Ndërlidhjet

Mungesë koordinimi kundër terrorizmit


Një luftëtar i Shtetit Islamik, foto nga arkivi
Një luftëtar i Shtetit Islamik, foto nga arkivi

Autoritetet e rendit në Kosovë, nuk janë në nivelin e duhur kur bëhet fjalë për menaxhimin e situatave në sektorin e sigurisë dhe kërcënimet nga terrorizimi, u tha të hënën nga përfaqësuesit e Institutit Kosovar për Zhvillim të Politikave (KIPRED).

Ata deri sa kanë prezantuar një raport për sektorin e sigurisë në Kosovë, thanë se institucionet e sigurisë, nuk kanë një koordinim të duhur kur bëhet fjalë për punën dhe vlerësimet e situatave për rastet e kërcënimeve nga terrorizimi.

Drejtori ekzekutiv i KIPRED, Lulzim Peci theksoi se për kërcënimet nga Shteti Islamik ka pas kundërthënie mes deklarimeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe zyrtarëve të lartë të Policisë së Kosovës, gjë që sipas Pecit, kjo mund të kuptohet si mos koordinim mes institucioneve të vendit në këtë rrafsh.

“Kosova nuk ka asnjë akt juridik me të cilin përcaktohet niveli i kërcënimeve dhe rreziqeve të sigurisë, si dhe nuk ka autoritet të përcaktuar i cili e cakton se cili është ky nivel dhe si bëhet komunikimi me publikun në këtë rast. Kjo është një e metë shumë e madhe e sektorit të sigurisë”, tha Peci.

Drejtori i organizatës KIPRED Lulzim Peci, tha se edhe përkundër faktit të përballjes me kërcënime dhe rreziqe evidente nga terrorizim Këshilli i Sigurisë së Kosovës nuk është duke i mbajtur takimet që i përcaktohen me ligj.

“Vetë fakti që Kosova nuk e ka koordinatorin e vet për luftë kundër terrorizimit tregon shumë dhe është një indikator esencial i cili tregon për nivelin e përgatitjes sonë institucionale me ballafaqimin e rreziqeve dhe kërcënimeve që vinë nga grupet e ndryshme terroriste”, tha Peci.

Nuredin Ibishi, anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri në Kuvendin e Kosovës, duke folur lidhur me koordinimin e institucioneve të sigurisë kur behte fjalë për kërcënimet terroriste, vlerësoi se në ketë drejtim, duhet një bashkëpunim edhe më i madh mes mekanizmave vendorë, rajonalë dhe më gjerë.

“Çështja e bashkëpunimit dhe partneritetit, sidomos tash që e kemi edhe prezencën ndërkombëtare të strukturave të sigurisë brenda, duhet të jetë shumë më e ndërlidhur. Jo vetëm kaq edhe aspekti i bashkëpunimit rajonal edhe ndërkombëtarë për arsye se ky kërcenim nuk është vetëm për shtetin tonë dhe rajoni, por ky është një kërcënim global”, tha Ibishi.

Kohë më parë vendeve të Ballkanit duke përfshirë edhe Kosovës, janë kërcënuar nga grupi militant i Shteti Islamik.

Më 12 mars të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin që sanksionon përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në luftëra të huaja.

Autoritetet e sigurisë dhe të ndjekjes penale në Kosovë, tashmë kanë konfirmuar se po zhvillojnë hetime nën dyshime për përfshirje në rastet që ndërlidhen me terrorizmin ndaj 135 personave.

Ndryshe, në hulumtimin e KIPRED me titull "Observeri i Sektorit të Sigurisë të Kosovës", Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës, janë institucionet më të besueshme për qytetarët në fushën e sigurisë.

FSK ka marrë notën 4, ndërsa Policia e Kosovës 3.79, nga 5 sa ishte nota maksimale.

XS
SM
MD
LG