Ndërlidhjet

Shkelësit e mundshëm të marrëveshjes së Iranit


Bisedimet bërthamore në mes të Iranit dhe fuqive perëndimore, tani janë në pjesën e fundit të saj.

Por, derisa 31 marsi, që është afati i fundit për një marrëveshje fillestare, po afron, veshët e delegatëve po cingërrojnë nga zërat e fuqishëm që gjenden larg tavolinës së negociatave.

Këta persona të jashtëm, kanë vendosur disa vija të kuqe që kanë rënduar tej mase negociatorët, vija të kuqe këto që kanë të bëjnë me çështjet më thumbuese, përfshirë lehtësimin e sanksioneve, fatin e objekteve bërthamore të Iranit dhe garancitë që Irani nuk do të prodhojë armë bërthamore.

Vijat e kuqe të Iranit, apo ato të perëndimit, nuk lejojnë hapësirë për lëshime, dhe në të njëjtën kohë, kanë potencial të krijojnë një rrugëdalje të lehtë për negociatorët që të largohen pa një marrëveshje.

Përkrahësit e vijës ekstreme të Iranit

Lideri suprem i Iranit e ka fjalën e fundit, por qëndrimet e përfaqësuesve të vijës ekstreme të Iranit, që e kundërshtojnë marrëveshjen e mundshme, do të dëgjohen para një vendimi përfundimtar.

Në mesin e tyre janë edhe Saeed Jalali, kryenegociatori bërthamor gjatë kohës kur Mahmud Ahmedinexhad ishte president, partia politike e Frontit të Durimit, elemente të Gardës së Fuqishme Revolucionare Islamike (IRGC).

Kushtet e tyre të përgjithshme janë:

S’ka marrëveshje nëse ajo e zvogëlon programin e pasurimit bërthamor të Iranit.

S’ka marrëveshje nëse vazhdohen sanksionet ushtarake dhe ekonomike,
(qofshin ato të SHBA-ve, BE-së apo Komneve të Bashkuara) duhet të hiqen menjëherë.

Në rast të sanksioneve të reja, duhet të miratohet legjislacioni që lejon pasurimin e uraniumit deri në 60%.

Ali Vaez, analist nga Irani i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, thotë se vija ekstreme e kampit opozitar, “ka prejardhje nga interesat ideologjike, gjeostrategjike apo ekonomike”.

Të vetëdijshëm që lideri suprem Ayatollah Ali Khamenei iu ka dhënë përkrahje bisedimeve, përkrahësit e politikave të ashpra në Iran i kanë drejtuar kritikat ndaj presidentit, Hassan Rohani dhe kryenegociatorit të tashëm të Iranit, ministrit të jashtëm, Mohammad Javid Zarif.

Në janar, këta përfaqësues të vijës ekstreme e kanë sulmuar Zarifin për shëtitjen e tij me sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, gjatë një kohe pushimi të negociatave që mbaheshin në Gjenevë.

Në të njëjtin muaj, një komandant i Gardës Revolucionare e kishte kritikuar Rohanin për angazhimin e tij me perëndimin.

“Revolucionarët e rremë, që u janë bashkuar radhëve të revolucionit për të siguruar kështu pozita udhëheqëse dhe pasuri, tani flasin për nevojën e të bërit kompromis”, kishte thënë Gjeneral Mohammad Reza Naqdi.

Megjithatë, analisti Vaez shpjegon se "grupi i vijës ekstreme përfaqëson një minoritet sepse për herë të parë gjatë një dekade, elita tejet e ndarë politike e Iranit, duhet të pajtohet për nevojën e një zgjidhjeje të shpejtë të çështjes bërthamore".

Pajtimi i tyre duket të jetë nxitur nga paknaqësia popullore me gjendjen e rëndë ekonomike që vjen si pasojë e sanksioneve perëndimore.

“Sot në Iran, nëse të shohin si pengesë për diplomaci nuk është vetëm veprim i gabuar politik, por edhe politikë e gabuar në tërësi", thotë Vaez.

Scott Lucas, specialist për Iranin në Universitetin e Birminghamit në Britani dhe redaktor në faqen e internetit, “EA World View”, thotë se edhe në mesin e përfaqësuesve të vijës ekstreme ka pak “kundërshtim thelbësor ndaj një marrëveshje, por ka më shumë kundërshtime ndaj llojit të marrëveshjes që do të arrihet”.

Lideri suprem

Me gjithë përpjekjet, përfaqësuesit e vijës ekstreme kanë dështuar që ta sfidojnë seriozisht presidentin iranian, Rohani dhe ekipin e tij negociator.

“Lideri suprem i ka dhënë mbështetje të fuqishme ekipit negociator, duke i quajtur ata fëmijët e revolucionit, duke paralajmëruar ndaj atyre që i akuzojnë për zbutje ndërsa me sukses i ka frenuar kritikët”, vlerëson më tej Vaez.

Mirëpo, në të njëjtën kohë, Khamenei ka bërë disa kërkesa të pamundshme.

Khamenei, në të njëjtën kohë rregullisht i ka akuzuar SHBA-të, edhe në kohën kur është rritur optimizmi për arritjen e një marrëveshje para afatit të fundit.

Duke folur para besimtarëve në qytetin e shenjtë, Mashhad, më 21 mars, Khamenei, e shënoi nisjen e Vitit të Ri Persian, (Nevruzit) duke i akuzuar SHBA-të se po e kërcënon Iranin.

11 vijat e kuqe të Khameneit, sipas Vaezit, kanë “si cak sinjalizimin e perëndimit se Irani nuk është duke negociuar nga një pozitë e dobët”.

Kongresi amerikan

Derisa janë rritur raportimet për një marrëveshje të mundshme, po aq janë rritur edhe shqetësimet se kundërshtarët në Kongresin amerikan mund të pengojnë një marrëveshje.

Më 9 mars, 47 senatorët republikan i kanë dërguar një letër liderëve të Iranit duke nënvizuar se çfarëdo marrëveshje që arrihet në mes të SHBA-ve dhe Iranit, do të kërkonte ratifikimin nga dy të tretat e votave në Senat.

Çfarëdo që ndodh pa këtë miratim, senatorët kanë shkruar se marrëveshja do të konsiderohej thjeshtë një marrëveshje ekzekutive në mes të presidentit Barack Obama dhe liderit suprem, Khamenei.

Një marrëveshje e tillë, kanë paralajmëruar ata, mund të anulohej nga një marrëveshje e re apo mund të modifikohej në të ardhmen nga Kongresi.

Shtëpia e Bardhë e kishte dënuar dërgimin e letrës, derisa Teherani e kishte përshkruar si shenjë të mashtrimit të Uashingtonit.

Ndërkohë, më 23 mars, 367 pjesëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve së SHBA-ve, e kanë lëshuar një letër bipartizane duke nënvizuar “çështjet e rënda dhe të urgjente që janë ngritur” në lidhje me negociatat bërthamore me Iranin.

Në mesin e këtyre shqetësimeve janë edhe:

Përmasat aktuale të programit iranian të pasurimit të uraniumit.

Mos bashkëpunimi me inspektorët ndërkombëtarë dhe nevoja për një regjim ndërhyrës inspekcioni.

Nevoja për “kufizimet e verifikueshme” ndaj programit bërthamor të Iranit i cili “duhet të zgjas me dekada”.

“Roli destabilizues” i Iranit në Lindje të Mesme dhe niveli i tmerrshëm i drejtave të njeriut në këtë shtet

Lojtarët rajonal

Së fundi, kryeministri i rizgjedhur izraelit, Benjamin Netanjahu, ka shprehur frikën se një marrëveshje mund të “hapë rrugën drejt një bombe”, ndërsa ai nuk i ka përjashtuar sulmet ushtarake kundër Iranit nëse arrihet një marrëveshje.

Rivalët rajonal si Arabia Saudite, ndërkohë, ka thënë se çfarëdo marrëveshje që i lejon Iranit të pasurojë uraniumin mund të nxisë një garë armatimi në Lindje të Mesme.

MKO-ja

Organizata “Mujahedin-e-Khalq” (MKO), një grup në ekzil kundërqeveritar, që konsiderohet si organizatë terroriste nga Teherani, është përfshirë në gjetjen e dëshmive për aktivitetet bërthamore të Iranit prej fillimit.

MKO-ja ishte e para e cila qysh në vitin 2002, ka zbuluar se Teherani është duke e zhvilluar një program sekret për të krijuar material për një program bërthamor.

Së fundi organizata në fjalë e ka akuzuar Teheranin se po kryen kërkime sekrete në një impiant në Teheran me qëllimin për të zhvilluar armë bërthamore, një akuzë që është hedhur poshtë nga Irani.

Përgatiti: Artan Haraçia

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG