Ndërlidhjet

Investimi racional i kredive


Ilustrim
Ilustrim
Paga mbi mesataren në Kosovë është rreth 500 euro në muaj. Me këtë pagë, mund të jetosh një jetë relativisht të mirë në Kosovë, por gjithsesi se duhet ditur të menaxhohet në mënyrë të duhur.

Për të ditur administrimin e këtyre parave, gjithsesi se vlejnë këshillat, të cilat janë dhënë nga ekspertët e mikro dhe makro-ekonomisë, të angazhuar në rubrikën “Vetëmenaxhim” në edicionet e kaluara.

Konsiderohet se këto familje, të cilat kanë të hyra më të larta, për të rritur standardin jetësor apo për të bërë një jetë më të mirë, kanë mundësi të marrin edhe kredi nga bankat komerciale në Kosovë.

Në rubrikën “Vetëmenaxhim” të këtij edicioni, do të ju sjellim këshilla për mënyrën racionale të investimit të kredive.



Menaxhimi i kredive

Dëgjuesit e Radios Evropa e Lirë kanë qenë të interesuar të dinë më shumë rreth marrjes së kredisë dhe shpenzimit të saj në mënyrë racionale.

Në këtë edicion, eksperti i çështjeve të ekonomisë, profesor Naim Gashi këshillon ata se pavarësisht asaj se normat e interesit në Kosovë janë të larta, zhvillimi i familjes, biznesit apo një institucioni publik, nuk do të mund të zhvillohet pa marrë kredi.

NAIM GASHI
Kredia është njëra nga metodat, me të cilat zhvillohen edhe familjet, edhe bizneset, edhe shteti. Unë nuk do të kisha mundur të paramendoj se si zhvillohet një biznes, një shtet, një familje nëse nuk ka kredi.


Por, unë nuk kisha mundur të mendoj se si zhvillohet një familje një biznes ose një shtet, i cili i shpenzon kreditë në mënyrë irracionale.

Çka nënkuptojmë me këtë?

Ne kemi raste kur familjet në Kosovë marrin kredi për vetura, kurse banojnë me qira, do të thotë që ky është shpenzim irracional. Të gjithë në kemi dëshirë që të drejtojmë vetura luksoze, por ajo piramida mbrapshtë çdo herë na thotë që shpenzimit e qirasë janë shpenzime bazike familjare dhe për të hequr ato kosto të shpenzimit bazik familjar, është më mirë të kemi kredi për të siguruar strehën sesa për ta siguruar një makinë luksoze.

Nëse kreditë merren në mënyrë racionale...

Unë shoh shumë çifte të reja në Kosovë që janë zhvilluar nëpërmes kredive. Nëse bëjmë një plan se për çka do t’i shpenzojmë ato para që i marrim hua dhe bëjmë një plan se si do t’i shlyejmë ato obligime, atëherë do të thotë se për neve nuk ndodh asgjë e papritur.

Mirëpo, fatkeqësisht te ne, në Kosovë, në disa raste kreditë merren pa një plan të mirëfilltë. Edhe familja është një ndërmarrësi dhe gjithçka, e cila është e paplanifikuar, qoftë te individi, qoftë te familja, qoftë të biznesi apo organizatat publike, atëherë vijnë situata të paparashikueshme, të cilat fatkeqësisht mund të shkaktojnë falimentim dhe vështirësi te familjet tona.

Nëse kreditë merren për shpenzim racional për nevoja elementare që ka familja, atëherë edhe pse kamatat janë të larta, ato ndikojnë për zhvillimin e familjeve në Kosovë.

Ekzistojnë me mijëra familje në Kosovë, të cilat pa kredi kurrë nuk do të mund ta siguronin strehën e kokës, ato në fakt e kanë siguruar strehimin nëpërmjet kredive kanë siguruar një jetë më të mirë, renovim, investime patundshmëri të luajtshme e të paluajtshme.

Edhe pse kreditë në Kosovë sillen rreth 11 për qind dhe janë të larta, prapë se prapë shpenzimi racional i bazuar në një plan, ndikon në zhvillimin e familjes.

Kredia është një kursim i detyrueshëm, nuk është njësoj sikur ne t’i marrim sot kredi 10 mijë euro apo 20 mijë euro për 15 vjet dhe ta zgjidhim një problem familjar dhe t’i marrim e t’i investojmë sot, se sikur të presim 15 vjet t’i kursejmë ato para, e pastaj t’i investojmë.

Nëse ne sigurojmë një mjet transporti, i cili e ulë koston e familjes për arsye se të gjitha familjarët shërbehen me të, atëherë investimi është i qëlluar; nëse ne e sigurojmë një strehë dhe nuk paguajmë qira, atëherë është investim i qëlluar, pasi që qiraja, të cilën ne nuk e paguajmë, e arsyeton pagesën e kredisë.

Në Kosovë nuk ishte diskutuar gati asnjëherë nga institucionet e Kosovës për menaxhimin e parasë. Qytetarët kishin shumë pak njohuri rreth administrimit të parave të tyre.

Radio Evropa e Lirë përmes rubrikës “Vetëmenaxhim”, që kishte për fokus këtë problematikë, përgjatë pesë muajve në 10 edicione solli këshilla, vlerësime të shumta nga ekspertë të ekonomisë, përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare mbi menaxhimin e parasë.

Në përmbyllje të Rubrikës “Vetëmenaxhim”, po ju sjellim një përmbledhje të shkurtër nga ajo se çfarë kanë këshilluar ekspertët për menaxhimin më të mirë të parasë.



Njëra nga këshillat e profesorit të Universitetit të Prishtinës për menaxhimin e financave, Berim Ramosaj.


Njerëzit iu nënshtrohen dy opsioneve, kur është fjala për menaxhimin e parasë, ose e menaxhojnë në mënyrë emocionale ose në mënyrë racionale të vetëdijshme.

Ata të cilët iu nënshtrohen më shumë emocioneve, ata u nënshtrohen rreziqeve të marrin vendime me rrisk të lartë, andaj në shumicën e rasteve edhe mund t’i humbin ato.

Kurse, ata të cilët mundohen që ta menaxhojnë në mënyrë racionale, sigurisht që vendimet për shpenzimin e atyre parave, qoftë për investime, qoftë për financim të jetës së tyre, qoftë në procesin e shpërndarjes, ata vendimet i marrin shumë racionale, që nënkupton që për një vendim duhet të peshohet mirë edhe shkalla e riskut, edhe shkalla e fitimit të mundshëm potencial, e atëherë i hyhet procesit, qoftë të financimit, qoftë të investimit, qoftë diçka tjetër.



Eksperti i çështjeve të mikro dhe makro-ekonomisë, profesor Naim Gashi kishte theksuar ndërtimin e buxhetit në formë piramide.


Ndërtimi i buxhetit familjar duhet të ndërtohet në formë të piramidës dhe piramida bazë është ushqimi njëmujor për familjen. Shpenzimi duhet të shikohet në baza mujore, pasi që vetëm atëherë e kuptojmë vëllimin e shpenzimit.

Menaxhimi i parasë bëhet edhe përmes kursimit, ku mund të krijohen mundësi më të mëdha për shpenzime për nevoja që i duhen një familjeje.

Në rubrikën kur është diskutuar për remitencat, po sjellim një citat të Sokol Havollit, ekonomist i lartë në Departamentin për Raportim Financiar dhe Analiza Ekonomike në BQK.


Politikat e institucioneve relevante ndoshta më tepër duhet të orientohen në drejtim të tërheqjes së investimeve nga diaspora dhe jo të kërkojnë që diaspora të dërgojë remitenca për familjet e tyre, por në vend të asaj, të fillohet të mendohet për krijimin e bizneseve të vogla, të cilat do të gjeneronin vende pune për familjarët.

Në këtë kontekst, ky investim po supozojmë se do të jetë profitabil, e largon edhe barrën që emigranti të vazhdojë të dërgojë remitenca, por në vend të asaj, pra tani familjarët kanë një punë dhe një pagë, e cila gjithsesi e rrit produktivitetin në ekonomi dhe e pasuron kapitalin njerëzor në ekonominë e Kosovës.

Për rubrikën “Vetëmenaxhim” ka dhënë këshilla edhe menaxheri për Kosovën nga Banka Botërore, Jan Peter Olters. Në njërën nga citatet e tij për këtë çështje, ai shprehet:


Është e qartë se sa më e zhvilluar të jetë një ekonomi, aq më të zhvilluara do të jenë instrumentet për menaxhimin e parasë që dikush posedon - sikurse depozitat e mbledhura, ashtu dhe kreditë. Pra, duhet të menaxhohet pozitivja dhe negativja. Për t’i menaxhuar këto, nevojiten informatat.

Një nga elementet kyçe është ta kuptosh se çfarë bën; ta kuptosh rrezikun e asaj që bën; ta kuptosh çmimin e asaj që bën; që të mund të krahasosh produkte të ndryshme për të marrë një vendim, mbi të cilin je informuar.


Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza, kishte theksuar se kosovarët bëjnë investime të gabuara:


Duhet të vendosen prioritete edhe brenda buxhetit personal dhe buxhetit familjar, cilat janë prioritetet më të rëndësishme, e cilat janë prioritetet që kanë arsyeshmëri më të madhe, edhe të bëhet një rangim i prioriteteve. Unë jam ithtar i asaj që secili qytetar i Kosovës të investojë në vetë veten, në ngritjen e nivelit të vet profesional, kudo që punon, në cilindo profesion që të punon, të fitojë sa më shumë.

E para është që duhet të fitosh, e tani pastaj ato fitime të mendosh si t’i shpenzosh dhe të vendosësh një listë të prioriteteve dhe të bazohesh në arsyeshmërinë e atyre.
XS
SM
MD
LG