Koalicioni i partive, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Vetëvendosje, sërish ka dalë kundër opsionit të organizimit të zgjedhjeve të reja, si mundësi për dalje nga kriza rreth formimit të institucioneve. Qëndrime kategorike kundër zgjedhjeve përfaqësojnë sidomos LDK-ja dhe AAK-ja.
Pavarësisht mesazheve alarmuese që presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u ka drejtuar lidershipeve partiake se kriza e brendshme politike po luhat edhe partneritetin e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare, dy blloqet më të mëdha politike në vend, megjithatë nuk pranojnë të lëvizin nga pozicionet fillestare.
Pas një takimi që koalicioni paszgjedhor mbajti gjatë ditës së së martë, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i kandiduari i këtij koalicioni për postin e kryeministrit, ka thënë se qasja e kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, po e mban peng konstituimin e institucioneve. Haradinaj e ka kundërshtuar edhe paralajmërimin e presidentes Jahjaga se nëse nuk arrihet një zgjidhje, vendi mund të shkojë edhe në zgjedhje.
Ai ka thënë se Jahjaga mund të vendosë për vete, por jo edhe për deputetët.
"Presidentja mund të vendosë për vete, por jo për zgjedhjet, sepse bëhet fjalë për dy të tretat e deputetëve që nuk kërkojnë zgjedhje. Askush nuk e ka këtë mundësi, që t'i çojë deputetët në zgjedhje. Ata vetë vendosin a të shkojnë apo jo në zgjedhje. Ka shumicë parlamentare, s'ka zgjedhje. Është një bllok i atyre që e përmendin. Kot është kjo", ka thënë Haradinaj.
Zgjidhja që koalicioni LDK - AAK - Nisma dhe Vetëvendosje ka ofruar për formimin e institucioneve, megjithatë nuk po arrin të zbatohet pasi që ka probleme procedurale kushtetuese.
Fillimisht, ky bllok pretendon të marrë nën drejtim postin e kryetarit të Kuvendit. Por, ky post, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese i përket grupit më të madh parlamentar që ka dalë nga zgjedhjet, që në këtë rast nënkupton PDK-në.
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Sahatçija, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se Gjykata Kushtetuese do të duhej të sqaronte tutje vendimin e vet, ngaqë e sheh si të padrejtë që shumicës parlamentare t'i mohohet e drejta e formimit të institucioneve.
"Mundësia e parë është që presidentja vetë të kërkojë një qartësim. E dyta, do të ishte kërkimi i qartësimit nga ana e deponuesit të ankesës, do të thotë nga ana e PDK-së. Por, duke e pasur parasysh që deputetët tashmë janë të betuar dhe fuqiplotë, atëherë edhe një numër i deputetëve do të kenë mundësinë që të bëjnë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për qartësimin e procedurave nga vendimi të cilin e ka sjellë", ka theksuar Sahatçija.
Ngjashëm me liderin e AAK-së, edhe nënkryetarja e LDK-së, Teuta Sahatçija, e ka përjashtuar opsionin e zgjedhjeve të parakohshme si zgjidhje.
Po ashtu, ajo nuk e ka parë të nevojshme që koalicioni pas zgjedhor të ridefinojë marrëveshjen e brendshme duke ia lëshuar postin e kryetarit të Kuvendit PDK-së për t'u përqendruar në formimin e Qeverisë si shumicë parlamentare, në funksion të tejkalimit të krizës.
"Koalicioni paszgjedhor, LDK - AAK - Nisma dhe Vetëvendosje e ka një marrëveshje. Ajo është marrëveshje parimore. Prandaj, nuk mendoj që do të duhej të hyhej në akrobacione tjera, pasi që shumica ekziston dhe ku në parim kërkohet që për të mirën e Kosovës, kësaj here PDK-ja të qëndrojë në opozitë. Nuk janë postet, emrat ato që kanë qenë udhërrëfyeset tona, por në fakt janë parimet", ka deklaruar Sahatçija.
Nisur nga pozicioni i PDK-së e cila si fituese e zgjedhjeve nuk po arrin t'i formojë institucionet e reja, dhe blloku paszgjedhor, i cili nuk po gjen hapësirë kushtetuese për postin e kryetarit të Kuvendit dhe të cilin nuk e lëshon dot, presidentja Atifete Jahjaga së fundit u ka bërë me dije të dyja blloqeve se nëse zgjidhja nuk arrihet, si alternativë e fundit mbeten zgjedhjet e reja.
Për mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja më e balancuar në prononcimet e saj është prezantuar në vazhdimësi Partia Demokratike e Kosovës, e cila asnjëherë nuk e ka përjashtuar këtë opsion.
Kurse, nga blloku paszgjedhor, Lëvizja Vetëvendosje, në disa raste është treguar e gatshme edhe për zgjedhjet nëse ato shihen si opsion real dhe i fundit për tejkalimin e gjendjes së krijuar.