Ndërlidhjet

Obama Putinit: Largoji trupat nga Ukraina!


Presidenti i SHBA-së, Barack Obama.
Presidenti i SHBA-së, Barack Obama.
Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se presidenti Barack Obama ka shprehur shqetësim të madh për mbështetjen e Rusisë për pro-separatistët në Ukrainë, gjatë një bisede telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, Obama po ashtu ka thënë se Moska do të përballet me kosto të tjera nëse aksionet e saj në Ukrainë vazhdojnë.

Obama i ka bërë thirrje Putinit që të shfrytëzojë ndikimin e tij te grupet e armatosura pro-ruse dhe t'i bindë ato që të lënë ndërtesat që kanë uzurpuar në lindje të Ukrainës.

Presidenti amerikan i ka thënë homologut rus se Moska duhet t'i tërheqë trupat e saj nga kufiri me Ukrainën për të reduktuar tensionet.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, në një takim me gazetarët në Uashington, ka përçuar po ashtu thirrjen e presidentit Obama.

"Rusia vazhdon të angazhohet në veprime provokuese në lindje të Ukrainës. Prania e trupave ruse në kufi me Ukrainën, pos të tjerave që ka bërë brenda Ukrainës, krijon kërcënim për stabilitetin në Ukrainë", ka thënë Carney.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë ka folur edhe për marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Rusinë.

"Ne nuk jemi në një Luftë të Ftohtë, sepse mendoj se është e rëndësishme të kujtohet se cilat kanë qenë dinamikat e Luftës së Ftohtë. Keni pasur dy super-fuqi, keni pasur dy blloqe ekonomike, keni pasur dy blloqe ushtarake. Të tilla gjëra nuk ekzistojnë sot", ka thënë Carney.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Kremlini, në anën tjetër, ka bërë të ditur se Putini i ka thënë Obamës se Rusia nuk është e përfshirë në trazirat në lindje të Ukrainës.

Sipas Kremlinit, Putini ka hedhur poshtë pretendimet se agjentët rusë janë të përfshirë në protesta, duke thënë se ato janë spekulime që bazohen në informacione jo të besueshme.

Së bashku me Kievin, Perëndimi dyshon se separatistët në Ukrainë janë të organizuar nga Moska dhe mund të përfshijnë disa forca ruse, që kërkojnë hapur të përsërisin skenarin e Krimesë. Muajin e kaluar, Moska ka aneksuar këtë rajon nga Ukraina.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, ndërkohë, kanë ndërmarrë disa hapa të hënën për të ndihmuar Qeverinë e re të Ukrainës.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se ka nënshkruar një garanci për kredi për Ukrainën në vlerë prej një miliard dollarësh, ndërsa Bashkimi Evropian ka thënë se do ta ndihmojë Ukrainën me një kredi prej afro një miliard eurosh.

Aktivistë pro-rusë dhe persona të armatosur tani kontrollojnë ndërtesat qeveritare në së paku dhjetë qytete në lindje të Ukrainës. (v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG