Ndërlidhjet

Fushatë me qebapë në mbrojtje të komunitetit mysliman


Mijëra qytetarë të Republikës Çeke janë zotuar të hanë nga një qebap më 9 janar në kuadër të fushatës masive të lansuar në Facebook, me synimin për të mbështetur komunitetin mysliman në këtë shtet.

Fushata që mban titullin “Qebapët Kundër Idiotizmit” vjen si përgjigje ndaj disa deklaratave kundërthënëse të një politikani popullist, i cili ka sulmuar ritet fetare myslimane.

Më 3 janar, Tomio Okamura, partia e të cilit, Agimi i Demokracisë, mban 14 mandate në parlamentin çek prej 200 vendesh, ka publikuar një ese prej 14 pikësh, në rrjetin social Facebook, duke dhënë udhëzime se si të mbrohet “mënyra demokratike e jetesës” së çekëve nga kërcënimet e islamizmit radikal.

Sipas këti postimi, Okamura udhëzon që të rikujtohen myslimanët se “mikpritja e një shteti duhet t’i ketë kufijtë e vet”. Ai u ka bërë thirrje çekëve që të shetisin qentë dhe derrat – të cilët në besimin islam shihen si qenie jo të pastra – afër xhamive në Çeki.

“Çdo qebap që blejmë nga ta, shkon një hap më afër drejt burkas. Si do t’i shijojnë qebapët gratë tuaja kur duhet t’ hajë me fytyrë të mbuluar?”, ka shkruar Okamura.

Ai njihet si një nga figurat më kundërthënëse në politikën çeke. Në të kaluarën, ka shkaktuar diskutime të ashpra kur ka dalë me propozimin që pakica rome e këtij shtetit të dëbohet për në Indi.

Ai ka thënë se nuk ka njohur për protestën me qebapë...

“Nuk e di se kush janë këta njerëz dhe nuk di gjë për këtë aktivitet, por mund të them se në kohën kur ka njerëz të vdekur nga terrorizmi islamik, trivializimi i kësaj çështjeje dhe tallja me të është shumë e pavend”, ka thënë ai.

Myslimanët përbëjnë më pak se 1% të popullatës 10 milionëshe në Republikën Çeke.

Qytetarët e anketuar në Pragë kanë mendime të ndryshme për të dyja anët e këtij rrëfimi.

Jarmila, 77 vjeçare është e mendimit se Okamura “është politikan i mençur dhe i arsyeshëm, i cili flet të vërtetën”.

Martini, 30 vjeç, thotë se Okamura nuk gëzon mbështetje te çekët.

“Është vetëm një çështje që do të ketë mbulim mediatik. Mendoj se të gjithë duhet të distancohemi nga ai. Unë nuk e kam problem të mbroj myslimanët dhe fundja, qebapët janë shumë të shijshëm”. (a.v.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG