Ndërlidhjet

SHBA: Sulme të reja kundër militantëve në Irak


Ndihmat me ujë dhe ushqime për të zhvendosurit në Irak.
Ndihmat me ujë dhe ushqime për të zhvendosurit në Irak.

Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka thënë se ka ndërmarrë edhe katër sulme të reja ajrore kundër militantëve islamikë në pjesën veriore të Irakut.

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara ka njoftuar se aeroplanët luftarakë dhe ata pa ekuipazh, gjatë së shtunës, i kanë shkatërruar nëntë makina të blinduara dhe një kamion, që kishin hapur zjarr kundër pjesëtarëve të grupit religjioz minoritar, Jazidi, afër qytetit Sinjar.

Ky ishte raundi i tretë i sulmeve ajrore kundër forcave të Shtetit Islamik në Irak, prej 7 gushtit, kur presidenti amerikan, Barack Obama, i ka autorizuar sulmet ajrore në Irak.

Në shënjestër të sulmeve ajrore paraprake ishin militantët e Shtetit Islamik (ISIL), që i kërcënoheshin qytetit kurd në Irak, Irbil.

Lidhur me këto sulme është shprehur të shtunën edhe presidenti Obama.

“Forcat amerikane kanë kryer sulme ajrore të shënjestruara kundër forcave terroriste jashtë qytetit Irbil, për t’i parandaluar ato nga avancimi në qytet, dhe për t’i mbrojtur diplomatët amerikanë dhe personelin ushtarak amerikan. Derisa tash këto sulme me sukses i kanë shkatërruar armatimet dhe pajisjet e terroristëve, të cilat terroristët e ISIL-it kanë mundur t’i përdorin kundër qytetit Irbil”, ka deklaruar Obama.

Pentagoni më vonë ka thënë se aeroplanët ushtarakë amerikanë, për të tretën herë me radhë, kanë hedhur ushqim dhe ujë nga ajri për mijëra civilë, që janë larguar në male, pasi militantët e Shtetit Islamik e kishin marrë kontrollin ndaj qytetit Sinjar, para një jave.

Nga aeroplanët janë hedhur 72 pako të furnizimeve, përfshirë afro 14,400 litra ujë të pijshëm dhe më shumë se 16 mijë shujta.

Presidenti Obama ka thënë se ndihmat humanitare do të vazhdojnë.

“Përpjekjet tona humanitare vazhdojnë t’i ndihmojnë meshkujt, gratë dhe fëmijët e bllokuar në malin Sinjar. Forcat amerikane deri tash me sukses i kanë kryer hedhjet nga ajri, me furnizime me mijëra shujta dhe ujë për këta burra, gra dhe fëmijë të pashpresë”, është shprehur Barack Obama.

Njëkohësisht, Britania, po ashtu, ka filluar hedhjen e ushqimit dhe ujit për refugjatët.

Ministria e Zhvillimit e Britanisë ka bërë të ditur se dy aeroplanë britanikë janë vendosur në rajonin Sinjar për të dërguar ndihmë humanitare.

Franca, gjithashtu, ka shpallur se do të dërgojë ndihmë humanitare për të zhvendosurit në Irak.

Ndërkaq, presidenti Obama ka theksuar se sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara kundër pozicioneve të Shtetit Islamik do të vazhdojnë.

“Ne do të vazhdojmë të japim ndihmë ushtarake dhe këshilluese për Qeverinë e Irakut dhe forcat kurde, derisa ato luftojnë kundër këtyre terroristëve, në mënyrë që terroristët të mos mund të krijojnë një strehim të vazhdueshëm e të sigurt”, ka deklaruar Obama.

Ai është angazhuar edhe për formimin e Qeverisë së Irakut:

“Orari më i rëndësishëm, në të cilin tash jam i fokusuar është që të formohet dhe finalizohet Qeveria e Irakut, pasi në mungesë të një qeverie të Irakut, është shumë vështirë të ketë përpjekje unike nga irakianët kundër ISIL-it. Ne mund të ndërmarrim sulme ajrore, por përfundimisht nuk mund të ketë një zgjidhje ushtarake amerikane për këtë problem”.

Presidenti amerikan ka theksuar se nuk dihet se sa do të zgjasin sulmet ajrore amerikane në Irak.

“Nuk mendoj se këtë problem ne do ta zgjidhim brenda javëve. Kjo do të marrë kohë. Forcat e sigurisë së Irakut, me qëllim që ta ndërmarrin një ofensivë dhe për të qenë të afta të veprojnë në mënyrë efektive, me mbështetjen e popullatës në hapësirat sunite, duhet të riorganizohen, të rifurnizohen, të kenë strategji të qartë. E gjithë kjo do të varet nga një qeveri, tek e cila do të ketë besim populli i Irakut dhe ushtria irakiane”, ka bërë të ditur Barack Obama.

Zëdhënësi i UNICEF-it, në Irak, Karim Elkorany, ka njoftuar se së paku 56 fëmijë të minoritetit jazidi, kanë vdekur nga dehidrimi në malet rreth Sinjarit.

Zyrtarët britanikë kanë vlerësuar se afro 150 mijë njerëz mund të jenë të bllokuar në male.

Juan Mohammed, zëdhënës i qeverisë lokale në qytetin Qamishli në Siri, i ka thënë agjencisë AP se më se 20 mijë pjesëtarë të minoritetit jazidi, të uritur dhe të sëmurë, kanë kaluar matanë kufirit, me ndihmën e forcave kurde. (f. bujupi)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG