“Nuk duam ushqim, nuk duam ujë. Hapeni kufirin”. Kështu thërrisnin disa dhjetëra të rinj, refugjatë nga Siria, duke qëndruar afër pengesës më të re që është vënë në rrugën drejt Hungarisë.
Pengesa është një rrethojë e metalit, me tela gjemborë, e cila është vendosur përmbi rrugën, në zonën e ashtuquajtur “tokë e askujt”, ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë.
Në rrethojën metalike ata kanë shënuar në gjuhën angleze dhe arabe “grevë” si dhe “Hungari, hape kufirin”.
Në telat gjembor, një vajzë ka varur bluzën me mbishkrimin “Turpërohu Evropë”, veprimi i së cilës më pas është duartrokitur nga refugjatët, të cilët kanë thirrur me të njëjtën porosi.
Në anën tjetër të rrethojës metalike, pas radhëve me tela gjembor, janë vendosur kordonet e policisë hungareze, të cilët në heshtje kanë përcjellë atë që po ndodhte. Zona, mbikëqyrej edhe nga helikopterët.
Gjatë asaj kohe, në ‘tokën e askujt”, ishin shtrirë gratë dhe fëmijët, si dhe njerëzit me lëndime. Janë vendosur edhe tendat, ndërkohë që vullnetarët nga Serbia, po përpiqeshin tu jepnin ushqim dhe ujë refugjatëve.
Një vajzë është alivanosur, ndëkohë që në afërsi nuk kishte ambulancë për ndihmë të shpejtë. Atë e kanë bartur në krah disa vullnetarë.
“Këtu jemi, në rrugën pranë kufirit, pa asnjë gjë. Disa persona humanitarë po vijnë dhe po sjellin ujë dhe ushqim për gratë. Por, neve nuk na duhet as ushqimi e as uji. Neve na nevojitet vetëm të kalojmë nëpër Hungari deri në vendet tjera. Disa dëshirojnë të shkojnë në Gjermani, e disa diku tjetër, por Hungaria i ka mbyllur dyert. Pse e bën këtë? Ne nuk duam të qëndrojmë në Hungari. Nuk do të merrnim nga ta asgjë, madje as një gotë ujë”, tha një refugjat i moshuar nga Siria.
Një i ri, theksoi se nuk do të lëvizë nga vendi ku qëndronte pranë rrethojës metalike, derisa ajo të largohej.
“Do të bëjmë grevë. Nuk do të lëvizim nga këtu. Do të rrimë derisa ta hapin këtë portë”, tha një i ri.
Pjesëmarrjen në grevë e pohuan edhe disa të rinj tjerë.
“Grevë, pa ushqim dhe pa ujë. Hungarezët po na bëjnë probleme. Na e hapni derën”, thërrisnin të rinjtë.
Para mbylljes së tërësishme të kufirit, policia hungareze gjatë ditës ka lëshuar të hyjnë në teritorin e Hungarisë disa grupe të refugjatëve, duke hapur dhe më pas edhe mbyllur vendkalimin kufitar në Horgosh.
Përveç këtij vendkalimi kufitar, është mbyllur edhe vendkalimi tjetër i afërt, "Horgosh 2”, i cili ka qenë vendkalimi i fundit, përmes të cilit janë lejuar refugjatët dhe në të cilin mbrëmë është zhvilluar një dramë e vërtetë.
Gjithashtu, është mbyllur edhe vendkalimi Baçki Vinogradi - Ashothalom.
Edhe atje është vendosur rrethoja me tel gjembor, pas së cilës janë vendosur kordonet e policisë hungareze. Pranë rrethojës, në rrugë, po qëndronin disa dhjetëra refugjatë.