Ndërlidhjet

Si do të jetë jeta më 2064?


Ilustrim
Ilustrim
Më 1964, Isaac Asimov, autor i librave fantastiko-shkencorë si “Unë robot” dhe “Fundi i Përjetësisë”, ka marrë pjesë në Panairin Botëror në Nju Jork.

Në të është paraqitur përparimi shkencor qysh në fillim të shekullit 20. Kjo ka bërë që Asimov të pyetet se çfarë përparimesh të tjera do të shohë bota në 50 vjetët e ardhshëm?!

Rezultat i kësaj ka qenë eseja “Vizita në Panairin Botëror më 2014”, në të cilin Asimov parasheh përparime teknologjike në shumë fusha. Ai, pos tjerash, parasheh filmat 3D, pajisje pa tela për shtëpi, makina pa vozitës dhe ekrane për të bërë vido-thirrje, për të lexuar libra apo studiuar dokumente.

Parashikimet e tjera duhet ende kohë për t’u realizuar. Asimov ka parashikuar se deri në vitin 2014, shumica e njerëzve do të jetojnë nën tokë ose nën ujë, për të maksimalizuar përodrimin e sipërfaqes së tokës për prodhime bujqësore.

Ai ka paraparë edhe robotë që do të kujdeseshin për kopshtet dhe makina që do të voziteshin sipër rrugës në vend se direkt mbi të.

Dr. Ian Perason është inxhinier dhe futurolog britanik. Radio Evropa e Lirë ka kërkuar nga ai që në stilin e Asimovit, të parashikojë se si do të duket jeta pas 50 vjetësh, më saktësisht më 2064.

Ndërtesat e banimit

Asimov ka parashikuar që një numër gjithnjë e më i madh i njerëzve të jetojë nën tokë ose nën ujë deri më 2014.

Por, Pearson thotë se rritja e popullsisë dhe urbanizmit do të rezultojë me “mega-qytete” prej 50 milionë banorësh.

“Një nga zgjidhjet që njerëzit janë duke kërkuar është ndërtimi i banesave shumë, shumë të larta, ndoshta me kilometra. Ndërtesa të tilla aktualisht nuk mund të ndërtojmë, sepse nuk ka materiale shumë të forta për të ndërtuar banesa të larta të sigurta. Por, deri më 2050-2060 do të kemi shumë materiale me bazë karboni, të cilat janë më të lira dhe më të forta”, thotë Perason.

Aparatet shtëpiake

Asimov ka paraparë që në vitin 2014 të ketë pajisje që do t’i bëjnë ushqimet me porosi dhe do të lehtësojnë punët e shtëpisë.

Megjithatë, pajisjet në 2014-ën më shumë lidhen me komunikimin sesa me punët e shtëpisë. Perason parashikon minimizim të mëtejshëm të pajisjeve dhe beson se shumica e njerëzce do të përdorin të ashtuquajturën bizhuteri digjitale, e cila do të ketë memorie të mjaftueshme për të gjitha fuknksionet e nevojshme të komunikimit.

“Të gjitha sistemet e informacionit që posedojmë aktualisht, do të qëndrojnë në një hapësirë, e cila është më e vogël se një palë vathë. Pra, çdo lloj bizhuterie shpejt do të jetë në gjendje të zëvendësojë të gjitha sistemet tona të informacionit”, thotë Pearson.

Transporti

Asimov ka paraparë që një nga atraksionet kryesore në Panairin Botëror të vitit 2014 të jenë “makinat e vogla të robotizuara” që fluturojnë një metër mbi tokë.

Pearson thotë se makinat fluturuese janë gjëja e parë për të cilën pyeten futurologët.

Ai thotë se për arsye të sigurisë, shoferët, më 2064, do të përdorin makinat elektronike, të cilat megjithatë do të ecin nëpër tokë.

“Nuk shoh arsye përse duhet të fluturojmë të gjithë. Kjo nuk është e nevojshme. Kur të nisim me përdorimin e makinave elektronike, ato do të mund të voziten larg njërja-tjetrës vetëm disa centimetra apo edhe milimetra. Do të mund të kemi 75 herë më shumë makina në rrugë sesa me teknologjinë e sotme”, thotë Pearson.

Lufta

Asimov, në esenë e tij, nuk ka folur për të ardhmen e luftërave, por ka thënë se “nëse vjen deri te lufta bërthamore, e ardhmja nuk do t’ia vlejë të diskutohet”.

Pearson pajtohet, duke thënë se nuk e përjashton mundësinë e një lufe botërore në Lindje të Mesme ose Azi, ose edhe një sërë luftërash midis ekstremeve të djathta dhe të majta në Perëndim.

“Mendoj se do të jetë mjaft e tmerrshme. Tashmë kemi disa teknologji mjaft të rrezikshme, të cilat përdoren me qëllim të luftimeve. Armët kimike janë gjëra shumë të këqija, me të cilat nuk bën të luhet. Armët bërthamore dhe biologjike janë po ashtu të rrezikshme”, thotë Pearson.

Argëtimi

Asimov ka parashikuar që njerëzit, më 2014, të presin në radhë për filma 3D.

Pearson thotë se “njerëzit do të jenë gjithmonë të inetersuar për njerëz” dhe parashikon që edhe në vitin 2064 argëtimi të përfshijë forma tradicionale, siç janë filmat, shfaqjet dhe koncertet. Por, disa gjëra, shton ai, do të ndryshojnë.

“Në vitin 2064, garantoj se do të vazhdojmë të dëgjojmë muzikë dhe të shkojmë në teatër. Mjetet për të arritur deri tek to do të ndryshojnë me zhvillimin e teknologjisë. Më 2064, nëse mendoni për një këngë, ajo do të nisë brenda kokës suaj. Nuk do të dini si, por do të nisë”, thotë Pearson.

Kriza ekzistenciale

Asimov ka paraparë që psikologjia të jetë jë degë e rëndësishme mjekësore në vitin 2014 dhe që njerëzimi të vuajë nga mërzia kronike për shkak të rritjes së automatizimit.

Pearson, në anën tjetër, mendon se automatizimi do t’i lirojë njerëzit nga të gjitha llojet e punëve fizike dhe do t’iu japë atyre kohë të mjaftueshme për aspiratat kreative. Megjithatë, ai beson se do të ketë gjithmonë diçka për të cilën njerëzit do të ankohen.

“Problem në të ardhmen do të jetë se me gjithë zgjedhjet fantastike që do të na ofrojë teknologjia e ardhshme, nuk do të kemi maksimumin nga jeta. Kjo tashmë po bëhet kërcënim dhe njerëzit janë nisur të përballen me stresin e zgjedhjeve të tepruara”, thotë Pearson.(v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG