Emrat e tyre lënë të kuptojnë origjinën e tyre nga koha e luftës: Pravosek, një mace 2 vjeçare, emri i të cilës simbolizon grupin nacionalist Sektori i Djathtë, dhe Manyasha, gjithashtu mace, me ngjyrë të bardhë, që mban emrin sipas nofkës së motrës më të dashur të Vladimir Leninit.
Pravosek dhe Manyasha u shpëtuan kur ndodheshin në Pisky, fshat lindor ukrainas, që u shkatërrua nga luftërat pranë aeroportit të Donjeckut.
Ato janë macet e para që iu bashkuan një familjeje të përbërë nga shtatë qenë, gjithashtu të shpëtuar nga rrugët, që tashmë jetojnë në Dnipropetrovsk, në banesën e aktivistes dhe vullnetares Alyona Havryushyna.
Havryushyna vazhdimisht ndihmon në shpërndarje të ushqimit, pajisje të ndryshme dhe ndihma të tjera për ushtarët që luftojnë në zonën Donbas.
Por, pasi e kishte vërejtur numrin në rritje të kafshëve shtëpiake të uritura dhe të frikësuara, që pronarët i kishin braktisur pasi kishin ikur për shkak të luftimeve, ajo filloi t'i merrte me vete kur kthehej në shtëpi.
"I mora sepse e dija që ajo është çfarë duhet të bëj", thotë Havryushyna, duke ledhatuar qenin me emrin Busya, të cilit i mungon njëra këmbë. "Kafshët nuk janë për t'u fajësuar. Ne jemi ata qe kemi faj, edhe për të bëmat tona, edhe për të tyret. Dikush duhet të marrë përgjegjësi. Ne duhet t'i ndihmojmë ata. Si të jetë ndryshe?"
Të gjithë së bashku, vullnetarët nga Dnipropetrovsk kanë shpëtuar më shumë se 30 mace, qenë si dhe një breshkë të gjetur në një shtëpi të braktisur. Deri më tash, ata kanë gjetur strehim për të gjithë.
Një tjetër vullnetare, Olena Tymoshenko, së fundmi e sjelli në shtëpi një nga qentë më të famshëm të braktisur në luftë: qeni i racës Labrador, Anhelyna, që përkohsisht ishte adoptuar nga ushtarët në Pisky, dhe ishte lavdëruar për paralajmërimet që i bënte kur dikush afrohej te baza ushtarake.
Shumë nga vullnetarët filluan t'ua dërgojnë fotografitë e kafshëve që i morën -- që tashmë duken të shëndetshme dhe të ushqyera mirë -- ushtarëve të cilët i kishin shpëtuar.
Tymoshenko, që udhëton më bashkëshortin e saj nga një zonë lufte në tjetrën, thotë se ata mundohen të marrin me vete kafshët sa herë që dërgojnë ndihma për ushtarët.
"Vendosim ushqim, dhe presim t'i marrim të gjitha kafshët që afrohen", thotë ajo.
"Fëmijët dhe kafshët -- ata janë të parët që vuajnë. Ata nuk mund të kuptojnë përse bota ka ndryshuar papritur, pse i kanë lënë pas", shton ajo.
"Përse këta njerëz nuk i marrin kafshët me vete, nuk e kuptoj. E merr me vete një batanije, një thes patate, një tigan...merre qenin! Është miku yt! Megjithatë mundohem të mos i fajësoj këta njerëz. Kurrë nuk e di se në çfarë rrethana ishin", tha Tymoshenko.
Derisa luftimet po intensifikoheshin në lindje, mijëra familje u larguan nga shtëpitë e tyre, shumë shpesh për shkak të bombardimeve.
Por edhe disa familje që i marrin me vete kafshët shtëpiake, në një moment apo tjetrin i braktisin, për shkak të rrethanave të ndryshme.
Natalia Mykhaylova, vullnetare në Fidelity, një organizatë për mbështetje të kafshëve, thotë se ajo është duke mbajtur një qen i cili është braktisur nga familja e tij, edhe pse aktivistët kishin ofruar strehim për të, deri kur familja të gjente një vend për të jetuar.
"Është i madh dhe shumë bukurosh", thotë Mykhaylova. "E kemi ushqyer dhe e kemi bërë të shëndetshëm. Pronarët e tij e sollën këtu dhe e braktisën, duke thënë se nuk kanë mundësi të kujdesen për të. Natyrisht, ai ishte shumë i frikësuar dhe tmerrësisht i dobët. Tash është shumë i bukur, një qen shumë i pashëm".
Në Ukrainë, mijëra kafshë vazhdojnë të mbesin të braktisura, të vetmuara, duke u përpjekur të mbijetojnë motin e ftohtë dhe luftimet e armatosura.