Bashkimi Evropian ka akuzuar gjigandin shtetëror të gazit rus, Gazprom, për shkelje të rregullave të monopolit – hap që ka gjasa të përkeqësojë edhe më shumë tensionet midis Moskës dhe Perëndimit.
Bashkimi Evropian dyshon se Gazpromi abuzon me pozitën e tij dominuese në treg për të nxjerrë çmime më të larta nga vendet evropiane, që mbështeten në gazin rus, dhe për të penguar lëvizjen e lirë të gazit brenda BE-së.
Akuzat specifike janë se Gazpromi mund të ketë penguar disa vende të BE-së nga ri-eksportimi i gazit të blerë nga kompania, mund të ketë lidhur në mënyrë të padrejtë çmimet e gazit me çmimet e naftës dhe mund të ketë bllokuar vendet nga shumëllojshmëria e furnizimeve të tyre me gaz.
Akuzat kanë të bëjnë me marrëveshjet e Gazpromit me tetë vende të Evropës qendrore dhe lindore që importojnë të gjithë ose shumicën e gazit nga Rusia: Bullgaria, Republika Çeke, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia dhe Sllovakia.
Të gjitha këto vende janë ankuar se Gazpromi u ka vënë atyre çmime më të shtrenjta se shteteve të Evropës perëndimore.
Qeveritë perëndimore kanë akuzuar për kohë të gjatë Rusinë se përdor Gazpromin si mjet politik për të frikësuar fqinjët dhe për të nxitur grindje midis anëtarëve të BE-së.
Faza e parë e hetimeve ka nisur në vitin 2011, me bastisje të zyrave të Gazpromit në shtetet anëtare të BE-së, të cilat janë ankuar për praktikat e firmës. Në vitin 2012, ndërkaq, kanë nisur hetimet formale.
Burime të BE-së i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se akuzat kundër Gazpromit kanë qenë gati qysh vitin e kaluar, por janë lënë në tryezë për shkak të shqetësimeve për tensionim të mëtejmë të marrëdhënieve me Moskën. Tensionet janë shfaqur që nga ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Ukrainë.
Brukseli dhe Uashingtoni kanë vendosur sanksione kundër zyrtarëve dhe kompanive ruse, pasi Kremlini ka aneksuar Krimenë nga Ukraina dhe vazhdon të mbështesë separatistët në lindje të Ukrainës.
“(Autoritetet e BE-së) kanë hapur çështjen formalisht në vitin 2012. Është dashur kohë shumë, shumë e gjatë për të arritur deri këtu. Dhe, tani jemi në një situatë krejtësisht të ndryshme politike për shkak të Ukrainës. Kjo e ngjyros krejt kontekstin e këtij gjykimi”, thotë Jonathan Stern, kryetar i Programit për Kërkime të Gazit Natyror në Institutin Oxford për Studime të Energjisë.
Komisionarja evropiane kundër monopolit, Margrethe Vestager, e cila ka marrë postin e saj në muajin nëntor, ka mohuar se hetimi në Gazprom është nxitur nga politika.
Burime në Komisionin Evropian i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se akuzat anti-monopol kundër gjigantit të internetit Google, i cili ka selinë në Shtetet e Bashkuara, tregojnë se BE-ja nuk veçuar vetëm Gazpromin.
Gazpromi ka 12 javë kohë për t’u përgjigjur dhe për t’u mbrojtur kundër çdo akuze, si dhe për të negociuar një zgjidhje me BE-në. Kompania ka thënë se është e gatshme për të ndjekur zgjidhjen.
Megjithatë, nëse nuk arrihet marrëveshje, BE mund të vendosë gjoba deri në 10 për qind të shitjeve totale të Gazpromit ose të kërkojë që kompania të ndryshojë praktikat e saj të biznesit.
Këto ndëshkime mund të jenë të kushtueshme për Gazpromin në kohën kur Rusia përballet me vështirësi ekonomike, si pasojë e rënies së çmimeve të naftës dhe sanksioneve të Perëndimit.
Analistë të firmave huadhënëse të Rusisë, Sberbank dhe VTB, llogarisin se Gazpromi mund të gjobitet me 2 miliardë dollarë, respektivisht 3.8 miliardë dollarë.
Por, çfarë reagimi mund të presë Perëndimi nga Rusia?
Marrë parasysh marrëdhëniet aktuale të nevrikosura midis Moskës dhe Perëndimit, zyrtarët rusë pritet t’i cilësojnë akuzat e BE-së kundër Gazpromit si përpjekje për të izoluar dhe dobësuar Rusinë.
Por, është e paqartë nëse Kremlini do të përgjigjet me masa konkrete si ato që ka ndërmarrë presidenti rus, Vladimir Putin, dy vjet më parë.
Pasi BE-ja ka nisur zyrtarisht hetimet kundër Gazpromit më 2012, Putin ka nënshkruar një dekret, i cili kërkon nga firmat strategjike të Rusisë, të cilat operojnë jashtë vendit, që të marrin leje nga qeveria para se të zbulojnë të dhëna për rregullatorët e huaj, para se të ndryshojnë kontaratat ose të shesin pronat jashtë vendit.
Dekreti po ashtu kërkon nga qeveria që të refuzojë lejen për zbulimin e informacioneve që mund të dëmtojnë interesat ekonomikë të Federatës Ruse.
Përgatiti: Valona Tela