Ndërlidhjet

Kosova importon fuqi punëtore profesionale


Ilsutrim
Ilsutrim

Në mungesë të fuqisë punëtore të profesionalizuar dhe me përvojë pune, bizneset në Kosovë, si dhe investitorë të huaj që kapitalin e tyre e shtrijnë në Kosovë, jo rrallë herë janë të detyruar të kërkojnë punëtorë jashtë vendit, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë përfaqësues të bizneseve.

Struktura e tregut të punës në Kosovë, thonë ata, shumë herë nuk ofron atë çfarë i duhet një biznesi.

Në Kosovë më së shumti thuhet se mungojnë inxhinierë të profileve të ndryshme, profesionistë me përvojë pune në fushën e telekomunikacionit, kibernetikës, energjisë dhe në disa lëmi tjera.

“Baker Tilly” është kompani në Kosovë, e cila ofron shërbime profesionale në auditim, kontabilitet, si dhe këshilluese e bizneseve.

Bashkëpronari i kësaj kompanie, Lekë Musa, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tregon se në Kosovë ka mungesë të profesioneve të ndryshme që janë të domosdoshme për të përkrahur zhvillimin ekonomik dhe kërkesat e kohës, në të cilat gjendet ekonomia e vendit.

“Shumë shpesh kemi raste kur bizneset fillojnë një linjë të re të prodhimit janë të detyruar që të marrin ekspertë nga jashtë që për një periudhë të caktuar të operojnë me këto pajisje të reja që vihen në funksion. Gjatë diskutimeve që kam pasur me biznese të huaja, kryesisht thonë se mungojnë inxhinierë të profileve të ndryshme që kanë përvojë të punës, pasi që nuk mjafton që të ketë vetëm një shkollim, por edhe përvojë pune të caktuar dhe të jetë në gjendje të operojë në një vend të punës me kompetencë të caktuar”, tregon Musa.

Shkalla e lartë e papunësisë në Kosovë, e cila arrin në mbi 30 për qind, sipas përfaqësuesve të biznesit, është edhe si pasojë e mungesës së fuqisë punëtore të profesionalizuar.

Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i punëkërkuesve, të cilët janë të regjistruar në zyrat e punësimit, është rreth 350 mijë, ndërsa të punësuar llogariten të jenë mbi 400 mijë qytetarë.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, tregon për Radion Evropa e Lirë se në bazë të hulumtimeve që ata kanë bërë për tregun e punës, shumë investitorë të huaj që kanë privatizuar asetet të Kosovës, për të zëvendësuar mungesën e profesionistëve, kanë marrë punëtorë jashtë vendit.

“Është e vërtetë se në Kosovë kemi një papunësi tepër të madhe, por kemi edhe një numër të konsiderueshëm të punëkërkuesve joprofesionalë dhe të papërgatitur për tregun e punës dhe në mungesë të këtyre, bizneset e Kosovës shpesh importojnë fuqi punëtore në mënyrë që të plotësojnë kuadrot deficitare. Në Kosovë janë më shumë se 1500 veta të huaj që punojnë këtu, të cilët kanë marrë lejë të punës në mungesë të profesioneve të ndryshme”, tregon Shahini.

Organizatat ekonomike në Kosova kishin kërkuar që numri i madh i qytetarëve, të cilët janë të papunë, të arsimohen apo të trajnohen, pasi që në të kundërtën, krijimi i vendeve të reja të punës për këtë kategori do të mund të bëhet vetëm në nivelin e punëve fizike.

Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Biznesit kërkon nga institucionet arsimore që në përputhje me kërkesat e tregut të punës, të bëhet edhe përzgjedhja e profileve në sistemin e shkollimit të lartë.

“Të gjitha kuadrot që dalin në treg të punës, ato duhet të aftësohen në proceset e teknologjisë së avancuar. Në Kosovë kemi shumë të diplomuar nëpër lëmi të ndryshme, por nuk kanë pasur rast ta bëjnë pjesën praktike. Ne po prodhojmë disa kuadro, për të cilat Kosova nuk ka nevojë, derisa kemi mungesë të atyre kuadrove për të cilat Kosova ka nevojë. Ministria e Arsimit duhet që konform nevojave të tregut të punës, të licencojë universitete”, vlerëson Shahini.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG