Ndërlidhjet

Pensionistët kërkojnë miratimin e Ligjit dhe rritjen e pensioneve


Prishtinë (Foto nga arkivi)
Prishtinë (Foto nga arkivi)
Në Kosovë, 7 për qind e popullsisë së përgjithshme i takon personave të moshës mbi 65-vjeçare.

Hulumtimet e bëra nga institucionet lidhur me gjendjen socio-ekonomike të pensionistëve, tregojnë se kjo kategori e shoqërisë përballet me shkallë të lartë e varfërisë.

Pensionistët kosovarë vazhdojnë të kërkojnë nga autoritetet përgjegjëse që t’i rrisin pensionet për të gjitha kategoritë, duke përfshirë edhe pensionet e pleqërisë. Pensionet e tyre janë rreth 112 euro, derisa pensionet e pleqërisë rreth 60 euro.

Kryetari Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi, ka bërë të ditur se me gjithë aktivitetet e shumta të kësaj shoqate për përmirësimin e gjendjes së pensionistëve, deri më tani nuk ka rezultuar suksesshëm.

Çështja e pensioneve në Kosovë është ende e pazgjidhur, veçmas e pensionistëve kontributpagues. Ata janë diku rreth 60 mijë pensionistë, të cilëve iu është ndërprerë pensioni që nga viti 1998, dhe tash ata e marrin një lloj ndihme, 112 euro, derisa pensionistët s’e kanë pranuar kurrë si pension”.

“Pensionistët kanë mbetur në një pozitë shumë të vështirë materiale, shoqërore e psikologjike. Ata nuk kanë të holla as për barnat për sëmundjet e tyre kronike. ‘Lufta’ e lidhjes së pensionistëve është duke zhvilluar në tri fronte”.

“Ai i pari - që të miratohet Ligji i pensionistëve dhe të zgjidhet një herë e përgjithmonë çështja e këtyre kategorive të pensionistëve. Fronti i dytë është që të kthehen pensionet nga Serbia. Ne u jemi drejtuar të gjitha strukturave evropiane. Të gjithë janë përgjigjur se kjo çështje duhet zgjidhet me dialog përmes dy palëve në Bruksel. Gjithashtu edhe në Gjykatën ndërkombëtare në Strasburg, por asnjë rezultat deri më tani”,
thotë Kajtazi.

Ai shton se në emër të pensionistëve të Kosovës, nuk do të ndalet së kërkuari që Ligji për pensionistët të miratohet:

“Ne nuk do t’i ndërpresim aktivitetet tona. Tash i jemi drejtuar Kuvendit tonë që deri në fund të këtij muaji të amendamentohet Ligji për pensionistët një herë e përgjithmonë”.

Për gjendjen e tyre socio-ekonomike, flasin për Radion Evropa e Lirë edhe vetë pensionistët.

Ahmet Ferizi, 75-vjeçar, thotë se pensioni që ai merr, është i pamjaftueshëm edhe për gjërat më elementare për një jetë normale:

"Ne kemi mbetur shumë keq. Nuk na mjafton pensioni as për një javë. Pensioni nuk më mjafton as për barnat që i blej, e lëre më për gjërat tjera, e obligimet komunale. Ne jemi në gjendje shumë të keqe".

Për gjendjen e rëndë të pensionistëve flet edhe pensionisti Muhamet Hajdari, 70 vjeçar, duke thënë se 60 euro sa ai i merr në muaj si pension, është turp për një shtet. Ai thotë se udhëheqësit aspak nuk kanë punuar në drejtim të rritjes së pensioneve, në mënyrë që pleqtë të bëjnë një jetë më të mirë.

"Ne jemi në gjendje shumë të keqe ekonomike. Me 60 euro ta kalosh muajin, është bërë e pamundur. Unë mendoj se udhëheqësit nuk mendojnë për pensionistë, por as për popullin në përgjithësi. Ata më shumë mendojnë për xhepat e tyre”, shprehet Muhameti 70 vjeç.

Së fundmi janë bërë ulumtime edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, lidhur me gjendjen socio-ekonomike të pensionistëve, duke rezultuar se kjo kategori e shoqërisë përballet me shkallë të lartë të varfërisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG