Ndërlidhjet

Cila është trashëgimia e Karzait?


Afganistani ka njohur vetëm një lider që prej përmbysjes së talibanëve në vitin 2001: Hamid Karzain.

Pas dy mandateve të turbullta në zyrë, Karzai është i gatshëm të jetë i pari që lë presidencën afgane me një transferim paqësor të pushtetit.

Po, cila do të jetë trashëgimia e tij?

Amrullah Saleh ka shërbyer si shef i inteligjencës së Afganistanit nga viti 2004 deri më 2010. Ai thotë se Karzai do të mbahet mend në tri faza. Nga viti 2001 deri më 2004, ai është parë si hero.

Në periudhën 2004-2009, është treguar si politikan mendjemprehtë në kosolidimin e pushtetit të tij. Kjo ka qenë koha kur ai ka luajtur ‘përçaj dhe sundo’. Ka krijuar një hapësirë qendrore për veten e tij, duke përdorur burimet shtetërore, legjitimitetin e tij dhe mbështetjen ndërkombëtare të qeverisë së tij.

Në fund të presidencës, Karzai është shndërruar në një udhëheqës fraksionist brenda Afganistanit, i cili në vend se të punojë drejt një transferimi dinjitoz të pushtetit, ka vendosur që të përqendrohet në interesat e ngushtë etnikë.

Për fat të keq, Karzai lë pas një proces të pistë zgjedhor, i cili sjell në pushtet një president pa asnjë legjitimitet, thotë Saleh.

Aktivisti për të drejtat e njeriut, Nader Naderi, i cili është udhëheqës i Forumit për Zgjedhje të Lira dhe të Drejta në Afganistan, thotë se trashëgimia e Karzait do të jetë e përzier.

Por, mbi të gjitha, ai do të kujtohet për çështjet që lidhen me lirinë e shprehjes, për nivelin e tij të tolerancës si politikan dhe për aftësinë e tij për të sjellë politikanë të përkatësive të ndryshme nën një çadër, thotë Naderi.

“Ai po ashtu ka pasur tolerancë të madhe për ata që kanë qenë të përfshirë në korrupsion dhe aktivitete kriminale, si dhe për ata që kanë treguar shkallë më të lartë të joefikasitetit. Por, duke pasur tolerancë më të lartë për këto lloje njerëzish, ai i ka ndihmuar këta individë që të rriten me pasuri dhe në pushtet dhe të bëhen pengesë për krijimin e një qeverisjeje të mirë dhe për sundimin e ligjit”, thotë Naderi.

Roya Mahboob është sipërmarrëse e teknologjisë dhe njëra nga shefet e pakta ekzekutive në Afganistan. Ajo është 26 vjeçe dhe udhëheq një firmë të softuerëve. Në vitin 2013, revista “Time” e ka listuar në mesin e 100 njerëzve më me ndikim.

“Presidenti Karzai do të kujtohet në mënyrë pozitive. Unë mendoj se ai është babai i demokracisë. Ai është udhëheqësi i parë që jep pushtetin te pasardhësi i tij. Por, natyrisht se ka mundur të bëjë më shumë. Afganistani ka qenë në qendër të vëmendjes për shumë vende gjatë këtyre 12 vjetëve. Por, për fat të keq, nuk e kemi shfrytëzuar këtë mundësi”, thotë Mahboob.

Sipas saj, Karzai ka ulur tensionet etnike midis pashtunëve, taxhikëve, hazarëve dhe uzbekëve, si dhe ka sjellë nivele të demokracisë dhe të fjalës së lirë, të papara më parë në Afganistan.

“Jeta ime ka ndryshuar krejtësisht. Kam mundur të ndjek universitetin dhe të gjej punë të ndryshme. Kam mundur të jem koordinatore e teknologjisë në Ministrinë e Arsimit të Lartë. Kam pasur shansin të shkoj në vende të ndryshme, si Gjermania dhe Holanda, përmes qeverisë dhe kam nisur biznesin tim. Ka pasur shumë mundësi për ne. Dymbëdhjetë vjet më parë, nuk kemi pasur vajza që kanë shkuar në shkollë apo universitet”, thotë Mahboob.

Agha Lalai Dastagiri kryeson këshillin provincial të Kandaharit qysh në vitin 2011. Ai ka pasuar Ahmad Wali Karzain, vëllaun e fuqishëm të presidentit, i cili është vrarë tre vjet më parë.

Për Karzain thotë se do të mbahet mend për përpjekjet e tij për të krijuar unitet kombëtar në Afganistan.

“Kemi pasur përparim dhe liri. Unë kam jetuar në Afganistan gjatë regjimit taliban dhe përpara, gjatë periudhës muxhahedine. Kemi luftuar Bashkimin Sovjetik dhe qeverinë majtiste nën ish-presidentin afgan, Mohammad Najibullah. Gjatë periudhës talibane, ata kurrë nuk kanë sulmuar nderin tonë. Por, nuk e kemi pasur lirinë e fjalës apo të veprimit".

"Njerëzit nuk kanë pasur të ndrejtë të jenë të lirë. Nuk ka pasur mundësi për vende pune, nuk ka pasur ekonomi, nuk ka pasur shërbime themelore. Nën Karzain, kemi pasur qeveri të zgjedhur, liri dhe shans për të përparuar”, thotë Dastagiri.

Megjithatë, ai thekson se shpresat për një të ardhme më të ndritur në Afganistan varen te komuniteti ndërkombëtar.

“Nëse bashkësia ndërkombëtare mban premtimet dhe qëndron me ne, atëherë do të dalim nga vështirësitë. Por, nëse ajo nuk i mban dhe na braktis përsëri, do të jemi në rrugë drejt pasigurisë dhe shkatërrimit që kemi parë në të kaluarën”, thotë Dastagiri.(v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG