Ndërlidhjet

A mundet një Mullah Omar i vdekur të varrosë bisedimet për paqe?


Mullah Mohammad Omar
Mullah Mohammad Omar

Duke e konfirmuar më në fund vdekjen e Mullah Mohammad Omarit, talibanët kanë zgjedhur pasardhësin e tij një person i cili tha se përkrah bisedimet për paqe me qeverinë afgane.

Prirja e Mullah Mohammad Akhtar Mansur drejt dialogut, ka ngritur shpresat për negociata që t’i jepet fund kryengritjes 14 vjeçare, pas marrjes së udhëheqjes nga ana e tij më 30 korrik.

Zyra e presidentit të Afganistanit, Ashraf Ghani njoftoi më 29 korrik se tereni për bisedimet e paqes ishte “më i shtruar se më parë”, pas konfirmimit të vdekjes së Mullah Omarit, për të cilin u bë e ditur që u nda nga jeta për shkak të një sëmundjeje dy vjet në parë në Pakistan.

Por, edhe pse ky lajm do të mund t’i ndalonte disa talibanë për të luftuar dhe t’i nxiste ata që t’i bashkohen procesit të paqes, disa vëzhgues thonë se mungesa e “karizmatikut dhe unifikuesit” Mullah Omar mund vë në pikëpyetje përpjekjet e fundit për paqe me grupin.

Periudhë e papërshtatshme

Njoftimi për vdekjen erdhi vetëm disa ditë para datës së planifikuar për bisedime për paqe mes talibanëve dhe qeverisë afgane, qe ishte caktuar për 31 korrik në Pakistan.

Zyra e Jashtme e Pakistanit tha më 30 korrik se këto bisedime janë shtyrë “në pikëpamje të raporteve në lidhje me vdekjen e Mullah Omarit dhe pasigurisë që rezulton, dhe me kërkesë të udhëheqjes së talibanëve afganë”.

Edhe pse nuk dha rezultate të menjëheshme, raundi i parë i mbajtur muajin e kaluar pranë Islamabadit, gjerësisht ishte përshkruar si fillimi i një rrugëdaljeje i luftës 14 vjeçare.

Ai shënoi herën e parë kur zyrtarë të të dy palëve u takuan sy-më-sy, dhe u pajtuan të takohen përsëri.

Michael Kugelman, bashkëpunëtor i Azisë Jugre në Qendrën Ndërkombëtare Dijetare Woodro Wilson në Uashington, paralajmëron se një vakuum lidershipi mund të çalojë me seriozitet përpjekjen për paqe.

"Konfirmimi për vdekjen e Mullah Omarit do të shkaktojë shumë probleme për talibanët” , thotë Kugelman.

"Ai do të ndezë kriza lidershipi qe mund të përfundojnë në gjak, dhe do të shpërqëndrojë talibanët nga foksi në bisedimet për paqe. Nuk mendoj se bisedimet do të anulohen krejtësisht, por e kanë humbur vrullin”, shton ai.

Pa precedent

Me pikëpyetje se si zgjedhja e Mansurit do të pritet nga komandantët talibanë dhe luftëtarërt, mbetet e paqartë se nëse grupi fundamentalist islamik do të grupohet përreth tij dhe ta lejojë atë të marrë përgjegjësinë për negociatat.

Është raportuar se ka kundërshtim për liderin e sapozgjedhur, nga disa fraksione talibane që duan që djali më i madh i Mullah Omarit, Mullah Mohammad Yuqub, të marrë udhëheqjen.

“Bisedimet për paqe mund të jenë të nevojshme me dhjetëra fraksione, në vend se me një grup të vetëm”, thotë Graeme Smith, një analist në Grupin Ndërkombëtar për Kriza në Kabul.

“Në kushte për të bërë një marrëveshje paqeje, vdekja e Mullah Omarit është një makth”, thotë ai.

Talibanët kanë pasur vetëm një lider që nga krijimi në fillim të viteve të ’90-a.

Spekulimet për pasardhësin janë koncentruar në dy komandantë garues: Mullah Mansur dhe Mullah Yuqub.

Yuqub besohet se i kundërshton bisedimet dhe thuhet se ai ka mbështetjen e komandantëve.

Mansur, që thuhet se ka ndikim të konsiderueshëm brenda krahut politik të talibanëve, ka meritën për sjelljen e grupit në tryezën e bisedimeve në Pakistan muajin e kaluar.

Fragmentimi

Përmes një deklarate për media më 30 korrik, talibanët thanë se Mullah Mansurit i është dhënë titulli “Komandant i Besimtarëve”, duke i dhënë statusin suprem, të mbajtur më herët nga Mullah Omari.

Talibanët gjithashtu njoftuan se zëvendësit e tij -- Sirajuddin Haqqani, i cili drejton fraksionin Rrjeti Haqqani, për kokën e të cilit jepet shpërblim 10 milionë dollarësh nga SHBA-të, dhe Haibatullah Akhundzada, ish kreu i gjykatave talibane.

Barnett Rubin, ish zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit dhe specialist për çështjen e Afganistanin, shkroi në revistën The New Yorker më 29 korrik se vdekja e Mullah Omarit mund të “shkaktojë fraksione brenda talibanëve".

"Disa mund të ndalojnë së luftuari dhe të hynë në sistem, ndërsa tjerë mund t’u bashkohen grupeve edhe më ekstremiste, siç është Shteti Islamik, dhe të luftojnë kundër qeverive edhe në Afganistan edhe në Pakistan” shkroi ai.

Me indikacionet që u intensifikuan muajve të fundit për vdekjen e Mullah Omarit, disa komandantë të talibanëve iu bashkuan grupit militant Shteti Islamik (IS), i cilli kontrollon territore në Siri dhe Irak, dhe ka kërcënuar se do të zgjerohet edhe përtej Lindjes së Mesme.

Përgatiti: Gresa Kraja

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG