Ndërlidhjet

Ellis: Gjykata e posaçme nuk e ndjek shtetin e Kosovës


Mark Ellis
Mark Ellis
“Gjykata ka të bëjë me përgjegjësinë individuale dhe do të ndiqen penalisht ata individë që kanë bërë krime”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Mark Ellis, Drejtor Ekzekutiv i Asociacionit Ndërkombëtar të Avokatisë.
RADIO EVROPA E LIRË
Dr.Ellis,ndonëse me ngurim, ligjvënësit në Kosovë e kanë aprovuar krijimin e një gjykate të posaçme, e cila do të merret me pretendimet mbi krimet e luftës të kryera gjatë luftës në Kosovë, më 1998 – 1999. A ishte themelimi i kësaj gjykate i nevojshëm, sipas mendimit tuaj?

MARK ELLIS
Mendoj që po. Edhe pse në Kosovë është shënuar përparim i jashtëzakonshëm, ekziston një vlerësim i përgjithshëm se sistemi gjyqësor është ende i dobët dhe është mbase më së miri të krijohet një gjykatë e specializuar që do të merret me çështje specifike.

Dhe e dimë se ka prova të mjaftueshme për të pandehur se gjykata duhet t’i ndjek këto raste. Mendoj se ky është një hap pozitiv për Kosovën, dhe aplaudoj Kosovën për çfarë ka bërë në këtë drejtim. Është në pajtueshmëri me detyrimet që ka dhe e gjithë kjo do të shihet pozitivisht në rrafshin ndërkombëtar.
RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë thotë kjo gjykatë për pothuajse 15 vjet mbikëqyrjeje ndërkombëtare të drejtësisë në Kosovë; ka nisur me misionin e Kombeve të Bashkuara, i cili kujdesej për sundimin e ligjit, kurse tash mbikëqyrjen e ka misioni i Bashkimit Evropian?

MARK ELLIS
Ajo ishte një periudhë tranzitore nga misioni i Kombeve të Bashkuara te Bashkimi Evropian dhe vlerësohej se ishte rruga e duhur për ta bërë dhe unë pajtohem me këtë. E di gjithashtu që Kuvendi ka miratuar zgjatjen e mandatit të misionit evropian për sundimin e ligjit edhe për dy vite të tjera dhe këtu ka ndryshime interesante.

Gradualisht, do të shohim se si Kosova merr më shumë përgjegjësi mbi vete. Nuk më befason ndërkaq fakti se ky ka qenë një procesi gjatë; mund të shikoni kudo në botë, kudo ku ka mjedis post-konflikti, procesi kudo është i ngadalshëm. Pyetja është a po ecën procesi në drejtimin e duhur dhe në këtë rrafsh, mendoj se ky është një hap pozitiv për Kosovën dhe tregon mbështetjen e saj për drejtësinë.
RADIO EVROPA E LIRË
Një gjykatë për Kosovën, me dy qendra, Kosovë dhe Holandë mbase, me gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtar. Po tingëllon paksa si Tribunali Ndërkombëtar i Hagës, sikur që kanë thënë disa vëzhgues…

MARK ELLIS
Po, ashtu duket, por kurdo që mund të krijohet një sistem gjyqësor që është shumë më i përngjitur me sistemin vendor, duhet shfrytëzuar mundësinë si qasjen më të mirë të mundshme.

Kjo gjykatë për të cilën po flasim ka ende komponentën e saj ndërkombëtare, por mendoj se njihet si nismë e Kosovës për një gjykatë të posaçme, nën mbikëqyrjen e Kosovës, me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar.

Juridiksioni i Tribunalit të Hagës po merr fund dhe me këtë gjykatë po njihet roli i rëndësishëm që ka juridiksioni i sistemit gjyqësor vendor. Pikërisht për këtë arsye e shoh si të drejtë hapin që Kosova ka bërë.
RADIO EVROPA E LIRË
Mes tjerash, mbështetësit e gjykatës pohojnë se me të do të sqarohen një herë e mirë pretendimet serioze të raportit të Këshillit të Evropës, për rrëmbime, për atë që është më kundërthënëse, trafikim organesh nga ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Besoni në këtë argument?

MARK ELLIS
Po, besoj. Ata që kanë ndjerë ngurim për të mbështetur vënien përpara drejtësisë të atyre që kanë kryer krime, janë gabuar. Një shoqëri mund ta shërojë veten, ajo duhet të mbajë përgjegjësinë, duke i sjellë para drejtësisë të gjithë ata që kanë kryer krime ndërkombëtare, dhe në pretendimet e ngritura, bëhet fjalë për krime ndërkombëtare.

Fakti se Kosova e ka ndërmarrë këtë hap, për t’i realizuar këto gjykime, nuk është vetëm një hap i rëndësishëm, por është një hap që do t’i sjellë para drejtësisë ata që kanë kryer krime; dhe ajo që për mua është e rëndësishme, do të sjellë një lloj paqeje për viktimat e këtyre krimeve, duke përfshirë këtu edhe ato viktima, të cilat nuk mund të flasin më…
RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë do t’u thoshit kundërshtarëve të kësaj gjykate, të cilët pohojnë se ajo do të jetë selektive në baza etnike dhe se si e tillë, do ta identifikojë Kosovën si agresore, e jo viktimë lufte?

MARK ELLIS
Në fakt, në çdo situatë konflikti, përqëndrimi duhet të jetë te individi, është përgjegjësi individuale. Kjo nuk është gjykatë që do ta ndjek penalisht shtetin e Kosovës, nuk e ka këtë mandat. E gjithë kjo ka të bëjë me përgjegjësinë individuale dhe do të ndiqen penalisht ata individë që kanë bërë krime. Këta individë, qofshin ata shqiptarë, serbë, kroatë apo kushdo tjetër nga luftërat e ish Jugosllavisë duhet të vihen para drejtësisë.

Duke e përqafuar idenë e drejtësisë ndërkombëtare, edhe Kosova gjithashtu duhet të pranojë se nëse ka individë të tillë që kanë kryer krime, është absolutisht jetësore që ata të sillen para drejtësisë. Dhe nëse Kosova mund ta bëjë një gjë të tillë, përmes kësaj gjykate të posaçme, ju siguroj se kjo do të shihet si një hap madhor në sytë e faktorit ndërkombëtar, e madje edhe në sytë e qytetarëve të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG