Varësisht përfundimeve të seancës së Kuvendit Kosovës, pritet që më pas Qeveria të procedojë tutje me miratimin e projektligjit për dhomat e specializuara dhe zyrën e prokurorit të specializuar.
Ky projektligj, është rezultat i negociatave me Bashkimin Evropian i cili lejon vendosjen e prokurorëve e gjykatësve ndërkombëtarë për hetimin e krimeve të pretenduara në raportin e Dick Martyt.
Krahas këtij projektligji, qeveria ka propozuar edhe miratimin e një ligji tjetër, atij për mbrojtjen dhe kompensimin e të akuzuarve nga Gjykata Speciale.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, njëherësh lider i PDK-së, ka thënë para Kuvendit të Kosovës se deputetët i kanë dy mundësi para vetes, të themelojnë vet këtë gjykatë apo që çështjen t’ia lënë në duar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku sipas tij, ka edhe vende që e kundërshtojnë dhe sfidojnë shtetësinë e Kosovës. Ai ka ftuar deputetët të votojnë themelimin e kësaj gjykate.
Faton Klinaku, përfaqësues i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u ka bërë thirrje pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që ta lirojnë oborrin e Kuvendit të Kosovës, duke thënë se “nuk jemi nën masa të dhunshme dhe se protesta po bëhet me kërkesën që e ka gjithë populli, mos votimin e Gjykatës Speciale”.