Ndërlidhjet

Sa e ka siguruar Kosova bukën nga korrje-shirjet?


Ilustrim
Ilustrim

Në Kosovë me sukses ka përfunduar fushata e korrje-shirjeve, por zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë dhe ata të Shoqatës së Bujqve, japin shifra kundërthënëse rreth përmbushjes së nevojave me ushqim nga rendimentet e grurit.

Derisa në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, thonë se sivjet Kosova plotëson mbi 80 për qind nevojat për ushqim nga rendimentet e grurit, përfaqësues të bujqve vlerësojnë se kjo shifër nuk arrin as 30 për qind të mbulimit të nevojave me ushqim.

Megjithatë, Jusuf Cikaqi, kryetar i Komisionit për monitorimin e fushatës së korrje-shirjeve për vitin 2014, në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, thotë se 86 mijë hektarë sipërfaqe kanë qenë të mbjella me kulturën e grurit, hapësirë kjo që mbulon nevojat me ushqim për 80 për qind të popullatës. Sipas tij, cilësia e grurit është e kënaqshme, kurse sasia është në suaza të normales.

“Bazuar në të dhënat që kemi pasur, që kanë qenë të mbjellë 86 mijë hektarë me grurë, me një rendimente mesatar që sivjet është 3800 kilogramë për hektarë, del se Kosova ka prodhuar afër 329. 891 tonë grurë, kurse nevojat janë 410 mijë tonë grurë, bazuar me numrin e banorëve që është dy milionë dhe me 205 kilogramë për kokë banori. Dhe, nëse këtë e kthejmë në përqindje, atëherë i bie se Kosova ka prodhuar sasi të grurit që plotëson nevojat për 80 për qind të popullatës”, shpjegon Cikaqi.

Por, të dhëna krejt ndryshe paraqesin përfaqësuesit e bujqve, të cilët madje konsiderojnë se fushata e korrjeve-shirjeve, sivjet ka dhënë rendimentet më të ulëta të prodhimtarisë së grurit.

Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve, thotë se në Kosovë deri në 65 mijë hektarë kanë qenë të mbjellë me grurë, kurse janë plotësuar reth 30 për qind të nevojave të popullatës me grurë.

“Diku prej 60 deri në 65 mijë hektarë sillen sipërfaqet me grurë. Kurse, rendimentet që sivjet gruri ka dhënë, janë rreth 2500 – 2700 kilogramë. Është një nga vitet që ka dhënë rendimentet më të ulëta të prodhimtarisë së grurit. Në bazë të këtyre të dhënave, kemi konstatuar se buka nuk është siguruar më shumë se 25 deri 30 për qind të nevojave të popullatës së Kosovës”, thotë Tahiri.

Ai nuk u beson të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, pasi, siç thotë ai, ka mungesë të kuadrove të zyrtarëve në drejtoritë komunale për bujqësi dhe që nuk dalin në terren.

Ndërkaq, Jusuf Cikaqi, nga Ministria e Bujqësisë, duke iu përgjigjur zotit Tahiri, thekson se ministria ka monitoruar tërë procesin e korrje-shirjeve, kurse të dhënat e tjera i ka marrë nga drejtoritë komunale për bujqësi që janë aktive dhe ka kuadro të mjaftueshme.

Sidoqoftë, e rëndësishme, sipas Cikaqit, është se viteve të fundit është rritur interesimi i fermerëve për kultivimin e grurit, sidomos pas fillimit të shpërndarjes së subvencioneve për bujqit.

“Nëse bazohemi në të dhënat statistikore, shihet se pas përfundimit të luftës janë mbjellë deri 65 mijë hektarë me kulturën e grurit. Kurse, nga viti 2008, kur Ministria e Bujqësisë filloi të bëjë subvencionimin për hektarë të mbjellë, interesimi i fermerëve për të rritur këtë kulturë është rritur dhe nga viti në viti këto sipërfaqe janë shtuar. Do të thotë nga 65 mijë hektarë tashmë mbillen rreth 90 mijë hektarë me drithëra të bardha”, shton Cikaqi.

Megjithatë, në mungesë të sigurimit të bukës, Kosova vazhdimisht importon grurë dhe miell, sidomos nga vendet e rajonit.

Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, vitin e kaluar në Kosovë janë importuar mbi 53 milionë kilogramë grurë, miell mbi 44 milionë kilogramë, kurse në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, janë importuar mbi 20 milionë kilogram grurë, ndërkaq miell mbi 23 milionë kilogramë.

Ndryshe, sipërfaqja e përgjithshme në Kosovë është 10,908 km², kurse 53 për qind e tokës është bujqësore. Ndërkaq, nga 1. 9 milionë banorë, 61 për qind prej tyre jetojnë në zonat rurale.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG