Ndërlidhjet

Kapitali njerëzor: Kritika Qeverisë


Punëtorë kosovarë...
Punëtorë kosovarë...
Zhvillimi i kapitalit njerëzor paraqitet një ndër objektivat kryesore të ekzekutivit të vendit në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve për periudhën 2012-2014, përderisa njohës të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare, konsiderojnë se kjo çështje nuk është trajtuar në mënyrën e duhur.

Në këtë dokument thuhet se Kosova ka një popullatë të re, e cila aktualisht ka një shkallë të lartë të papunësisë, ndërsa sipas institucioneve kompetente, rreth 55 për qind e fuqisë punëtore është nën kualifikimin e mesëm të lartë.

Për këtë arsye, thuhet në kornizë, ekzekutivi do t’i kushtojë rëndësi të veçantë zhvillimit të kapitalit njerëzor duke u fokusuar në edukimin formal, aftësimin profesional dhe mësimin e vazhdueshëm.

Por, njohës të çështjeve ekonomike, konsiderojnë se trajtimi i kësaj çështjeje ende mbetet i pamjaftueshëm.

Muhamet Sadiku, njohës i rrethanave ekonomike, shprehet se nga përmirësimi i cilësisë së faktorit njerëzor në përgjithësi, varet edhe cilësia e zhvillimit ekonomik dhe mundësohet që Kosova të transformohet në një drejtim të ekonomisë së tregut. Ai, ndërkaq thotë se vetëm me kapital cilësor Kosova mund të shkurtojë distancën e prapambetjes ekonomike.

Në epiqendër të zhvillimit të kapitalit njerëzor duhet të jetë ngritja e cilësisë së arsimit, pastaj me rëndësi të madhe është ngritja e cilësisë së mbrojtjes shëndetësore dhe e tërë kjo duhet të rezultojë në kualitetin e përmirësuar të jetës së njeriut. Gjithashtu dhe mobilizimin e kapitalit njerëzor në drejtim të nxitjes së zhvillimit ekonomik”, thotë Sadiku.

Shkalla e papunësisë në Kosovë vlerësohet të jetë rreth 45 për qind, ndërsa numri më i madh i të papunëve është i moshës së re.

Për çdo vit në tregun e punës në Kosovë hyjnë deri në 35 mijë të rinj, ndërkaq tregu absorbon nga 4 deri në 6 mijë punëtorë në vit.

Por, Driton Selmanaj, nga Instituti Demokratik i Kosovës, pohon se tërë klasa politike në vend, të rinjtë i shohin të rëndësishëm vetëm gjatë fushatave elektorale, ose duke i shfrytëzuar në aspektin organizativ të fushatave.

Ndërkaq, sa i përket aspekteve tjera, ekzekutivi i vendit, thotë Selmanaj, jo se përkrah apo krijon politika për aftësimin e tyre, por injoron këtë kategori të shoqërisë.

“Pas ardhjes në pushtet, vlerësojmë se kjo pjesë injorohet ose nuk kemi strategji konkrete me plan veprimi që më pas do të derivonte edhe rezultate konkrete. Do të thotë, unë e shoh këtë pjesë të shoqërisë të lënë anash në tërësi, si një neglizhencë nga ana e institucioneve tona për t’i përfshirë në të gjitha proceset - qoftë në procesin e punësimit apo edhe në proceset politike, ose edhe brenda strukturave vetë partiake të klasës politike në Kosovë”, shprehet Selmanaj.

Politikat qeveritare duhet të orientohen që kapitali njerëzor që posedon Kosova, thotë Muhamet Sadiku, të jetë i zhvilluar dhe i aftësuar për tregun kosovar, rajonal dhe evropian të punës.

Muhamet Sadiku
Muhamet Sadiku
“Tregu i punës, në periudhën e ardhshme, do të ketë karakteristika të reja, varësisht se në çfarë drejtimi do të shkojë zhvillimi ekonomik i Kosovës. Prandaj, investimet jo vetëm në këto grupmosha të reja, por Kosova ka nevojë që të bëhen investime edhe në grup moshat e tjera, sepse nga përmirësimi i cilësisë së faktorit human, në përgjithësi, varet edhe cilësia e zhvillimit ekonomik”, vlerëson Sadiku.

Në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, thuhet se në Kosovë ekzistojnë profesione të caktuara deficitare dhe ekziston nevojë për ngritjen e shkathtësive të personave, të cilët kanë mbaruar edukimin formal, me qëllim që të angazhohen në tregun e punës dhe t’i kontribuojnë zhvillimit të vendit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG