Ndërlidhjet

Aferat e korrupsionit në qeverinë turke


Kryeministri turk në një takim të partisë së tij, 25 dhjetor 2013
Kryeministri turk në një takim të partisë së tij, 25 dhjetor 2013
Qeveria e Turqisë pritet të pësojë ndryshime, pasi shefi i saj paralajmëron ndërrimin e 10 ministrave të kabinetit të tij.

Kryeministri i Turqisë Recep Tayyip Erdogan ka paralajmëruar riformatim të kabinetit, pasi tre ministra të tij dhanë dorëheqje, për shkak të skandalit në rritje të korrupsionit në këtë shtet.

Pas një takimi që zhvilloi me dyer të mbyllura me presidentin Abdullah Gul, shefi i qeverisë njoftoi se do të ndërrojë dhjetë ministra.

Të mërkurën, kabineti i Erdoganit mbeti pa tre ministra, atë të Ekonomisë, të Punëve të Brendshme dhe të Mjedisit, pasi dhanë dorëheqje nga postet e tyre për shkak se djemtë e tyre janë në mesin e 24 të të arrestuarve në një hetim masiv të ryshfetit.

Kryeministri turk po ashtu ka ndërruar ministrin e tij të ngarkuar për Evropë, pasi dyshohet se edhe ai ishte i përfshirë në këtë skandal.

Erdogan megjithatë ka thënë se akuzat janë të pabaza, dhe se nuk do të tolerojë korrupsionin në radhët e kabinetit të tij.

"Arsyeja përse partia jonë ka qenë e suksesshme, arsyeja përse ne morëm udhëheqjen dhe kemi pushtetin tash e 11 vjet, është sinqeriteti ynë, përkushtimi ynë për shtetin, dhe vendosmëria jonë për të luftuar korrupsionin. Partia AK (për Drejtësi dhe Zhvillim) nuk e mbikëqyr, e as nuk e toleron korrupsionin. Nëse do ta bënte një gjë të tillë, do ta nënvlerësonte qëllimin e saj të ekzistencës”, tha Erdogan.

Ai hodhi poshtë akuzat që e rëndojnë kabinetin e tij, ndërsa tha se janë pjesë e një “konspiracioni” të orkestruar nga “fuqitë ndërkombëtare”.

"Ne po përballemi me një sulm kundër popullit turk dhe Republikës turke, i cili po paraqitet si një hetim për korrupsion. Secili është i vetëdijshëm se ky nuk është hetim për korrupsion, por se ky është qartë një konspiracion, dhe atë i nxitur kundër politikës dhe popullit turk”, shtoi Erdogan.

Ndërkohë në Turqi kanë rifilluar demonstratat anti-qeveritare që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit.

Mediat raportojnë se protesta ka pasur në Ankara, Stamboll dhe Izmir.

Imazhi i Erdoganit thuhet se është dëmtuar keq, prej protestave të qershorit në Stamboll, kur edhe pati urdhëruar policinë që të ndërhyjë dhunshëm për të zhbërë kampin e protestuesve.

Recep Tayyip Erdogan është në pushtet tash e 11 vjet, ndërsa gjatë sundimit të tij Turqia ka përjetuar një zhvillim të hovshëmekonomik, me gjithë akuzat për autoritarizëm dhe përpjekjet për të nënvlerësuar shtetin sekular turk. (f.aliu)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG