Kriza politike në Maqedoni është zgjidhur, kanë bërë të ditur liderët e VMRO DPMNE-së dhe të LSDM-së, Nikolla Gruevski dhe Zoran Zaev pas bisedimeve që kanë përfunduar rreth një orë pas mesnatës së ditës të martë.
Marrëveshja është arritur me ndërmjetimin e komisionerit për Zgjerim dhe Fqinjësi të BE-së, Johannes Hahn dhe takimeve intensive të hënën, midis ndihmës-sekretares amerikane të shtetit, Viktoria Nuland dhe liderëve të katër partive kryesore politike.
Qeveria kalimtare do të formohet deri më 15 janar dhe atë nuk do ta udhëheq Nikolla Gruevski ndërsa zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 24 prill.
Afera e përgjimeve do të hetohet nga një prokuror special publik, këto janë pikta kryesore të marrëveshje.
“Kriza politike në Maqedoni është zgjidhur, perspektivat evropiane për Maqedoninë mbeten të hapura, ekonomia lirohet nga kthetrat që imponoi kriza politike dhe do të vazhdojë të rritet, që nënkupton vende të reja të punës dhe investime të reja“, ka deklaruar kryeministri Gruevski duke prezantuar detaje nga marrëveshja e arritur.
“100 ditë para mbajtjes së çdo cikli zgjedhor parlamentar qeveria do të tërhiqet dhe do të formohet një qeveri e re për zbatimin e zgjedhjeve. Kjo do të thotë se VMRO-ja do të nominojë një kryeministër të përkohshëm për një periudhë prej 100 ditësh duke filluar nga 15 janari i vitit 2016 e deri në zgjedhjet që do të mbahen më 24 prill".
"Që të përjashtohet mundësia që dikush të ketë alibi për rezultatin zgjedhor është vendosur që LSDM-ja në konsultim paraparak me VMRO-në dhe BDI-në të propozojë një ministër teknik për Punë të Brendshme duke filluar nga 20 tetori i këtij viti".
"Gjithashtu është vendosur që deri në 15 shtator të zgjidhet prokurori special publik, i cili do të hetojë aferën e përgjimeve. Ai do të zgjidhet në konsultim me të gjitha katër partitë politike“, ka deklaruar Gruevksi.
Ai theksoi se marrëveshja është arritur përkundër siç tha, “përpjekjeve maksimale që janë bërë nga LSDM-ja për dështimin e negociatave, meqë ajo është vetëdijshme se në prill do t'i humb zgjedhjet pasi populli nuk i jep mbështetje, në veçanti, jo mënyrës me të cilën tenton të arrijë në pushtet“.
Duke komentuar marrëveshjen e arritur kryetari i Lidhjes Social Demokrate Zoran Zaev, tha se ajo paraqet fitore të madhe pasi konfirmon të gjitha dëshmitë e opozitës të paraqitura periudhën e fundit nga përgjimet, se qeveria aktuale në krye me Gruevskin është e zhytur në veprimtari të rënda kriminale.
“Me marrëveshjen e arritur u konfirmua ajo që në vazhdimësi, unë, LSDM-ja, koalicioni qeveritar e kemi konfirmuar me projektin “E vërteta për Maqedoninë“, se Nikolla Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë qeverisin në mënyrë kriminale dhe korruptive dhe se nuk fitojnë në zgjedhje, por i vjedhin votat dhe manipulojnë proceset zgjedhore".
"Nikolla Gruevski do të paraqes dorëheqeje dhe nuk do ta udhëheqë qeverinë, e cila do të organizojë zgjedhjet që do të mbahen më 24 prill të vitit të ardhshëm. LSDM-ja në fillim të shtatorit do të kthehet në Kuvend dhe do të merr pjesë aktive në zbatimin e tëresishëm të marrëveshjes së arritur për ndryshimet e domosdoshme në sferat kritike të apostrofuara nga raportet ndërkombëtar“, ka deklaruar Zaev.
Ai dhe Gruevski kanë shprehur mirënjohje të larta për angazhimin e përfaqësuesve ndërkombëtar nga BE-ja dhe SHBA-të për arritjen e marrëveshjes dhe nxjerrjen e vendit nga kriza e rëndë politike në të cilën ndodhet tani një vit e gjysmë, e në veçanti nga muaji shkurt kur opozita nisi publikimin e bisedave të përgjuara telefonike të zyrtarëve të lartë.
Gjatë kësaj periudhe janë publikuar qindra biseda, që, sipas LSDM-së, dëshmojnë përfshirjen e qeverisë në krime të rënda dhe ndërhyrjen e saj në pavarësinë e pushtetit gjyqësor, në pavarësinë e mediave, falsifikimin e zgjedhjeve, në tenderë të ndryshëm si dhe në kërcënime dhe shantazhe të ndryshme ndaj të gjithë atyre që nuk mbështesin politikat e saj.
Por, nga qeveria janë mbrojtur duke akuzuar opozitën për montimin e bisedave dhe sigurimin e tyre nga shërbime sekrete të huaja me qëllimin e vetëm, destabilizimin e Maqedonisë.