Ndërlidhjet

Gazi lotsjellës shtyn edhe seancën e sotme

Opozita ka përdorur sërish gazin lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës me çka ka pamundësuar vazhdimin e punimeve.

09:43 15.10.2015

Nën masa të shtuara sigurie dhe me tensionet evidente politike, Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet sot në një prej seancave të rregullta.

Megjithatë, mbajtja e kësaj seance është vënë nën pikëpyetje pas paralajmërimeve të opozitës se do ta bllokojë punën e Kuvendit, ngjashëm siç ka vepruar me tri – katër seancat paraprake.

Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma për Kosovën e kushtëzojnë zhbllokimin e Kuvendit me tërheqjen e nënshkrimeve që kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka vënë në marrëveshjen me Serbinë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe marrëveshjen me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Në anën tjetër, Kryesia e Kuvendit i ka paralajmëruar të gjithë deputetët se do t’i nënshtrohen një kontrolli të rreptë në hyrje të ndërtesës së Kuvendit, pas incidentit nga java e kaluar kur opozitarët kishin përdorë edhe gazin lotsjellës në sallën e kuvendit me qëllim që t’i ndërprisnin punimet.

Në rast të bllokadës së punës dhe incidenteve, kryesia ka paralajmëruar se do të shpallë pauzë dhe më pas do të merr vendim, të ndërpres seancën, të dërgoj policinë për të siguruar mbarëvajtjen e punimeve apo edhe të nxjerr deputetët opozitar jashtë sallës me anë të sigurimit.

10:08 15.10.2015

Pas kontrollit të detajuar, deputetët janë futur në ndërtesë dhe sallën e Kuvendit.

Deputetët opozitarë, veprimin e parë që e kanë ndërmarrë në holin e Kuvendit ishte grisja e muraleve të vendosura aty.

Një javë më herët, ata zbuluan muralet e mbuluara për vite me motive kombëtare shqiptare. Ato ishin mbuluar me kërkesën e ish-deputetëve serbë.

10:19 15.10.2015

Opozita ka përdorur sërish gazin lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës me çka ka pamundësuar vazhdimin e punimeve. Sapo që seanca ka filluar, deputetët opozitarë janë mbledhur te foltorja e Kuvendit dhe më pas është hedhur edhe gazi lotsjellës.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli e ka cilësuar këtë si një veprim të turpshëm dhe ka shpallur pauzë. Ai ka ftuar Kryesinë e Kuvendit për të marrë vendimin se si të veprohet tutje.

10:33 15.10.2015

Një grup qytetarësh, kryesisht simpatizantë të opozitës, janë mbledhur para Kuvendit në pritje të zhvillimeve në seancën e sotme plenare.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG