Ndërlidhjet

Ligje pro-evropiane për komunitetin serb në Kosovë


Shumica e serbëve të Kosovës jeton në veriun e Kosovës, dhe pjesa tjetër e është e shpërndarë nëpër komuna dhe fshatra në mbarë Kosovën.

Ky komunitet gëzon të gjitha të drejtat e veta, të cilat i takojnë me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi, të cilat burojnë nga pakoja e ndërmjetësit ndërkombëtar, Marti Ahtisaari, mbi propozimin e të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës.

Komuniteti serb në Kosovë flet serbishten, gjuhë kjo e cila krahas shqipes, është njëra nga dy gjuhët zyrtare në Republikën e Kosovës.

Në bazë të Kushtetutës, këtij komunitet i takojnë 10 vende të garantuara në Kuvendin e Kosovës.

Në Kosovë janë dhjetë komuna me shumicë serbe dhe e rezervuar për këtë komunitet është pozita e një nënkryetari të Kuvendit të Kosovës, tri ministri dhe zëvendësministra.

Megjithatë, disa nga përfaqësuesit e këtij komuniteti, që dikur kanë qenë pjesë e institucioneve të Kosovës nuk janë edhe aq të kënaqur.

Ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Petar Miletiq, tha për Radion Evropa e Lirë, se në Kosovë komunitetet pakicë, në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës, kanë të drejtat e tyre si asnjë komunitet në Evropë, por për të problem është mos-zbatimi i këtyre ligjeve.

“Për shembull, ne kemi ligje shumë të mira, pro-evropiane, moderne mbi gjuhët, por në çdo hap në Kosovë mund të shihni se ligji nuk respektohet, dhe ka shumë shembuj të tillë. Ne kemi ligje që mbrojnë pozitën dhe statusin e Kishës Ortodokse Serbe, ka ligj për fshatin Hoçë e Madhe, për qendrën historike të Prizrenit, i cili është miratuar dy vjet më parë, por nuk zbatohen në terren”, deklaroi Miletiq.

Ai thotë se vetëm në momentin kur njerëzit fillojnë të respektojnë ligjet dhe ato ligje të kontribuojnë në cilësinë e jetës së tyre, atëherë mund të flitet për integrim.

Eksperti i çështjeve juridike - kushtetuese, Mazllum Baraliu, profesor në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se Kosova është një nga shtetet e rralla që respekton maksimalisht të drejtat e komuniteteve.

“Jo vetëm [ që kanë të drejta ] e janë të mjaftueshme, por janë sipas standardeve me të larta ndërkombëtare. Nuk ka rast tipik të ngjashëm në botë ku janë të rregulluar pozita, të drejtat, liritë edhe ekonomike edhe sociale dhe politike, të një komuniteti pakicë në aq nivel të lartë sa janë në Kosovë. Pra, është një shembull brilant i zgjidhjes se çështjes dhe lirive të drejtave të njeriut”, tha Baraliu.

Ai gjithashtu nënvizoi se krahas respektimit të të drejtave të komuniteteve, ai serb në veçanti ka më shumë të drejta se sa komunitet e tjera.

“Madje edhe me Kushtetutë, edhe me ligjet në fuqi, ligjin për vetëqeverisje lokale, procesi dhe pozita e komunave me shumicë serbe është dukshëm më favorizuese dhe më e mirë se sa pozita e komunave tjera që janë shumicë në Kosovë, me shumicë shqiptare”, tha Baraliu.

Sipas nenit 58 të Kushtetutës thuhet se Republika e Kosovës siguron kushtet e duhura, të cilat ua mundësojnë komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre që të ruajnë, të mbrojnë dhe të zhvillojnë identitetin e tyre.

Kurse në nenin 61 ku flitet për përfaqësimin në punësim einstitucionet publike, thuhet se komunitetet dhe pjesëtarët e tyre do të kenë të drejtë për përfaqësim të barabartë në punësim në organet publike dhe ndërmarrjet publike në të gjitha nivelet, përfshirë këtu veçanërisht në shërbimin policor në zonat e banuara me komunitetin përkatës, duke respektuar në të njëjtën kohë rregullat që kanë të bëjnë me kompetencën dhe integritetin e qeverisjes së administratës publike.

Numri i qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë nuk dihet saktësisht, duke qenë se në veri të Kosovës, nuk është bërë regjistrimi i popullsisë, i realizuar në vitin 2011.

Numri i përgjithshëm i banorëve që jetojnë brenda Kosovës është 1.733.872, duke përjashtuar komunën e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanin dhe pjesën veriore të Mitrovicës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG