Ndërlidhjet

Arrestohen 40 pjesëtarë të dyshuar të ISIS dhe Al-Nusra


Ilustrim
Ilustrim

Policia e Kosovës ka arrestuar 40 persona që dyshohet se kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak, pas bastisjeve të kryera në 60 lokacione. Këta persona, sipas Policisë dhe Prokurorisë së Shtetit, dyshohet se ishin vënë përkrah organizatave të shpallura terroriste si ISIS dhe Al Nusra.

Personat e arrestuar, sipas Policisë, dyshohet se kanë kryer veprën penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme sipas Kodit Penal.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka deklaruar se arrestimet janë kryer në orët e hershme të mëngjesit, pas bastisjeve të realizuara në 60 lokacione të ndryshme të Kosovës në Prishtinë, Gjilani, Ferizaj, Prizren, Pejë dhe Mitrovicë.

Kelani ka thënë, po ashtu, se bashkë me arrestimet janë gjetur edhe prova të ndryshme materiale që do të përdoren ndaj të dyshuarve.

"Janë realizuar 60 bastisje, në 60 lokacione, që kanë rezultuar me arrestimin e 40 personave të dyshuar dhe njëherësh janë konfiskuar prova të konsiderueshme të provave materiale, përfshirë armë të gjata si AK- 47, M-48, pushkë gjuetie, armë të shkurta dhe pajisje tjera si elektronike, eksploziv, dokumente, pasaporta e tjera", ka bërë të ditur Kelani.

Ndërkohë, prokurori i rastit, Blerim Isufi, ka thënë se fakti që këta persona u kanë takuar organizatave si ISIS apo Al Nusra, të cilat janë shpallur terroriste, u kanë dhënë bazë organeve të ndjekjes penale që të arrestohen. Përveç pjesëmarrjes në luftë në Siri e Irak, këta të dyshuar u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shkojnë në këto luftëra, ka thënë prokurori Isufi.

"Sa i përket pjesëmarrjes në luftë, pothuajse të gjithë këta të arrestuar, përveç 2-3 vetave për të cilët nuk kemi informata të sakta, të tjerët kanë qenë të gjithë pjesëmarrës. Përveç kësaj, këta, veprimtarinë e vet e kanë ushtruar edhe përmes mjeteve tjera elektronike duke bërë thirrje për shkuarje në një luftë që vërtet është e pakuptimtë dhe që bie ndesh me dispozitat e Kodit Penal", ka thënë Isufi.

Rasti i së hënës i arrestimit të këtyre 40 personave, nuk është i vetmi i këtij lloji.

Selvie Morina, ushtruese e detyrës së kreut të Prokurorisë Speciale të Kosovës ka thënë se nën hetime janë edhe persona të tjerë, përfshirë edhe imamë.

"Ky nuk është rasti i vetëm që po hetohet. Kemi edhe raste tjera në Prokurorinë Speciale që janë duke u hetuar, ku ka edhe imamë, nxitës dhe rekrutues. Janë raste të ndara, ka njerëz në paraburgim dhe ky rast është një vazhdimësi e asaj që është hetuar për një kohë të gjatë. Kështu që ka njerëz të profileve të ndryshme që janë nën hetime", ka thënë prokurorja Morina.

Duke pasur parasysh rrezikun që paraqet për sigurinë dhe rendin kushtetues, pjesëmarrja në organizata të shpallura terroriste dhe veprime të ngjashme do të ndiqet penalisht, është zotuar ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha.

"Prokuroria e Shtetit do të jetë në gatishmëri të zbatim të Kushtetutës dhe ligjit për ta siguruar rendin kushtetues dhe sigurinë e qytetarëve të saj, pa marrë parasysh llojin apo karakterin e veprave penale", ka deklaruar Hoxha.

Operacioni policor i së hënës është mbështetur nga krerët e shtetit, presidentja Atifete Jahjaga, Qeveria në largim, si dhe pjesa më e madhe e spektrit politik. Po ashtu,ky operacion është mbështetur edhe nga kori diplomatik i shteteve të Quinti-it.

Në një komunikatë nga zyra e presidentes, thuhet se zonja Jahjaga e ka “mirëpritur dhe vlerësuar lart aksionin e ndërmarrë të hënën nga mekanizmat e sigurisë dhe të drejtësisë... ndaj të dyshuarve për terrorizëm, për pjesëmarrje në luftën në Siri dhe Irak”.

“Presidentja Jahjaga vlerësoi se qëllimi i operacionit - përmes të cilit u bë ndalimi i një numri të madh të dyshuarve dhe u bastisën shumë lokacione në nivel vendi, duke penguar veprimtari ilegale që ka për qëllim inkuadrimin e qytetarëve të Kosovës në kauza terroriste - është që të sigurohet një Kosovë e lirë, e sigurt, e qetë dhe tolerante, e zhveshur nga terrorizmi dhe kriminaliteti, dukuri këto që po nënçmojnë traditën tonë të gjatë të tolerancës fetare dhe janë në kundërshtim të plotë të vlerave dhe idealeve mbi të cilat ndërtuam shtetin tonë”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Presidentja Jahjaga e ka përsëritur deklaratën e bërë të para disa ditëve se Kosova “nuk do të jetë strehë e ekstremizmit dhe ritheksoi qëndrimin se institucionet e Kosovës asnjëherë nuk do të lejojnë që vendi ynë të shndërrohet në burim të aktiviteteve kriminale e terroriste që kërcënojnë paqen, stabilitetin dhe rendin kushtetues”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG