Ndërlidhjet

Blloku: S'ka lëkundje


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili është i nominuar si kandidat për kryeministër, ka deklaruar sot se nuk ka lëkundje të koalicionit pas zgjedhor. Ai ka theksuar se konsultimet të cilat janë duke i bërë partitë politike me strukturat e tyre, janë normale dhe nuk mund të flitet për diçka tjetër.

Haradinaj ka sqaruar se janë në kontakte të rregullta me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, me drejtuesit e partisë Nisma për Kosovën dhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Bëhet fjalë për një proces të zakonshëm të konsultave tona. Ju e keni parë edhe unë kam pasur disa konsulta me rininë, me këshillin drejtues, me struktura, të gjithë po konsultohemi për gjendjen se jemi të shqetësuar për situatën dhe kjo nuk nënkupton se ne po presim që të veprojmë në mënyrë që e çrregullon unitetin tonë. Ne po veprojmë në mënyrë që ta rrisim presionin, që të thirret seanca”, tha Haradinaj, pasi ka bërë homazhe pranë shtatores se heroit, Zahir Pajaziti në Prishtinë, me rastin e ditëlindjes së Pajazitit.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka paralajmëruar nisjen e konsultimeve përbrenda partisë së tij dhe koalicionit pas zgjedhor, në lidhje me tejkalimin e krizës politike rreth formimit të institucioneve të reja.

Haradinaj, po ashtu, e ka kritikuar Partinë Demokratike të Kosovës dhe liderin e saj Hashim Thaçi, duke theksuar se ai po mundohet ta përçaj koalicionin pas zgjedhor.

“Kuptohet është një interes i madh i palës kundërshtare, në ketë rast oponentit tonë PDK, për ta shpikur ndonjë përçarje, ndonjë nxitje. Më mirë do të ishte që ata të kujdesen për ta thirrur seancën. Nuk e kanë thirrur seancën, e kanë obligim ligjor, po ashtu, mund ta ushtrojnë të drejtën për nominim”, është shprehur Haradinaj.

Ndryshe në një postim në profilin e tij në rrjetin social Facebook, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka shkruar se në ditët e ardhshme do të ketë reflektimim politik që vendi të bëhet me qeverinë që e meriton.

Ai ka thënë po ashtu se zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk mund të bëhet pafundësisht pengesë e formimit të Qeverisë.

“Të bllokuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me abuzimin e pronarëve të këtij vendimi, si dhe në mungesë të vullnetit të institucioneve të vendit për të krijuar hapësirë për shumicën parlamentare, e konsideroj prioritare që vendit t’i ofrohet zgjidhja për themelimin e Qeverisë”.

“Qeveria LDK, AAK, Nisma në marrëveshje me VV dhe me përfshirje të pakicave, do të jetë qeveri e qëndrueshme dhe efikase në synimet e saj për zhvillim ekonomik dhe demokratik të vendit dhe të partneritetit ndërkombëtar. Ky koalicion ka punuar pareshtur gjatë këtyre pesë muajve për të ofruar një program të ndryshimeve pozitive, ka krijuar një homogjenitet dhe kohezion në qasje dhe besim reciprok për shumicën e çështjeve vitale për Kosovën”, ka shkruar mes tjerash Mustafa të shtunën në profilin e tij në Faceboook.

Ndryshe Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha sot para gazetarëve se blloku ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për seancën e re dhe se siç tha ai, në javën e ardhshme do të bëhet dorëzimi i kërkesës.

Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, po vonon që nga 17 korriku, kur ishte thirrur seanca konstituive e cila nuk ka përfunduar ende. Pa konstituimin e Kuvendit, nuk mund të filloj faza e formimit të qeverisë së re.

Këto vonesa, po e çojnë Kosovën drejt krizës jo vetëm politike, por edhe financiare e buxhetore, ka paralajmëruar presidentja Atifete Jahjaga.

Ajo kishte paralajmëruar partitë politike se mund të përballen me zgjedhje të reja nëse kriza vazhdon.

Zëdhënësi i presidentes, Arbër Vllahiu kishte deklaruar se zgjedhjet do të vijnë në shprehje, nëse liderët e partive politike nuk arrijnë zgjidhje për formimin e institucioneve.

XS
SM
MD
LG