Ndërlidhjet

Analistët: Ngritje dhe rënie e subjekteve politike


Procesi zgjedhor i 3 nëntorit, sipas analistëve politikë, nuk ka nxjerrë ndonjë parti politike si humbëse.

Ndërkaq si karakteristikë të rezultateve, ata identifikojnë rritjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës në nivel vendi.

Kjo ngritje, sipas tyre, ka ardhur si rezultat i reformave të brendshme që janë bërë brenda kësaj partie politike.

Përderisa, Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse nuk ka fituar në asnjë komunë, sipas analistëve, ka shënuar rezultate në aspektin e shtrirjes në gjithë territorin e Kosovës.

Analisti, Adnan Merovci në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se zgjedhjet komunale të tre nëntorit karakterizohen edhe me vlera individuale, sepse në shumë komuna është çmuar vet individi dhe ka dal mbi partinë.

“Mendoj se tri subjektet e mëdha LDK, PDK dhe AAK nuk mund të quhen humbës në zgjedhje, sepse nëse shikohet komunë për komunë për shembull AAK rrezikohet në dy komuna në Gjakovë dhe Pejë, duke shkuar në balotazh, por në plan kombëtarë ka rritje të votave dhe nuk mund të quhet humbje sepse zgjedhjet lokale janë barometër paralajmërues për zgjedhjet nacionale që po na presin”, thotë Merovci.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka marrë pjesë për herë të parë në zgjedhjet komunal nga analisti Adnan Merovci është vlerësuar të ketë shënuar rezultate të mira.

Ndërkaq ajo që do të duhej t’i shqyrtojë politikat brenda partisë sipas Merovcit është Aleanca Kosova e Re e cila ka shënuar rënie.

Duke vlerësuar procesin zgjedhor si të kënaqshëm, profesori Mazllum Baraliu, ish-kryeshef ekzekutiv i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve bën një vlerësim të ngritjes së subjekteve politike.

“Në tërësi LDK ka një ngritje cilësorë rritej numerike që ndoshta është rezultat i reformave të brendshme që ka bërë. PDK-ja në disa vende ka lëvizje në kuptimin e humbjes së numrave, por në disa vende ka rritje. Kurse AAK e ka kaluar atë që quhet rubikon, e ka kaluar Dukagjinin dhe është shtrirë në disa komuna të rrafshit të Kosovës. Kjo është fitore AAK-së, pasi që ka arritur të shtrihet në tërë territorin dhe mos të trajtohet si një parti rajonale”, pohon Bajraliu.

Befasinë më cilësore në zgjedhjet komunale të tre nëntorit Bajraliu e konsideron Lëvizjen Vetëvendosje, pasi që siç thekson ai, “Vetëvendosje”, jo vetëm në komunën e Prishtinës por edhe me komunat tjera ka një ngritje.

Përqindja e votuesve të dalë në zgjedhjet komunale, sipas analistëve politikë konsiderohet të jetë relativisht e mirë krahasuar me zgjedhjet komunale të vitit 2009.

Sipas analizave të Adnan Merovci përqindja e pjesëmarrjes së qytetarëve në votim mund të jetë ketë qenë deri në 70 për qind. Kjo përqindje e lartë, thotë ai tregon ngritjen e vetëdijes së qytetarëve.

“Kjo është një pjesëmarrje triumfale duke marrë parasysh zgjedhjet e kaluara. Ky është një tregues i se është ngritur vetëdija e qytetarëve, sepse rritja e numrit të votuesve në këtë situatë kur mirëqenia sociale është kaq e dobët e ulët tregon se qytetarët janë vetëdijesuar se me votën e tyre mund të ndikojnë edhe në përmirësimin e mirëqenies së tyre duke zgjedhur përfaqësuesit e tyre më të denjë”, thotë Merovci.

Ndërkaq, sa i përket aspektit disiplinor të elektoratit dhe subjekteve politike në procesit zgjedhor Mazllum Baraliu, ish-kryeshef ekzekutiv i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thotë se nuk ka ndonjë ecje kualitative në kuptimin pozitiv dhe ngritjes së sjelljes demokratike të subjekteve politike.

“Kemi një gjendje vicioze sa i përket procesit elektoral pra ka nevojë ende shumë për të bërë që ta vetë disiplinojmë vetveten dhe elektoratin dhe militant të subjekteve politike dhe që të arrijmë ende vlera dhe substanca demokratike në proceset tjera elektorale”, shton Bajraliu.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG