të shkaktojnë gjakderdhje të mëtejshme.

Presidenti i Francës, Francois Hollande, ka thënë se Shteti Islamik kërcënon gjithë botën dhe se ai do të kërkojë një “koalcion të madh” për të punuar së bashku në mposhtjen e grupit militant.

Të martën, Franca ka bërë një kërkesë të paparë për ndihmë ushtarake dhe tjetër nga partnerët e saj në Bashkimin Evropian.

Qeveria franceze është thirrur në një klauzolë, të pashfrytëzuar deri më tash, e cila kërkon nga 28 vendet anëtare të bllokut që të sigurojnë “ndihmë dhe asistencë” për një shtet partner, i cili është “viktimë e agresionit të armatosur në territorin e tij”. (v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG