Autobusët që gjatë ditëve të kaluara kanë bartur refugjatë nga Presheva drejt kufirit të Serbisë me Hungarinë, që nga e dita e martë po i drejtohen kufirit të Serbisë me Kroacinë.
Disa dhjetëra refugjatë, shumica nga Siria dhe Afganistani, kanë hyrë në mëngjesin e të mërkurës në Kroaci nga Serbia. Ata gjenden në fshatin Tovarnik, në afërsi të kufirit, ku edhe i ka arrestuar policia kroate, për kalim jolegal të kufirit.
Në vendkalimin kufitar Tovarnik, që prej mbrëmë janë duke qëndruar vullnetarët dhe veprimtarët e Kryqit të Kuq të Kroacisë. Ata tashmë kanë mjete materiale për të pritur refugjatët, përfshirë edhe ushqimin, tendat, batanijet, artikujt për higjienë, si dhe ndihmën e parë.
Në rast të një vale më të madhe të refugjatëve, Kroacia tashmë ka përgatitur 3 mijë vende për vendosje në objekte - 700 vende në strehimoret në Zagreb dhe Kutin, si dhe 2 mijë e 300 vende në objektet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kroacisë, përfshirë edhe pushimoren për policinë në Valbandon, në Istër.
Kryetarja e Kroacisë, Kolinda Grabar Kitaroviq, ka kërkuar nga kryeministri kroat Zoran Milanoviq, që të thërras mbledhje urgjente të Këshillit për Siguri Kombëtare, duke paralajmëruar se kriza me refugjatët mund të zgjasë, ndërkaq që numri i refugjatëve që do të shkonin në Kroaci, do të mund të jetë shumë më i madh se sa që është pritur.
Kryeministri i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka theksuar se vendi i tij është i gatshëm që t’i pranojë, por edhe t’i transferojë refugjatët.
“Ne jemi të gatshëm t’i pranojmë, por nëse doni edhe t’i orientojmë ata njerëz. Nuk ka rëndësi se çfarë besimi apo çfarë ngjyre kanë. Por, është e dukshme që ata dëshirojnë fuqishëm që të shkojnë në Gjermani, Skandinavi dhe disa vende tjera”, tha kryeministri kroat.
Ai ka shtuar se politika aktuale e Hungarisë ndaj refugjatëve është e dëmshme dhe e rrezikshme.
“Muret që po ndërtohen, jo vetëm që nuk do ta ndalojnë askënd, por dërgojnë porosi të tmerrshme”, theksoi Milanoviq.
Në anën tjetër, pas mbylljes nga ana e Hungarisë të vendkalimeve kufitare me Serbinë, në zonën kufitare ndërmjet këtyre dy vendeve, kanë mbetur të ngujuar disa qindra refugjatë, një pjesë e të cilëve po bëjnë grevë urie, duke porositur Evropën që “t’i vijë turp”.
Të martën në orët e vona, në kufirin e Serbisë me Hungarinë, ka shkuar edhe ministri i Policisë së Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, i cili ka premtuar se Beogradi nuk do ta përdorë dhunën ndaj refugjatëve.
“Do të ishte iluzion të thuhet se Serbia, e vetme mund ta zgjidhë krizën, e cila është në rangun e shpërnguljes së popullit. Do të bisedoj edhe nesër me kolegët nga Hungaria që të shohim se çfarë është e mundur që të bëhet konkretisht lidhur me këtë vendkalim kufitar dhe njerëzit që gjenden këtu, të cilët në njëfarë mënyre janë të robëruar para murit. Shteti serb dhe policia e saj, në asnjë mënyrë nuk do t’ua rëndojë situatën këtyre njerëzve, por do t’i ndihmojë”, tha Stefanoviq.
Ndërkaq, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili aktualisht po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka porositur:
“Nuk dëshiroj që kushdo në Serbi të bëjë panik në çfarëdo mënyre. I lus njerëzit që në çfarëdo mënyre kanë ndikim në opinionin në Serbi, që të mos shpikin dhe të mos krijojnë rrëfime për katastrofa që na presin, sepse asnjë katastrofë nuk na pret”, theksoi Vuçiq.
Ndryshe, Hungaria po planifikon që përveç murit, në formën e rrethojës metalike, të cilën e ka vendosur përgjatë kufirit me Serbinë, të njëjtën ta bëj ëedhe përgjatë kufirit me Rumaninë, ka thënë të martën shefi i diplomacisë hungareze, Peter Siarto.
Në anën tjetër, Austria po planifikon që të vendos kontrollin kufitar me Hungarinë, Italinë, Slloveninë dhe Sllovakinë. Komisioni Evropian vlerëson se një gjë e tillë është në përputhje me rregullat për një suspendim të përkohshëm të Shengenit.
Kancelarja gjermane, Angela Mergel, ka vlerësuar se problemi i refugjatëve është i gjithë Bashkimit Evropian.
“Këtë problem mund ta zgjidhë vetëm Bashkimi Evropian, si tërësi. Është përgjegjësi e saj dhe për këtë arsye do ta mbajmë samitin special të Bashkimit Evropian, në javën e ardhshme”, ka theksuar Merkel.
Deri më tash, autoritetet hungareze kanë deklaruar se kanë arrestuar 174 refugjatë për tentim të hyrjes jolegale në Hungari.
Refugjatët kanë parashtruar më shumë se 70 kërkesa për azil në Hungari, prej të cilave autoritetet kanë refuzuar rreth 40 kërkesa.
Ndërkohë, në kuadër të ligjit të ri të këtij vendi, janë nisur procedurat kundër 250 refugjatëve, të cilët janë të dyshuar, përveç tjerash, edhe për dëmtimin e rrethojës metalike që është vënë në formë muri në kufirin ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë.