Ndërlidhjet

Qeveria teknike, opsion rezervë


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Tejkalimi i krizës institucionale e politike përmes krijimit të qeverisë teknike në Kosovë, ka pak gjasa të ndodhë, thonë analistët politikë në Prishtinë.

Çështja e një qeverie teknike është përmendur këto ditë si një nga idetë e shumta, për të evituar ngërçin politik, pas ndarjes së spektrit politik në dy blloqe.

Analisti politik, Imer Mushkolaj, sheh pak mundësi që Kosova të ketë një qeveri teknike.

“Në qeveritë teknike përfshihen zakonisht personalitetet, të cilat nuk është se kanë ndonjë bazë votuese, mirëpo (qeveritë teknike) krijohen në situata të atilla kur vendet janë në kriza të thella politike”.

“Unë konsideroj se Kosova nuk është në një krizë politike. Ne mund të paragjykojmë se është mirë të krijohet një qeveri teknike, por duhet të presim se çka do të ndodhë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës dhe më pas kur do të propozohet zgjedhja e qeverisë”, vlerëson Mushkolaj.

Edhe analisti tjetër politik, Shpend Kursani, thotë se qeveri teknike mund të ketë vetëm nëse Kosova vazhdon të jetë në një vakum institucional dhe se, sipas tij, mundësitë për diçka të tillë janë të pakta.

“Kjo për shkakun se një qeveri teknike është e padëshirueshme në kontekstin ku ndodhet Kosova, sepse pala ndërkombëtare, e cila po duket të ketë ndikim në atë çka do të ndodhë në të ardhmen, nuk është e interesuar të ketë një qeveri teknike, që domosdo do të jetë e dobët”.

“Një qeveri teknike e dobët nuk mund të futet as në dialog me Serbinë, e ky dialog me Serbinë është prioriteti kryesor i komunitetit ndërkombëtar. Është prioritet edhe mbi demokracinë, mbi luftimin e varfërisë e kështu me radhë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Kursani.

Veç tjerash, Kursani konsideron se një qeveri teknike, nuk do të mund ta luftonte krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Sipas Kursanit, ajo qeveri do të jetë e paaftë edhe për ta çliruar gjyqësorin nga ndikimet që i ka pasur deri tash.

Analisti Mushkolaj thotë për Radion Evropa e Lirë se në rast të formimit të një qeverie teknike, ajo nuk do të ketë jetëgjatësi.

Unë besoj se do të ketë përputhje edhe me përfundimin e mandatin të presidentit/presidentes së tanishme në mënyrë që eventualisht pas një viti e gjysmë, respektivisht dy të shkojmë në zgjedhje të përgjithshme dhe parlamentare dhe presidenciale”, thekson Mushkolaj.

Përcaktimi i grupeve parlamentare në përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës pritet të jetë çështja kryesore në këtë fazë të konstituimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit.

Presidentja Atifete Jahjaga, ka caktuar datën 17 korrik për mbajtjen e seancës konstitutive të përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës. Duke u thirrur në rezultatin e zgjedhjeve, Partia Demokratike e Kosovës insiston se asaj i takon vendi i grupit më të madh dhe rrjedhimisht edhe e drejta e kandidimit të kryetarit të Kuvendit.

Kurse, duke u thirrur në marrëveshjen pas zgjedhjeve të njëjtin pretendim e kanë edhe blloku i partive Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, të cilat janë bashkuar në një grup të vetëm parlamentar, në mënyrë që të përbëjnë shumicën në Kuvend.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG