Ndërlidhjet

Jahjaga: Kosova nuk do të bëhet asnjëherë strehë e grupeve radikale


Atifete Jahjaga, foto nga arkivi
Atifete Jahjaga, foto nga arkivi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka ngritur sërish çështjen e parandalimit të veprimeve radikale ekstremiste në një takim që ka zhvilluar me kryeministrin në largim, Hashim Thaçin dhe udhëheqësit e institucioneve të sigurisë në Kosovë.

Në një njoftim për mediat, zonja Jahjaga citohet të ketë theksuar “domosdoshmërinë e bashkërendimit të veprimeve ndërmjet të gjitha institucioneve të vendit, posaçërisht atyre që kanë përgjegjësinë për sigurinë kombëtare, me qëllim të luftimit të dukurive që po kërcënojnë stabilitetin dhe sigurinë e vendit, të rajonit dhe më gjerë”.

Në takim, udhëheqësit e institucioneve thuhet të kenë kërkuar nga mekanizmat përgjegjëse për sigurinë “që të veprojnë mbi bazën e ligjeve në Kosovë për të pamundësuar aktivitetet, organizimin dhe çfarëdo veprimtarie radikale e ekstremiste që kërcënojnë jetën e qytetarëve jo vetëm të Kosovës dhe që synojnë shndërrimin e vendit në burim të ekstremizmit”.

Presidentja Jahjaga ritheksoi qëndrimin se “Kosova asnjëherë nuk do të bëhet strehë dhe nuk do të shërbejë si një burim për grupet radikale e ekstremiste”.

Ky është takimi i dytë me radhë që presidentja e vendit ka mbajtur në dy ditët e fundit, e që për temë diskutimi kishin ekstremizmin fetar.

Më 30 korrik, edhe komandanti i lartë i NATO-s, Philip Breedlove, gjatë qëndrimit në Kosovë, ka thënë se "radikalizmi është shqetësim për të gjitha vendet e NATO-s të cilat po punojnë së bashku për t’u përballur me këtë dukuri".

“Mendojmë se ky problem do të përkeqësohet para se të bëhet mirë”, ka thënë ai.

Ndryshe, këto takime në Prishtinë ndërmjet udhëheqësve më të lartë të shtetit, pasojnë njoftimet në mediat vendore për një shqiptar nga Kosova, për të cilin thuhet se ka publikuar pamje në rrjetet sociale duke ekzekutuar me heqje koke, një person në Irak.

Mediat në Kosovë njoftojnë se autori i kësaj vepre është Lavdrim Muhaxheri nga komuna e Kaçanikut dhe se është i përfshirë në radhët e formacioneve ekstremiste të Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit [ISIL apo ISIS?].

Numri i saktë i shqiptarëve të Kosovës të përfshirë në luftimet në Irak dhe në Siri nuk dihet, ndonëse autoritetet thonë se kanë informacione për dhjetëra syresh.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim më 14 mars të këtij viti projek-ligjin me të cilin ua ndalon qytetarëve të Kosovës të marrin pjesë në konfliktet e armatosura jashtë territorit të vendit, projekt-ligj ky i cili nuk arriti të hyjë në fuqi, për shkak të shpërndarjes së Kuvendit në muajin maj. (a.v.)

XS
SM
MD
LG