Ndërlidhjet

Poroshenko: Krimeja është dhe do të jetë e Ukrainës


Petro Poroshenko
Petro Poroshenko
Presidenti i ri i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka thënë se mundësitë shumë të mëdha që i janë hapur Ukrainës me rënien e tiranisë, rrëzimit nga pushteti të ish-presidentit Viktor Yanukovych, pengohen nga ngjarjet në Donbas, zonë ku po luftohet ndërmjet forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë.

Ai ka thënë se do ta vizitojë së shpejti pjesën lindore të vendit dhe se atje do të shkonte “me paqe, dhe një projekt për decentralizimin e pushtetit dhe me garantimin për të drejtën e përdorimit të gjuhës ruse në atë rajon”.

Lideri ukrainas, gjithashtu, ka theksuar se është i gatshëm që të vendosë për zgjedhje lokale në Donbas, por Ukraina, sipas tij, do të jetë gjithmonë një shtet unik dhe se federalizimi nuk do të lejohet.

Për unitetin e Ukrainës, është shprehur Poroshenko, është luftuar me gjenerata nga patriotët, ndërsa i ka ftuar audiencën në inaugurimin e tij, që të nderojë atë pjesë të historisë me një minutë heshtje.

Poroshenko iu ka bërë thirrje kryengritësve që t'i lënë armët, ndërsa ka ofruar aministi për ata që nuk kanë gjak në duart e tyre. Presidenti i ri ukrainas ka garantuar edhe një korridor për mercenarët që të largohen nga ky shtet.

Duke e dënuar aneksimin që i ka bërë Rusia, ai ka thënë se Krimeja është dhe do të jetë tokë ukrainase.

Poroshenko, megjithatë, e ka pranuar se qytetarët e Ukrainës nuk do të ndihen të sigurt derisa të rregullohen marrëdhëniet me Rusinë.

Teksa fliste për aspiratat evropiane të Ukrainës, Poroshenko ka theksuar se ai e ka për qëllim që shumë shpejt të nënshkruajë pjesën ekonomike të marrëveshjes për asociim me BE-në. Ky, sipas tij, është hapi i parë drejt një anëtarësimi eventual të plotë në Bashkimin Evropian.

Në mesin e pjesëmarrësve në ceremoninë e inaugurimit ishte edhe zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, presidenti i Bjellorusisë, Aleksandr Llukashenka, dhe i dërguari me punë i Rusisë në Kiev.

Petro Poroshenko pason Viktor Yanukovychin, i cili ishte shkarkuar nga detyra prej Parlamentit në muajin shkurt, pasi kishte ikur nga Kievi. Kjo ndodhi tre muaj pas protestave masive kundër qeverisë së asaj kohe.

Disa orë para ceremonisë së inaugurimit në Kiev, forcat qeveritare ukrainase po e vazhdonin betejën me separatistët pro-rusë në lindje të këtij shteti, në afërsi të Sllovianskit dhe Donetskut.

Ky inaugurim u bë vetëm një ditë pasi Poroshenko u takua shkurtimisht dhe jo zyrtarisht në Francë me presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë shënimit të 70-vjetorit të zbarkimit të forcave aleate në Normandi, që atë kohë shënoi edhe fundin e Luftës së Dytë Botërore. (a.haraqia)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG