Ndërlidhjet

Është një fjalë që përshkruan zhvillimet në Ukrainë… Por, cila është?


Separatistët pro-rusë në Donjeck
Separatistët pro-rusë në Donjeck

Oleksandr Chernov, mjek dhe gazetar nga lindja e Ukrainës, ka kaluar dhjetë ditë si rob i separatistëve pro-rusë në Slloviansk.

Gjatë asaj kohe, atij i janë lidhur sytë, është rrahur brutalisht dhe është marrë në pyetje nga lideri separatist, Igor Strelkov. Po ashtu ka dëgjuar për shembuj të panumërt të dhunës.

“Disa shtëpi të njerëzve janë bombarduar, ashtu si edhe shkolla të fëmijëve. Shumë gra janë plagosur rëndë. Kjo është luftë”, thotë ai.

Por, a është?

Derisa luftimet në frontin lindor të Ukrainës janë përshkallëzuar me një përzierje të mjegullt të mercenarëve pro-rusë, ushtarëve ukrainas dhe vullnetarëve të ndryshëm, zyrtarët janë në siklet gjuhësor për të definuar saktësisht atë që po ndodh në Ukrainë.

Agjencitë e lajmeve kanë shkaktuar stuhi më 28 gusht, kur kanë cituar presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, duke thënë se trupat ruse kanë “pushtuar Ukrainën”.

Disa agjenci më vonë kanë ndryshuar përkthimin nga “pushtim” në “ndërhyrje”. Por, xhindi ishte tashmë jashtë shishes.

Ambasadori i Ukrainës në OSBE e ka cilësuar publikisht konfliktin si pushtim. Kështu ka bërë edhe kryeministri i Australisë dhe ministrat e Jashtëm të Letonisë dhe Lituanisë.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Pavlo Klimkin, ka shkruar po ashtu në Twitter se ajo çfarë po ndodh, është pushtim.

Zyrtarët e tjerë, megjithatë, kanë qenë më të kujdesshëm në retorikën e tyre. Kryeministri britanik, David Cameron, e ka cilësuar situatën aktuale në Ukrainë si “inkursion të shkallës së gjerë”.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Ukrainë ka thënë se Rusia është duke “ndërhyrë direkt”. Një zëdhënës i kancelares gjermane, Angela Merkel, ka përdorur termin “intervenim ushtarak”. Dhe, presidenti i SHBA-së, Barack Obama, duke folur më 28 gusht, ka thënë se bëhet fjalë për “inkursion të vazhdueshëm”.

David Kaufman, i cili kryeson Qendrën për Studime të Konflikteve Moderne në Universitetin e Edinburgut, e shpjegon në këtë mënyrë:

“Qëllimi është të bëhet dallimi se kur është pushtim ose kur inkursion. Pushtimi do të sugjeronte se trupat do të qëndronin në vazhdimësi, ndërsa inkursioni është më i limituar dhe sugjeron se këta trupa ndodhen atje përkohësisht dhe ajo që po bëjnë nuk do të thotë domosdoshmërisht se do të jetë e përhershme”.

Moska, e cila për kohë të gjatë ka bërë përpjekje të mos lërë gjurmë të përfshirjes në Ukrainë, ka kundërshtuar nocionin e pushtimit, pavarësisht se NATO-ja ka thënë se së paku 1,000 trupa ruse ndodhen brenda territorit të Ukrainës.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë më 29 gusht se “nuk ka prova” të pushtimit. Aleksandr Zakharchenko, udhëheqës i separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës, ka thënë se trupat ruse u kanë ndihmuar vullnetarisht shërbimeve të tyre “në vend se të bëjnë pushime në plazh”.

Paqartësia gjuhësore ka përcjellë konfliktin në Ukrainë që nga fillimi, kur Rusia ka përdorur termat “burra pak të gjelbër” dhe “njerëz të sjellshëm” për të mos pranuar se forcat, pa uniforma dalluese, që kanë hyrë dhe kanë aneksuar Krimenë, kanë qenë në fakt ushtarë rusë.

Që atëherë, Moska ka bërë përpjekje të krijojë distancë edhe më të madhe verbale midis vetes dhe konfliktit në Ukrainë, duke iu referuar separatistëve të lindur rusë si “rebelë ukrainas” dhe “luftëtarë pro-rusë” dhe duke këmbëngulur se dhuna është “luftë civile” midis “fashistëve” ukrainas dhe civilëve rusishtfolës.

Putini, më 28 gusht, ka shkuar aq larg sa ka përdorur termin “Novorossia”, ose Rusia e Re – një emërtim i epokës cariste për rripin e gjerë të tokës që kalon nga jugu i Ukrainës në rajonin separatist të Moldavisë, Transdniester, i cili gëzon mbështetjen ruse.

Ekspertët ushtarakë thonë se terminologjia e tillë i lejon Putinit që të ruajë iluzionin se Rusia nuk është e përfshirë formalisht në Ukrainë, ku afro 2,600 njerëz janë vrarë, si rezultat i konfliktit.

Por, loja me fjalë ndikon edhe te palët e tjera, duke bërë që zyrtarët ukrainas dhe ata ndërkombëtarë të hezitojnë ta akuzojnë Rusinë për udhëheqje të luftës.

Një hap i tillë do të zgjeronte dramatikisht parametrat e veprimit ushtarak, duke hapur rrugën për vendosjen e më shumë trupave dhe për sulme ajrore ndërkufitare. Ky është një skenar i padashur si për Ukrainën ashtu edhe për Perëndimin, i cili është i etur për të shmangur angazhimin ushtarak në Rusi.(v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG