Ndërlidhjet

Përse Erdogan mendon që myslimanët kanë zbuluar Amerikën?


Recep Tayyip Erdogan
Recep Tayyip Erdogan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, nuk është i panjohur për qëndrimet kontroverse, por shumë analistë janë befasuar kur ai ka thënë se “myslimanët kanë zbuluar Amerikën më 1178 dhe jo Christopher Columbus".

Duke folur në një samit në Stamboll më 15 nëntor, me liderët myslimanë të Amerikës Latine, Erdogan ka bërë përpjekje të forcojë qëndrimin e tij, duke thënë se eksploruesi italian, Columbus, kur ka arritur 300 vjet më vonë, “ka përmendur ekzistencën e një xhamie në një kodër në bregdetin e Kubës”.

Erdogan më pas ka shtuar se qeveria e tij do të jetë e lumtur nëse ndërton një xhami të re në këtë vend.

Kritikët kanë thënë se pohimet e Erdoganit bazohen në një arikull të vitit 1996 nga Youssef Mroueh, një historian me kredenciale të dyshimta akademike, i cili, sipas gazetës "The Washington Post", nuk bën pjesë në ndonjë institut të mësimeve të larta.

Pretendimet e Mroueh mbështeten në një ditar të Columbus, i cili përmend një xhami në Kubë. Ai thotë se kjo është provë se “feja islame ishte e përhapur” në Botën e Re.

Shumica e studiuesve besojnë se Columbus ka përdorur thjesht shprehje poetike për peisazhin në Kubë dhe një numër i vogël i hulumtuesve islamikë, si Mroueh, i kanë marrë germë për germë fjalët e Columbus. Po ashtu nuk ka asnjë provë arkeologjike për struktua apo vendbanime islamike në atë kohë në Amerikë.

Shumë vëzhgues perëndimorë i kanë hedhur poshtë komentet e Erdoganit, duke i cilësuar si një tjetër shpërthim. Por, disa të tjerë i shohin ato si tregues të mëtejshëm të dëshirës së tij për të riorganizuar Turqinë moderne në një shoqëri të bazuar në vlerat tradicionale islamike.

Halil Karaveli, redaktor në revistën "The Turkey Analyst", thotë se deklaratat e Erdoganit pasqyrojnë një “racionalitet të caktuar” të liderit konservator mysliman, i cili ka qenë kryeministër nga viti 2003, para se të merrte pozitën e re në gusht të këtij viti.

“Edhe pse mund të duken të çuditshme, gati të çmendura, ato bazohen në një realitet ideologjik. Dhe, ky realitet është se Erdogan, qëllimisht, është duke e ribërë Turqinë një vend më fetar, më sunit. Ai është duke e vënë gjithnjë e më shumë theksin mbi Islamin. Në këtë përpjekje për të ndryshuar Turqinë, për të krijuar ‘Turqinë e re’, përdorimi i instrumentit ideologjik të Islamit bën punë”, thotë analisti Karaveli.

Erdogan ka përdorur fjalimin e tij për të kritikuar edhe kolonizimin e krishterë të Botës së Re, pas udhëtimit të Columbus atje, më 1492.

“Konvertimi i njerëzve me forcë, me shpata, kurrë nuk ka qenë pjesë e Islamit. Feja jonë kurrë nuk ka qenë mjet i shfrytëzimit”, ka thënë Erdogan, për të shtuar se të krishterët evropianë “kanë konolizuar Amerikën për arin e saj dhe Afrikën për diamante”.

“Këtë po e bëjnë edhe në Lindjen e Mesme, për naftën e saj, me të njëjtat komplote të pista”, ka thënë Erdogan.

Mediat pro-qeveritare në Turqi kanë mbështetur presidentin, duke thënë se burimet perëndimore për zbulimin e Amerikës janë të gabuara. Por, shumë kritikë të Eroganit në Turqi kanë reaguar shpejt, duke përbuzur pretendimet e presidentit.

Në një artikull sarkastik për të përditshmen "Hurriyet", një kolumnist ka shkruar se lideri turk, së shpejti, do të shkojë aq larg dhe do të thotë se graviteti është zbuluar nga një mysliman dhe jo nga Isaac Newton.

Përkundër kritikave, Erdogani u mbetet besnik qëndrimeve të tij. Më 18 nëntor, ai ka këmbëngulur se “shkencëtarë shumë të respektuar në Turqi dhe botë” kanë mbështetur pohimet e tij.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG