Ndërlidhjet

Faktorët që çojnë Kosovën drejt zgjedhjeve


Fotografi nga arkivi
Fotografi nga arkivi

Mungesa e një zgjidhjeje për dalje nga kriza e formimit të institucioneve, mund ta çojë Kosovën përfundimisht kah alternativa e fundit, që nënkupton thirrjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ua ka bërë me dije liderëve të partive politike parlamentare se kriza institucionale dhe politike po e cenon edhe partneritetin ndërkombëtar.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Presidentes, Arbër Vllahiu, ka thënë se “presidentja ka shfaqur shqetësimin e thellë, që për shkak të paaftësisë për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme në vend, po lëkundet partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare, në veçanti me partnerët strategjikë".

Këto lëkundje posaçërisht kanë të bëjnë me fushën e sigurisë, ku Kosova ka treguar shembull në ruajtjen jo vetëm të sigurisë së saj kombëtare, por edhe si një partner i fuqishëm në luftën globale kundër terrorizmit.

“Anashkalimi i Kosovës nga agjenda e partnerëve ndërkombëtarë, për shkak të bllokadës për të ndërtuar institucionet, është shqetësues dhe e vë Kosovën në një gjendje të rëndë që pengon fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj”, thuhet në qëndrimin e Presidentes të prezantuar nga zëdhënësi i saj.

Andaj, Vllahiu ka thënë se presidentja Jahjaga pret në ditët në vijim, “që liderët e partive politike parlamentare të reflektojnë mbi gjendjen e krijuar dhe të vijnë me propozime shumë konkrete për daljen nga situata e krijuar”.

Po në këtë vijë, ka reaguar të hënën edhe ambasadori britanik në Prishtinë, Ian Cliff. Gjatë një konference në Prishtinë, të mbajtur nga Grupi për Studime Juridike e Politike ku është folur për Raportin e fundit progresit, ambasadori Cliff ka kërkuar që Kosova të lëviz sa më shpejt drejt formimit të Kuvendit dhe Qeverisë.

"Po vërehet se ka rritje të frustrimit me politikanët në Kosovë që nuk janë në gjendje të zgjidhin një problem mjaft të vogël që ka të bëjë me formimin dhe funksionalizimin e institucioneve. Frustrime me ta ka edhe në Bruksel, në Londër dhe gjithandej", ka thënë ambasadori britanik.

Duke e parë mungesën e një zgjidhjeje politike për krizën institucionale, presidentja Atifete Jahjaga u ka bërë me dije liderëve të partive politike se mungesa e zgjidhjes mund të çojë edhe në zgjedhje të reja.

Analisti politik, Ilir Ibrahimi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se roli i presidentes është që të garantojë funksionimin e institucioneve. Kështu që nëse ngërçi i krijuar nuk mund të tejkalohet, ai parasheh se presidentes Jahjaga, nuk po i mbetet opsion tjetër përveç zgjedhjeve të reja.

"Në qoftë se partitë politike me të vërtetë nuk e gjejnë një lloj kompromisi për të tejkaluar këtë ngërç, atëherë presidentes nuk i mbeten edhe shumë zgjidhje tjera, do të thotë, nëse zgjedhjet e parakohshme janë ajo zgjidhje që do të dërgojë në themelimin e institucioneve të Kosovës, atëherë ajo (presidentja) duhet ta shikojë edhe këtë si një opsion real", ka thënë Ibrahimi.

Dështimi i partive politike që t'i formojnë institucionet e reja, për analistin Ilir Ibrahimi paraqet një lloj fatkeqësie, pasi që zgjedhjet e 8 qershorit ishin vlerësuar të standardeve evropiane. Mirëpo, rezultati që prodhuan këto zgjedhje dhe pozicionimi i partive politike në dy blloqe, sipas tij, më pas pamundësuan edhe formimin e institucioneve.

"Nëse të dy blloqet politike, si PDK-ja me partitë e koalicionit në njërën anë, ashtu edhe partitë e bllokut LDK - AAK - Nisma dhe Vetëvendosje, në anën tjetër, nuk arrijnë të bëjnë një kompromis me njëri-tjetrin, atëherë zgjedhjet mbeten opsioni i vetëm për të dalë nga kjo krizë. Të shohim edhe njëherë vullnetin e qytetarëve dhe të përcaktohet se kush do të dalë fitues dhe se si do të themelohen institucionet", ka theksuar Ilir Ibrahimi.

Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit mbetet pika neuralgjike, për të cilën partitë politike nuk po arrijnë një zgjidhje. PDK-ja si fituese e zgjedhjeve, në dy raste të seancave konstituive të ndërprera ka dëshmuar se nuk e ka shumicën për të marrë nën drejtim këtë post.

Përderisa blloku paszgjedhor LDK - AAK - Nisma dhe Vetëvendosje, ndonëse ka pretendime për të marrë postin e kryetarit të Kuvendit si pjesë të zbatimit të marrëveshjes së tyre të brendshme për koalicion, nuk ka hapësirë kushtetuese që të bëjë kandidaturën e vet në Kuvend.

Konstituimi i Kuvendit është i domosdoshëm për formimin e Qeverisë së re, andaj edhe kriza politike mbetet e pazgjidhur përderisa nuk tejkalohet kjo pikë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG