Ndërlidhjet

Vit i dialogut dhe marrëveshjeve


Baronesha Catherine Ashton (në mes), kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi(djathtas) dhe ai serb Ivica Daçiq.
Baronesha Catherine Ashton (në mes), kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi(djathtas) dhe ai serb Ivica Daçiq.
Një vit i dialogut, zgjedhjeve dhe shpresës për krijimin e perspektivës evropiane.
Ky ishte viti 2013 që si rezultat solli Marrëveshjen e parë të parimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kjo marrëveshje u komentua në mënyra të ndryshme, nga vlerësimet si e arritur historike, e deri tek interpretimet e saj si kthim prapa në shtet-ndërtimin e Kosovës.

I gjithë procesi i dialogut politik të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u ndërmjetësua nga përfaqësuesja e Bashkimit Evropian për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Catherine Ashton.

Dialogu u ngrit edhe në nivel presidentësh. Më 6 shkurt u zhvillua takimi i parë ndërmjet presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikolliq.

Presidentja e Kosovës e kishte vlerësuar takimin si “kapitull të ri për të dyja vendet, në rrugën e tyre drejt integrimit evropian”.

“Takim korrekt në respektimin reciprok të autoriteteve. Çështja e veriut të Kosovës do të zgjidhet dhe zgjidhjen e ka përbrenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Gjithsesi që do të ketë vend edhe për takime tjera në mes të dyja vendeve”, kishte thënë Jahjaga pas takimit.

Pamje nga takimi Jahjaga - Nikoliq, Bruksel.
Pamje nga takimi Jahjaga - Nikoliq, Bruksel.
Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, kishte bërë me dije se dialogu nuk po zhvillohet për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Derisa qëndrimi i Prishtinës mbetet i njëjtë dhe nuk ndryshon së këmbënguluri se është shtet i pavarur, dialogu nuk mund të lëvizë në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje të përbashkët, e cila do të mundësonte jetë më të mirë dhe anëtarësim në BE”, kishte thënë Nikoliq.

Me disa marrëveshje të cilësuara si teknike, Prishtina dhe Beogradi përmbyllin një kapitull të dialogut me Marrëveshjen politike të dy kryeministrave, të arritur në Bruksel më 19 prill. Marrëveshja respektonte vullnetin e Serbisë për pozicion neutral ndaj pavarësisë së Kosovës, me çka ky vend nuk obligohej ta njihte shtetin fqinj.

Kurse, si kompromis, Serbia u pajtua që katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, të shkonin në zgjedhjet e lira lokale të shpallura nga institucionet e Kosovës. Njëherësh, parashihej edhe transformimi i strukturave ilegale serbe në veri, përfshirë edhe ato të sigurisë, në organet e Kosovës.

Marrëveshja kishte 15 pika. Kurse, bazë e saj ishte Formimi i Asociacionit/Bashkësisë së Komunave Serbe.

Baronesha Ashton konfirmonte se të dy kryeministrat ishin pajtuar të vënë inicialet e tyre. Në këtë organ parashihej të mblidheshin 10 komuna të Kosovës me shumicë serbe.
Negociatat kanë përfunduar, tekstit i janë vënë inicialet nga të dy kryeministrat.
"Negociatat kanë përfunduar, tekstit i janë vënë inicialet nga të dy kryeministrat. Dua t'i uroj të dy kryeministrat për vendosmërinë dhe guximin që kanë pasur gjatë këtyre muajve. Është e rëndësishme që ajo që po shohim tani, të jetë një hap më larg nga e kaluara dhe për të dy një hap më afër Evropës", kishte deklaruar baronesha Ashton.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, menjëherë pas takimit e kishte vlerësuar si historike arritjen e marrëveshjes.

“Ne sapo kemi nënshkruar marrëveshjen e parë historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me garancitë e baroneshës Ashton. Arritja e kësaj marrëveshjeje është njohje e Kosovës, e subjektivitetit ndërkombëtar, sovranitetit dhe integritetit territorial”, pati deklaruar Thaçi.

Ndërkohë, kryeministri serb, Ivica Daçiq, ishte paksa edhe kontradiktor. Fillimisht Daçiq kishte lënë dyshime nëse ai e kishte pranuar këtë marrëveshje.

"Unë i kam vënë inicialet në tekstin e propozuar, për pranimin ose refuzimin e të cilit, të dyja palët do të deklarohen gjatë ditëve në vazhdim. Bashkësia e komunave serbe do të ketë autorizime të mëdha”, ishte shprehur Daçiq.

Sipas Marrëveshjes, Asociacioni sipas Prishtinës, dhe Bashkësia e Komunave Serbe sipas Beogradit, kishte të drejtë të propozonte komandantin rajonal të policisë, të dispononte Fondin e zhvillimit të veriut, të mblidhte të hyrat doganore nga pikat në veri, të ketë përbërje dominonte serbe në sistemin e drejtësisë dhe në polici nëpër komunat ku ky komunitet përbën shumicën.

Selia e bashkësisë do të jetë në veri të Mitrovicës. Ky mekanizëm do të ketë kuvendin, kryetarin si dhe do të koordinojë me nivelin komunal kompetencat në fushën e arsimit, shëndetësisë, kulturës dhe planifikimit hapësinor.

Krahas marrëveshjes me Daçiqin, Thaçi kishte zhvilluar një takim edhe me krerët e NATO-s, ku sipas njoftimeve, kishte rënë dakord që Forca e Sigurisë së Kosovës të mos zbarkonte në veri pa lejen e Asociacionit të Komunave Serbe dhe KFOR-it për 3 deri në 5 vjetët e ardhshëm.

Ky vendim ishte përshëndetur nga Beogradi. Zëvendëskryeministri serb, Aleksanadar Vulin, në përpjekje që t’i trimëronte serbët lokalë, kishte deklaruar se çizmja shqiptare nuk do të shkelë kurrë në veri.

Më 22 prill, me 89 vota për, 5 kundër dhe një abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan Rezolutën, e cila mbështeste marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kjo rezolutë u votua, nën thirrjet dhe protestat e deputetëve të Vetëvendosjes. Lideri i këtij subjekti politik, Albin Kurti e kishte cilësuar atë edhe si tradhti ndaj Kosovës.

“Asociacioni i komunave serbe, siç po quhet, duke qenë se po ngjizet me Daçiqin në Bruksel, është tradhti e Thaçit ndaj shtetit të Kosovës. Nuk ka rëndësi, në fund të fundit, se çfarë kompetenca do të ketë ai asociacion - me vetë faktin që po realizohet në bashkëpunim me Serbinë, paraqet tradhti ndaj shtetit të Kosovës”, kishte thënë Albin Kurti.

Si një satisfaksion për lëshimet e bëra veriut të Kosovës, Kuvendi miratoi edhe një Rezolutë për Luginën e Preshevës, me të cilën kërkoi reciprocitet. Megjithatë, kjo rezolutë u komentua vetëm ditën e miratimit, pasi që më vonë askush nuk e përmendi.

Agjenda e bisedimeve me Serbinë nuk ndalej dot me protestat e Vetëvendosjes. Më 21 maj, po në prani të baroneshës Ashton, Thaçi e Daçiq u dakorduan edhe për planin e zbatimit të Marrëveshjes së 19 Prillit.

Në bazë të Marrëveshjes dhe planit të zbatimit, Kuvendi miratoi Ligjin e amnistisë, me të cilin u mundësua transformimi i strukturave ilegale serbe të sigurisë. Edhe ky ligj u kundërshtua nga Vetëvendosje dhe shoqëria civile.

Analisti Ilir Deda, ishte në krye të protestave të shoqërisë civile. Një nga arsyet e kundërshtimit, sipas tij, ishte se këtë ligj po amnistohen edhe individ e grupe kriminale në gjithë vendin.

“Ligji për amnisti është për serbët e Kosovës, të cilët kanë punuar në institucionet e Serbisë dhe ata duhet të amnistohen. Por, Ligji në formën e miratuar nga Kuvendi, lejon hapësirë për amnisti edhe për persona e subjekte tjera që nuk janë pjesë e marrëveshjes së parë të Brukselit”, kishte vlerësuar Deda.

Përparimet në dialog pasuan me shpërblimin e Serbisë nga Bashkimi Evropian duke i dhënë dritën jeshile për datën e nisjes së negociatave për anëtarësim në BE në fund të dhjetorit, apo në fillim të janarit të vitit 2014. Kurse, Kosova mori si shpërblim dakordimin e BE-së për nisjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Kryeministri Hashim Thaçi e cilësoi edhe këtë vendim të BE-së si historik për Kosovën.
Përplasje në Kuvend
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:46 0:00

Ndërkohë, në Prishtinë vazhdonin polemikat rreth marrëveshjes. Edhe pse e kishte ratifikuar një herë, Qeveria e Kosovës e dërgoi në ratifikim sërish marrëveshjen dhe planin e zbatimit më 27 qershor. Ajo, seancë mbahet në mend për protestën e Vetëvendosjes dhe gjestin e liderit të saj, kur deshi t’i rrëmbente mikrofonin kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Si edhe herën e kaluar, Kuvendi miratoi Marrëveshjen.

Fillimi i zbatimit të Marrëveshjes Kosovë – Serbi, solli edhe një zhvillim interesant. Të dyja vendet u pajtuan që më 17 qershor të shkëmbejnë oficerët ndërlidhës në Prishtinë, përkatësisht në Beograd.

Ish-Ambasadori i Kosovës në Suedi, Lulëzim Peci, u dërgua në këtë cilësi si përfaqësues i Kosovës në Beograd, kurse Serbia solli në Prishtinë Dejan Paviçeviqin.

Megjithatë, vetëm një ditë pas, përfaqësuesi i Kosovës në Beograd ofroi dorëheqje. Peci fajësoi drejtpërdrejt kryeministrin Hashim Thaçi për aktin e tij të dorëheqjes.

“Unë e kam arsyetuar edhe në letrën time të dorëheqjes drejtuar presidentes Jahjaga dhe se arsyeja e vetme është se unë jam kritikuar nga kryeministri Thaçi për deklaratën time dhënë njërës nga mediat në Kosovë se normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nënkupton njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë”, u sqarua Peci.


Sfida e zgjedhjeve dhe ndryshimet në hartën politike

Pas marrëveshjeve në letër, çështja kryesore e zbatimit ishte mbajtja dhe organizimi i zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës. Beogradi kishte marrë si obligim që të siguronte një pjesëmarrje simbolike të serbëve nga veriu në zgjedhje.

Kurse, ishte interesante se edhe data 3 nëntor e zgjedhjeve lokale në Kosovë, u kumtua fillimisht nga kryeministri serb, Ivica Daçiq. Përgjegjësinë për organizimin e zgjedhjeve në veri e mori OSBE-ja.

Qendra e votimit në veri të Mitrovicës, ku persona të maskuar demoluan kutitë e votimit
Qendra e votimit në veri të Mitrovicës, ku persona të maskuar demoluan kutitë e votimit
Me shumë peripeci e kundërshtime, Beogradi arriti që t’i nxjerr jashtë lojës politike strukturat e vjetra që udhëhiqnin me komunat veriore, të cilat kundërshtonin pjesëmarrjen serbe në zgjedhje. Në këtë vijë, Beogradi formoi Iniciativën Qytetare Serbe e njohur në opinion si “Lista serbe”, të cilën ia ofroi elektoratit të Kosovës. Madje, edhe krerët e Qeverisë së Serbisë u përfshinë në fushatën zgjedhore duke e mbështetur këtë listë.

Më 3 nëntor, Kosova organizoi zgjedhje në gjithë territorin. Me ndihmën e OSBE-së, edhe në veri. Por, teksa po votohej, diku pas orës 17 në Mitrovicën veriore njerëz të maskuar ndërhynë në qendrën më të madhe dhe dëmtuan procesin. Si pasojë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pati shpallur rivotime në këtë komunë më 15 nëntor.

Zgjedhjet e 3 nëntorit dhe balotazhi i 1 dhjetorit, sollën disa rezultate për shumëkënd befasuese.

Partia Demokratike e Kosovës ruajti udhëheqjen në 10 komuna, por humbi Mitrovicën e Jugut, Ferizajn, Lipjanin e Malishevën.

Lidhja Demokratike e Kosovës shënoi kthim dhe mori nën udhëheqje 9 komuna, ndër to edhe në Pejë e Ferizaj, por humbi në Prishtinë, ku fitoi Vetëvendosje.

Nga rezultatet që u cilësuan si dëshmi e ndryshimeve politike ishin edhe fitoret e Aleancës Kosova e Re në Gjakovë dhe Mitrovicë të jugut.

Me një bilanc shumë pozitiv nga këto zgjedhje doli edhe “Lista serbe”, e cila fitoi në 9 nga 10 komunat me shumicë serbe.

Duke i shfrytëzuar zbrazësitë e Marrëveshjes së Brukselit, kryetarët e rinj serbë në katër komunat veriore u deklaruan haptas se nuk do t’i respektojnë ligjet, e as simbolet e Kosovës. Një veprim i tillë sforcoi të gjithë vlerësimet politike të analistëve se me Marrëveshjen e 19 Prillit, Kosova kishte krijuar një entitet politik në veri dhe se Asociacioni serb nuk mund të jetë një OJQ.

Sidoqoftë, zgjedhjet e 3 nëntorit i vlerësuan me notë pozitive edhe organizatat monitoruese vendase dhe ato ndërkombëtare. Në fjalimin vjetor para Kuvendit, presidentja Atifete Jahjaga i cilësoi ato si test i kaluar për Kosovën.

“Këto zgjedhje kanë treguar se jemi të përgjegjshëm në organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit të rëndësishëm ku vota e qytetarit të Republikës së Kosovës është dëshmuar të jetë e lirë, shprehje e vullnetit të tyre i mishëruar edhe në Kushtetutën e Kosovës”, kishte vlerësuar Jahjaga.


Rruga e gjatë e liberalizimit...

Përparimet në dialogun me Beogradin dhe organizimi i suksesshëm i zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian në vazhdimësi ishin cilësuar si veprime që ndikojnë në rrugën e gjatë të Kosovës drejt BE-së. Lansimi i negociatave të MSA-së, si hapi i parë i vendeve që aspirojnë këto integrime, ishte vlerësuar si një sukses i madh për Kosovën. Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku e kishte cilësuar këtë si një rrugë të sigurt të Kosovës për në BE.

“Është inkurajuese që kemi dëgjuar sot se para nesh do të kemi një marrëveshje, e cila do t’i përfshijë të gjitha elementet tradicionale të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Procesi negociator do të zhvillohet në katër fusha. Negocimi i çështjeve politik, tregtare, negocimi i çështjeve të përafrimit të legjislacionit dhe i politikave të bashkëpunimit ”, kishte thënë Çitaku.

Marrëveshja e MSA-së pritet të nënshkruhet diku në pranverën e vitit 2014.

Ndërkohë që për shtetasit e Kosovës 2013-ta nuk solli asnjë lajm të mirë për liberalizimin e vizave. Përkundrazi, gjatë këtij viti u shtua numri i migrimeve ilegale dhe azilkërkuesve nëpër vendet e BE-së, ç’gjë u interpretua si pengesë shumë e madhe për Kosovën që të hyjë në zonën e lëvizjes së lirë Shengen.

I gjithë viti 2013 kishte të bënte me dialogun Prishtinë – Beograd. Në fund, ai u përmbyll me një lajm tejet bombastik rreth protagonistëve të këtij procesi. Me nismën e katër kongresistëve amerikanë, baronesha Ashton bashkë me kryeministrat Thaçi e Daçiq u nominuan edhe për çmimin Nobel për Paqe.

Ndërkohë, edhe ky vit kaloi me procese gjyqësore ndaj figurave të njohura të Kosovës nën akuzat për krime luftë të ngritura nga prokurorët e EULEX-it.

Ndërsa Fatmir Limaj, një ish-komandant i UÇK-së, pas një gjykimi maratonik u shpall i pafajshëm për akuzat që e ngarkonin atë, një proces tjetër u ngrit dhe po vazhdon ende ndaj të ashtuquajturit “Grupi i Drenicës”.

Ndër të akuzuarit janë edhe ish-komandanti i UÇK-së, Sylejman Selimi, kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku, e të tjerë.

Në fund të vitit, EULEX-i mori në një intervistë si të dyshuar për krime lufte edhe kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Nga aspekti politik, ndërrimi i moteve po karakterizohet me debatet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vitin 2014. Koalicioni qeverisës gjatë këtij viti ishte i dobët dhe mezi mbijetoi. Sfida e mbijetesës, këtë koalicion pritet ta përcjellë edhe në vitin 2014.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG