Ndërlidhjet

Përse nuk ndalohen "vrasjet për nder"?


Foto e Farzana Parveen, e cila u godit për vdekje me gurë nga familja e saj
Foto e Farzana Parveen, e cila u godit për vdekje me gurë nga familja e saj
Në disa shoqëri, është normale për burrat që t’i konsiderojnë gratë dhe vajzat e tyre edhe si pasuri, edhe si obligim. Për aq kohë sa u binden baballarëve dhe burrave të tyre, ato janë burim i krenarisë. Por, nëse ato kundërshtojnë dhe tregojnë pavarësinë e tyre, ato bëhen burim i turpit dhe madje mund të vriten për të mbrojtur “nderin” e familjes.

Sipas statistikave të Kombeve të Bashkuara, rreth 5,000 "vrasje për nder" raportohen çdo vit në gjithë botën.

Por, shumë ekspertë besojnë se numri real është shumë më i lartë, pasi shumë krime për nder fshihen nga policia.

Fshehja e tyre është e mundur pasi ato shpesh ndodhin brenda familjes. Anëtarët e familjes, përfshirë edhe femrat, vendosin që gruaja ose vajza, që ka komprometuar nderin e familjes, duhet të dënohet me vdekje.

Jacqueline Thibault, nga shoqata Surgir, me seli në Zvicër, e cila mbron viktimat potenciale të vrasjeve për nder në Lindjen e Mesme, thotë se vrasjet shpesh raportohen si vetëvrasje. Në disa raste, nuk ka “nevojë” as për vrasje, pasi presioni i familjes është aq i madh saqë vetë viktima detyrohet të kryejë vetëvrasje.

"Krimet për nder" bëhen në shumë pjesë të globit dhe nuk janë të lidhura me ndonjë fe të vetme. Vendet ku ato ndodhin janë aq të ndryshme - nga BraziliIndi dhe nga PakistaniShqipëri. Megjithatë, ato janë më shumë të theksuara në Lindjen e Mesme dhe në Azinë Jugore.

“Krimet për nder kanë tendencë të ndodhin në vendet ku ka qëndrime të palëkundura dhe diskriminuese për rolin e grave, sidomos rreth seksualitetit të tyre. Ato janë shpesh të zbatueshme te gratë, por jo vetëm tek ato. Nagënjëherë edhe burrat janë shënjestër e krimeve për nder”, thotë Rothna Begum, hulumtuese për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në organizatën Human Rights Watch.

Ekspertët thonë se vrasjet për nder lidhen me shoqëritë patriarkale dhe dëshmitë më të hershme të tyre datojnë në Babiloni. Ato lindin nga nocioni që gratë janë shtylla të nderit të familjes dhe duhet të jenë nuse të virgjëra. Sipas këtij koncepti të nderit, pamundësia e familjeve për të ruajtur virgjërinë e vajzës para martesës është shkak për turp dhe izolim nga fqinjët.

Por, këtu kanë rol edhe faktorët ekonomikë.

Jacqueline Thibault flet për martesat e aranzhuara që ndodhin në disa shoqëri.

“Këto janë më shumë martesa midis familjeve sesa midis një burri dhe një gruaje. Dhe, martesat midis familjeve synojnë të sigurojnë një situatë më të mirë ekonomike, të marrin më shumë tokë bujqësore që të kenë një gjendje më të mirë sociale”, thotë Thibault.

Vrasjet për nder janë të paligjshme në gjithë botën, por shumë sisteme ligjore janë të buta ndaj atyre që i kryejnë ato, sepse autorët e krimit, shoqëria i konsideron mbrojtës të vlerave tradicionale.

Meqë viktimat janë shënjestër e familjeve të tyre, mbrojtja për to është shumë e vështirë. Këtë e tregon edhe fakti se në disa vende, përfshirë Jordaninë dhe Afganistanin, viktimat potenciale kërkojnë nganjëherë strehim në burgje, ku, pavarësisht se janë të burgosura, janë larg sulmeve të familjes.
Iran, foto nga arkivi
Iran, foto nga arkivi


Megjithatë, Thibault thotë se vajzat nuk mund të kërkojnë të futen në burg pa bërë asgjë. Sistemi ligjor kërkon që ato të jenë fajtore për ndonjë krim, kështu që ato rrëfejnë për një kundërvajtje që nuk e kanë bërë.

Derisa janë në burg, vajzat shpresojnë se, me kalimin e kohës, familjet e tyre mund të bien dakord për t’i pranuar ato përsëri. Por, Thibault, organizata e së cilës bën përpjekje të ndërmjetësojë bashkimin familjar në Jordani, thotë se asnjëherë nuk ka siguri për falje.

“Punëtorët tanë socialë ndërmjetësojnë me familjet për të parë nëse ato mund t’i pranojnë sërish vajzat, pavarësisht të gjithave. Në disa raste, shumë të rralla, familjet i pranojnë, por nuk ka asnjë siguri se kjo do të zgjasë dhe se familja nuk do ta vrasë atë pas dy muajsh. Secili rast duhet të ndiqet nga afër”, thotë Thibault.

Në dekadat e para të shekullit të kaluar, vrasjet për nder kanë ekzistuar edhe në shoqëritë ku sot nuk ekzistojnë, përfshirë zona të thella rurale të Greqisë dhe Italisë jugore. Por, ekspertët thonë se ato janë vështirë për t’u çrrënjosur nëse ligjet kundër tyre nuk janë të ashpra.

Në rastin më të fundit në Pakistan, ku Farzana Parveen është goditur për vdekje me gurë nga familja e saj, pasi është martuar me njeriun që ka dashur, burri i saj, Muhammad Iqbal ka pranuar se ka vrarë gruan e tij të parë vetëm për t’u martuar me Farzanan.

Fakti se ai i është shmangur dënimit për krimin që ka bërë, tregon për natyrën e butë të ligjeve, të cilat nuk janë të detyrueshme. (v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG