Ndërlidhjet

KDI: Sistemi i prokurimit, burim i korrupsionit


Ilustrim
Ilustrim
Mungesa e monitorimit të shpenzimit të parasë publike, bën që mundësitë për zhvillimin e korrupsionit në shumë institucione të jenë shumë të mëdha, kanë deklaruar të mërkurën disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të institucioneve të ndryshme.

Në një debat me temën “Shpenzimi i parasë publike përmes prokurimit publik”, i organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës/Transparency International Kosova, u tha se sistemi i prokurimit në Kosovë, vlerësohet të ketë krijuar nivel alarmant të korrupsionit në vend.

Deputeti Muhamet Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se mungesa e monitorimit të shpenzimit të parasë publike, bën që mundësitë për korrupsion dhe keqpërdorim të parasë publike të jenë shumë të mëdha.

“Institucionet si ato të rregullatorëve, gjyqet, organet e pavarura, kuvendi në një mënyrë, janë duke shkuar prapa proceseve, në vend që të ndërpresin proceset negative në prokurimin publik dhe të ndikojnë që të kemi një cilësi më të madhe dhe një efekt me të madh të harxhimit të parasë publike".

"Edhe institucionet janë nën ndikimin e çarqeve të interesave të ngushta politike edhe interesave të ngushta materiale. Kjo ndikon që të kemi një situatë të një shteti të mbërthyer. Do të thotë se ka shumë pak involvim të gjyqeve rreth korrupsionit dhe tenderëve”
, tha Mustafa.

Merita Mustafa nga Insituti Demokratik i Kosovës tha se gjendja aktuale në prokurimit publik po krijon hapësirë për keqpërdorimin e parasë publike.

Ajo u shpreh se nëse vetëm 10% e këtij sektori keqpërdoret, humbjet mund të jenë milionëshe.

“Nga gjetjet tona kemi vërejtur se ka shumë elemente të cilat çojnë deri te konkluzioni se me të vërtetë aty ka indikatorë shumë të rëndësishëm që mund të ngritën edhe hetim të prokurorisë dhe mund të vuloset ekzistimi i korrupsionit në këtë sektor”, tha zonja Mustafa.

Safete Hadërgjonaj, deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe kryetare e Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvend, u shpreh se sa i takon çështje se keqpërdorimit të parasë publike, ka mënyra të ndryshme se si të parandalohet kjo dukuri.

“Ne si komision e kemi të drejtë të bëjmë ndryshime dhe për t’i dhënë rekomandimet për të bërë amendamente në ligjin e prokurimit publik. Ne, do të insistojmë që i bëjmë përmirësimet e duhura në mënyrë që mos të lejojmë hapësirë me ligj për të pasur dyshime në tërë procesin e prokurorit publik”, tha Hderëgjonaj.

Ndryshe, qëllimi i Ligjit për prokurim publik është që të sigurojë mënyrën më efikase, më transparente dhe më të drejtë të shfrytëzimit të fondeve publike dhe burimeve publike në Kosovë, duke përcaktuar kushtet dhe rregullat që do të zbatohen.

Janë rreth 700 milionë euro në vit të buxhetit të Kosovës, të cilat shpenzohen përmes prokurimit publik.

Sido që të jetë, kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha tha se për shkak të parregullsive dhe dyshimeve të ndryshme për mosrespektimin e rregullave të tenderimit në OSHP, ka arritur një numër i konsiderueshëm i ankesave.

Hoxha tha se lidhur me këto ankesa, organi shqyrtues në një kohë të shkurtë do të marrë një vendim unik për 255 rastet që sipas tij, u ka skaduar afati.

Prokurimi publik edhe në raportet vendore, por edhe në ato ndërkombëtare është vlerësuar si burim i korrupsionit.

Kjo fushë është thënë se ka krijuar probleme të mëdha në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
XS
SM
MD
LG