Pas marrëveshjes për prokurorin special, partitë politike në Maqedoni ndodhen para sfidës së re, reformave në Kodin zgjedhor, për të cilat duhet të merren vesh deri më 6 tetor, ashtu siç i ka porositur komisionari Johanes Hahn, gjatë vizitës të premten në Shkup.
Partitë duhet të arrijnë marrëveshje për modelin zgjedhor, pastrimin dhe regjistrimin e votuesve në listën zgjedhore.
Për të gjitha këto çështje, partitë kanë dallime të mëdha, në veçanti për listën zgjedhore, e cila duhet të pastrohet nga rreth 150 mijë votues.
Ka persona që figurojnë nga dy herë në listë, por ka edhe shumë të vdekur që ende nuk janë hequr nga e njëjta.
Paralelisht me pastrimin, duhet të gjendet forma edhe e regjistrimit të votuesve, shtëpi më shtëpi, model ky që kundërshtohet nga Bashkimi Demokratik për Integrim, pasi, sipas këtij subjekti, një zgjidhje e tillë do të linte jashtë listës mërgatën shqiptare.
Sa i përket modelit zgjedhor, edhe për këtë partitë kanë qëndrime të kundërta. Disa propozojnë një njësi zgjedhore, disa modelin e shumicën, e disa gjashtë njësi, aq sa janë aktualisht.
Partitë në një çështje janë të pajtimit, se listat duhet të jenë të hapura.
Njohësit e çështjeve politike si problem kryesor e shohin pastrimin e listës zgjedhore, që, sipas tyre, detyrimisht duhet të bëhet.
Profesori në Fakultetin Juridik të Universitetit të Shkupit, Lubomir Fërçkovski, thotë për Radion Evropa e Lirë se bisedimet do të jenë të mundimshme, pasi në bazë të marrëveshjes politike, tani, përveç Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, rol në pastrimin e listës do të ketë edhe Ministria e Punëve të Brendshme.
“Me rëndësi është se tani MPB-ja nuk do të drejtohet nga partitë qeverisëse. Kjo është një bazë e mirë që të mos bëhet vjedhja e votave, votimi i të vdekurve, votimi me letërnjoftime false, dhënia e letërnjoftimeve për maqedonasit nga Shqipëria. Me një fjalë, pushteti nuk besoj se më do të mund të llogarisë në 150 mijë votat e vjedhura. Me këtë besoj se do të krijohet një atmosferë e re për një proces zgjedhor objektiv”, vlerëson Fërçkovski.
Se bisedimet do të jenë të vështira e thotë edhe Sefer Tahiri, ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë dhe njohës i çështjeve politike. Ai konsideron se sfidat janë të shumta, por që në fund do të zgjidhen me ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar, ashtu siç ndodhi në rastin e prokurorit special.
“Konsideroj se ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar do të jetë vendimtare, përfshirë këtu ndikimin e drejtpërdrejtë të OSBE-së në drejtim të pastrimit të listës zgjedhore dhe të hapjes së çështjes së modelit zgjedhor. Vlerësoj se këto dy çështje - pastrimi i listës unike zgjedhore dhe i listave të hapura - mund të zgjidhen pasi ka gatishmëri të paktën deklarative nga partitë politike që të zgjidhen si të tilla, që qytetarë të mos kenë problem dhe vota të mos manipulohet”, thotë Tahiri.
Ai shton se problem më i madh në bisedimet për Kodin zgjedhor, do të jetë regjistrimi i votuesve që krahas pastrimit, do të jetë sfida kryesore e partive politike.
“Regjistrimi aktiv, apo regjistrimi i votuesve shtëpi për shtëpi, nuk është më i miri i mundshëm, por duhet të vihen në funksion të gjitha institucionet kompetente që kjo listë të pastrohet nga të vdekurit dhe nga njerëzit, të cilët janë në dy lista votuese, përkatësisht emrat e tyre figurojnë nëpër dy vendvotime dhe anomali tjera”, thekson Tahiri.
Pas reformës në Kodin zgjedhor, vjen çështja më e ndjeshme, dorëheqja e kryeministrit Nikolla Gruevski dhe riformatimi i Qeverisë së Maqedonisë, ku disa sektorë të saj, përfshirë edhe MPB-në, do të drejtohen nga LSDM-ja opozitare, e cila do ë jetë pjesë e qeverisë kalimtare, detyrë parësore e së cilës do të jetë organizimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike, më 24 prill të vitit të ardhshëm.