Ndërlidhjet

Shpifjet për "tradhtarët" marrin hov në Rusi


Harta e Krimesë e ngjyrosur me ngjyrat komëtare ruse
Harta e Krimesë e ngjyrosur me ngjyrat komëtare ruse
Në sfondin e një portali të porsaformuar, një familje e buzëqeshur, që duket të jetë në Krime, shikon me krenari dy ushtarë rus.

Në ballinë ndërkaq, është postuar një listë – se kush është kush në mesin e gazetarëve, aktivistëve dhe artistëve rus, të cilët thuhet se janë kërcënim për lumturinë e bekuar dhe perfekte pas aneksimit që i bëri Rusia gadishullit të Ukrainës.

Portali, që quhet “Tradhtarët” është mishërimi i përpjekjes së fundit nga mbështetësit radikal të Kremlinit, për të ilustruar të ashtuquajturën kolona e pestë të “tradhtarëve të kombit”, të cilëve iu është referuar presidenti i Rusisë Vladimir Putin gjatë fjalimit të tij para kombit më 18 mars.

Për 14 vjet sa është në pushtet Putini, Kremlini ka përdorur peshën e tij politike për të sulmuar anëtarët e opozitës dhe mediet e dikurshme të pavarura.

Mirëpo retorika e presidentit Putin, del të ketë qenë një sinjal për një ofensivë të madhe në këtë drejtim, dhe e njëjta ka nxitur një fushatë të madhe kërcënimesh.

Pak kohë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa u vendosën sanksionet kundër një numri zyrtarësh shtetëror rus, që i takonin qarkut të brendshëm të Putinit, një transmetim direkt në televizionet shtetërore ruse sugjeronte se ato lista ishin nxitur nga ‘kolona e pestë’ që presidenti Putin kishte përmendur ditë më parë.

Sipas mendimit tim, lista është krijuar në Moskë, nga inteligjenca e Kremlinit – njerëzit të cilët Putin i quajti të martën si ‘kolona e pestë’”, thotë Dmitry Kiselyov, që është në krye të agjencisë së riorganizuar të lajmeve Rossiya Segodnya.

“Në fakt, Putini ka legalizuar këtë term për përdorim politik në Rusi. Ne i dimë emrat e tyre. Ne e dimë se si na i kanë shkruar emrat dhe të njëjtit ua kanë dërguar ambasadave perëndimore”, shton ai.

Edhe vet Kiselyov ka përmendur emra po ashtu, duke vënë theks mbi liderin opozitar Aleksei Navalny dhe gazetarin Sergei Parkhomenko, të cilët i ka shquar si “heronj” të kolonës së pestë.

Thirrja “për tradhtarët” është shpërndarë rrufeshëm në mediet sociale.

Sergei Markov, një analist që ka lidhje të afërta me Kremlinin, ka përdorur Facebook-un për të shpërndarë një liste me 41 emra dhe organizata, përfshirë edhe shërbimin në rusisht të Radios Evropa e Lirë, të cilët thuhet se po përkrahin protestuesit në Kiev.

“Tradhtarët e Rusisë”, ka shkruar ai.

Kjo retorikë duket se ka shpejtuar nismën e fundit të shtypjes së figurave opozitare dhe medieve të pavarura në Rusi.

Operatorët kabllor kanë larguar Dozhd TV, një kanal liberal, ndërsa personeli i këtij televizioni është urdhëruar që të lirojë ndërtesën ku janë të vendosur deri në qershor.
Kryeredaktori i një portali të respektuar, Lenta.ru, është shkarkuar nga puna në fillim të marsit dhe u zëvendësua me një tjetër person që kishte udhëhequr një portal pro-Kremlinit.

Aktivistët e të drejtave të njeriut, shfaqin droje se më e keqja tek do të pason.

Në vitin 2012, Duma shtetërore ruse ka zgjeruar definicionin e tradhtisë, i cili dënohet deri më 20 vjet burgim, ku përfshihet edhe “ndihmat ose konsultat me shtetet e huaja...në dëm të sigurisë së Federatës Ruse”.

Në mars, Yevgeny Fyodorov, një deputet i Dumës nga partia e Rusisë së Bashkuar në pushtet, ka propozuar një ligj i cili do t’i dënonte udhëheqësit e medieve ruse për shpërndarjen e “informatave false kundër Rusisë”.

“Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar që autoritetet gjithandej rajoneve të Rusisë mund t’i lexojnë komentet e Putinit, dhe t’i interpretojnë ato që kushdo që kritikon politikat qeveritare, përfshirë edhe ato që ndërlidhen me Ukrainën, dhe ta shpall dikë tradhtar”, thotë Hugh Williamson, drejtori për Evropë dhe Azi Qëndrore në Human Rights Watch.

Në portalin “Tradhtarët”, i cili sipas të gjitha gjasave është krijuar nga një grup e të rinjve pro-Putin, kjo është logjika që përshkruhet në preambulë të kësaj faqeje interneti.

“Ne besojmë se çdo qytetar i Rusisë i cili fyen ushtarët tanë, ose hedh dyshim për luftën kundër neo-nazistëve, është tradhtar”, thuhet në këtë portal.(f.aliu)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG