Ndërlidhjet

Kosovë: Asgjësohet toka bujqësore


Ilustrim
Ilustrim

Në dekadën e fundit në Kosovë ka filluar shkatërrimi apo asgjësimi i tokave i bujqësore.

Një sipërfaqe e madhe e tokave të punueshme, janë betonuar, duke u shndërruar në zona industriale, ndërtesa kolektive, shtëpi private, objektet hoteliere por edhe pompa të benzinës.

Kështu thonë për Radion Evropa e Lirë, përfaqësues të bujqve dhe ekspertë të kësaj fushe, duke shprehur shqetësimin se ndërrimi i destinimit nga toka bujqësore, në toka për qëllime jobujqësore, në të ardhmen mund të paraqesë problem në sigurimin e ushqimit.

Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri, thotë se deri në 700 hektarë tokë konsiderohet se asgjësohen brenda një viti.

Tahiri madje thotë se toka bujqësore po shkatërrohet nga vetë Komunat e Kosovës, pasi ka raste kur organet komunale japin leje për ndërtim në këto toka, por ka shumë raste që “betonimi” bëhet edhe pa leje ndërtimi.

“Fajin dhe barrën kryesore e kanë institucionet tona, Ministria e Bujqësisë, drejtoritë komunale të bujqësisë, sepse lejojnë të ndërtojnë lloj-lloj objektesh që nuk kanë destinim fare për bujqësi. Madje në disa raste, kjo keqpërdorët pasi për të marrë një leje në ato parcela ku mbrohen më ligj, lejojnë vetë institucionet komunale, pasi japin leje për ndërtim. Kurse në shumicën e rasteve ndërtohen pa kurrfarë lejesh”, thekson Tahiri për Radion Evropa e Lirë.

Kosova ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 10 mijë e 887 kilometra katrorë.

Nga kjo sipërfaqe, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, llogaritet se 53 për qind e tokës në Kosovë është bujqësore, 41 për qind tokë pyjore, një për qind sipërfaqe ujore kurse pesë për qind është sipërfaqe tjetër: si tokë trafiku, urbane dhe tjera.

Edhe profesori në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, Imer Rusinovci, thotë se fondi i tokës bujqësore dita ditës po zvogëlohet për shkak të nevojave të tjera.

Ai ndërkaq konsideron se rajonet më të sulmuara nga ky fenomen janë përgjatë rrugës Prishtinë - Shkup si dhe komuna e Prizrenit, Drenasit dhe Vushtrrisë.

“Janë çoroditëse dhe marramendëse, në veçanti shkatërrimet e tokës bujqësore, të klasës se parë, bonitative, të cilat më ligj janë të sanksionuara dhe janë decidive të qarta se klasa e parë, e dytë dhe tretë nuk guxon të keqpërdoret, tjetërsohet dhe të përdhunohet".

"Dhe e njëjta gjë ka ndodhur madje ku ka pasur prodhimtari intensive. Madje, problemi ka shkuar sidomos në disa rajone siç është Prizreni, Drenasi dhe Vushtrria që kanë qenë në sistem të ujitjes”, thotë Rusinovci në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, toka bujqësore në bazë të bonitetit të saj klasifikohet në tetë klasa:

Klasa e parë deri në të katërtën përcaktohet vetëm si tokë bujqësore, përkatësisht si tokë pyjore; klasa e pestë dhe gjashtë po ashtu si tokë bujqësore, pyjore në përjashtim si tokë për qëllime të tjera; kurse klasa 7 dhe 8 përcaktohet si tokë bujqësore, e cila sipas nevojës shfrytëzohet edhe për qëllime të tjera.

Por, në bazë të dispozitave ligjore, Ministria e Bujqësisë ka vetëm rol monitorues në zbatimin e ligjeve, kurse komunat kanë obligim që ta zbatojnë Ligjin për tokën bujqësore, thotë Idriz Gashi, shef i divizionit për tokë bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Gashi thotë se sipas disa vlerësimeve që ka bërë Ministria e Bujqësisë dhe institucionet relevante evropiane, deri në 500 hektarë tokë bujqësore kalon në tokë ndërtimore, qoftë në mënyrë të kontrolluar apo të pakontrolluar.

“Shtrirja e zonës urbane në toka bujqësore paraqet një problem të veçantë për Kosovën. Komunat e Kosovës të cilat i aprovojnë planet zhvillimore komunale, parashohin edhe zgjerimin e zonës urbane në toka bujqësore në disa raste në toka bujqësore kualitative. Kështu që kemi një partneritet jo të mirë në mes të zonës urbane dhe zonës rurale”, shprehet Gashi.

Kurse, sipas Ligjit për Tokat Bujqësore në Kosovë, ndërrimi i destinimit të tokës bujqësore mund të bëhet vetëm në pajtim me planin e rregullimit hapësinor dhe dispozitat tjera të përcaktuara me Ligj.

Në të kundërtën, çdo shfrytëzim apo ndërrim i destinimit të tokës për qëllime jo bujqësore, sipas këtij ligji, ndëshkohen më gjobë prej 1.000 euro deri në 10.000 euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG