Shteti Islamik i Irakut dhe Levanti, i njohur si ISIL, ka shpallur zyrtarisht krijimin e një “kalifati” të ri, ose të një shteti islamik, në territoret që ka pushtuar në Irak dhe Siri.
ISIL po ashtu ka hequr nga emri i tij Irakun dhe Levantin, duke iu referuar vetes vetëm si “Shteti Islamik”. Ai ka shpallur “kalif” liderin e tij, Abu Bakr al-Baghdadi, dhe i ka bërë thirrje gjithë popullsisë myslimane të botës që të shprehë besnikëri ndaj tij.
Islamistët kanë ëndërruar për kohë të gjatë rikrijimin e kalifatit që ka sunduar mbi Lindjen e Mesme, pjesën më të madhe të Afrikës Veriore dhe më gjerë, në forma të ndryshme gjatë rrjedhës së historisë 1,400-vjeçare të Islamit.
Por, çfarë është kalifati? Në gjuhën arabe, ai do të thotë “qeveri nën një kalif”. Kalifat ka qenë shteti islamik i themeluar pas vdekjes së Profetit Muhammad, themeluesit të Islamit, në shekullin e shtatë.
Fjala kalif vjen nga arabishtja që do të thotë “pasardhës” i Muhammadit. Kalif ka qenë udhëheqësi më i lartë fetar dhe politik i shtetit islamik. Ai është konsideruar udhëheqës shpirtëror i të gjithë popullsisë myslimane në botë. Shpesh është cilësuar si Amir al-Mu’minin, ose “komandant i besimtarëve”.
Kalifati Rashidun (632-661) ka qenë i pari dhe është themeluar pas vdekjes së Muhammadit. “Rashidun”, sipas Islamit sunit, u referohet katër kalifëve të parë të kalifatit Rashidun - Abubakr, Umar, Uthman dhe Ali. Rashidun në arabisht do të thotë “i udhëhequr me drejtësi”.
Pas katër kalifëve të parë, kalifati është marrë nga dinasti të ndryshme, të tilla si Ummayads (661-750) dhe Abbasids (750-1258). Kalifati është dobësuar pas pushtimit mongol, deri kur otomanët e kanë marrë atë (1453-1924). Ai është shfuqizuar nga Mustafa Kemal Ataturku, presidenti i parë i Turqisë, më 1924.
Ka pasur disa përpjekje për ta ringjallur, por ato kanë dështur për shkak të grindjeve të brendshme politike midis liderëve myslimanë.
Carool Kersten, ligjërues për Islamin në Kolegjin Mbretëror të Londrës, thotë se kalifati ka qenë model i dëshiruar për organizimin politik të sunitëve, por jo edhe shiitëve.
Shiitët kanë besuar se pasardhësi i Profetit Muhammad duhet të vijë nga familja e tij. Ata besojnë se Aliu, i cili ka qenë kushëri dhe dhëndërr i Profetit, ka qenë pasaardhësi i vetëm legjitim i tij.
Por, sipas traditave sunite, lidershipi është zgjedhur, çfarë do të thotë se Aliu ishte kalifi i katërt pas Abubakrit, Umarit dhe Uthmanit.
“Ndjekësit nuk e kanë quajtur Aliun kalif, por imam. Dhe pas tij, shiitët kanë njohur disa imamë”, thotë Kersten.
Shumë vëzhgues besojnë se shpallja e kalifatit nga ISIL-i është përpjekje për t’i shtuar legjitimitetin dhe besueshmërinë pozicionit të tij, pas pushtimit të disa territoreve në Irak.
Kersten thotë se ISIL do të sfidojë kufijtë aktualë të Lindjes së Mesme, duke ofruar “një sistem të vërtetë islamik”.
“Duke shpallur kalifat, ata duan të theksojnë se dëshirojnë të ushtrojnë kontroll politik mbi atë territor që është ndryshe nga modeli i komb-shtetit”, thotë Kersten.
Sipas tij, koha e shpalljes, një ditë pasi ka nisur Muaji i Shenjtë i Ramazanit, nuk është e rastësishme.
“Është një pikë shumë e fuqishme, sepse myslimanët shprehin një ndjenjë të rritur ndaj fesë në këtë kohë të vitit”, thotë Kersten.
Por, pak në Lindjen e Mesme pritet të pranojnë kalifatin e ISIL-it. Ky kalifat mund të ketë ndikim edhe në lëvizjen ndërkombëtare xhihadiste, sidomos në të ardhmen e Al Kadiës, e cila nuk e njeh ISIL-in që nga ndarja me të në Siri.
Al Kaida, për kohë të gjatë, ka realizuar kauzën e xhihadizmit ndërkombëtar.
Por, ISIL-i ka arritur në Siri dhe në Irak atë që Al Kaida nuk ka mundur – marrjen nën kontroll të një pjese të madhe të territorit.
Kalifati i ISIL-it paraqet sfidë të drejtpërdrejtë edhe për shtetet e Gjirit Arab, sidomos për Arabinë Saudite, thotë Kersten.
“Arabia Saudite, edhe pse ka mbështetur organizata të tilla si ISIL-i, nuk do ta marrë me mirësi këtë, sepse mbreti i Arabisë Saudite i ka dhënë vetes titullin “mbrojtës i dy xhamive të shenjta, në Mekë dhe në Medinë, që është pothuajse titull alternativ i kalifit”, thotë Kersten.(v.tela)