Ndërlidhjet

Steinmeier: Gjykata Speciale në favor të Kosovës


Frank-Walter Steinmeier
Frank-Walter Steinmeier

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka thënë se themelimi i Gjykatës Speciale për Krime Lufte në Kosovë nuk është favor që i bëhet bashkësisë ndërkombëtare, por vet Kosovës.

“Kosova i bën favor historisë së saj dhe gjeneratave të reja. Ka përgjegjësi ndaj historisë që t’i shtjellojë çështjet (e caktuara) përmes kësaj gjykate”, ka thënë Steinmeier.

Kryedipmolati gjerman i ka bërë këto komente në Prishtinë, gjatë konferencës së përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.

Edhe pse themelimi i këtij insitucioni kundërshtohet nga partitë opozitare në Kosovë, Steinmeier ka thënë se ai është lajm i mirë për vendin.

Për themelimin e Gjykatës nevojiten ndryshime kushtetuese, por kryeministri Mustafa ka thënë se nuk e di datën se kur do t’i trajtojë Kuvendi ato.

“Me sa kam informata, pritet që javën e ardhshme, një grup punues i Brukselit të vijë në Kosovë për të harmonizuar qëndrimet me specialistët nga Kosova në lidhje me ligjin mbi dhomat e veçanta të Gjykatës Speciale. Sapo të përfundojë kjo procedurë, ndryshimet kushtetuese do të procedohen në Kuvend”, ka thënë Mustafa.

Gjykata Speciale për Krime Lufte do të merret me trajtimin e pretendimeve që kanë dalë nga raporti i të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty. Ky i fundit ka raportuar për “trafikim të organeve të serbëve nga disa ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Përfaqësuesit ndërkomëbtarë, në disa raste, kanë paralajmëruar autoritetet e Kosovës se mosthemelimi i Gjykatës në fjalë nga vetë ato, i hap rrugë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për ta krijuar atë.

Steinmeier, gjatë adresimit për media, ka thënë po ashtu se investitorët gjermanë nuk janë të interesuar të investojnë në një vend ku ka korrupsion, duke aluduar te prania e kësaj dukurie në Kosovë.

Ai ka thënë ka pasur përparim në përmbushjen e kushteve për liberalizim të vizave për Kosovën, por ka kërkuar më shumë “durim” nga qytetarët.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, diplomati i lartë gjerman ka takuar edhe presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, me të cilën ka biseduar po ashtu për themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte, pasataj për proceset integruese të Kosovës dhe zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë, të arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Të martën, Steinmeier ka qëndruar edhe në Beograd, ku autoritetet serbe i ka porositur se normalizimi i raporteve me Kosovën është detyrë e përbashkët e të dyja vendeve, për të përparuar drejt BE-së.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG