Ndërlidhjet

Menaxhimi i pagës minimale




Duke menaxhuar mirë paranë, mund ta rritësh standardin jetësor. Ndonëse paga prej 170 eurosh konsiderohet pagë minimale dhe mbulon me shumë vështirësi nevojat elementare të një familjeje, me një menaxhim të duhur mund të arrish që të bësh edhe një pushim veror.

Në rubrikën "Vetëmenaxhim" të këtij edicioni, ekspertë të mikro dhe makroekonomisë do të japin këshilla për mënyrën e menaxhimit të pagës minimale në Kosovë, derisa familjarë, menaxhues të mirë të parasë, do të flasin për mënyrën racionale të shpenzimeve të tyre.

Si ta ndërtoni buxhetin familjar?


Qytetarët në Kosovë ankohen se pagat e ulëta iu pamundësojnë atyre që të blejnë gjërat esenciale për jetë. Njëqindeshtatëdhjetë euro konsiderojnë ata se nuk i përgjigjet realitetit, në të cilin jetojnë.

Por, derisa paga nuk mund të ndryshohet, duhet të mendohet që ajo të menaxhohet në mënyrë racionale.

Si mund të arrihet një menaxhim racional? Eksperti i çështjeve të mikro dhe makroekonomisë Naim Gashi, i ftuar i këtij edicioni, do të japë këshilla dhe mënyra konkrete të menaxhimit të duhur.

NAIM GASHI
Menaxhimi i parave fillohet nga përmbushja e nevojave elementare jetësore. Menaxhimi i parasë bëhet edhe përmes kursimit, ku mund të krijohen mundësi më të mëdha për shpenzime për nevoja që i nevojiten një familjeje.

Unë kisha filluar se minimumi i një page siç është me ligjet në Kosovë 170 euro, është një shumë e vogël, e cila më shumë vështirësi e përballon koston e jetës, sidomos të familjeve që jetojnë në qytete dhe me disa lehtësira për ato familje që jetojnë në fshatra, për arsye se një pjesë e kostove të shpenzimeve komunale nuk ekzistojnë në fshat për dallim nga ato që ekzistojnë në qytet.

Në fshat dihet se familjet merren pak me bujqësi dhe blegtori, dhe me këtë mbulojnë një pjesë të kostos të jetës. Sa i përket menaxhimit të parave, duhet të fillohet me gjërat elementare, siç është ushqimi dhe strehimi. Nëse një familje dëshiron të kursejë në ushqim, është mirë të gatuajë, ta blejë miellin në formë të produktit të gatshëm dhe aty qysh në fillim bëhet një kursim.

E dyta, nevojë elementare është energjia elektrike që në Kosovë është burim i vetëm dhe shumë e shtrenjtë, por ekzistojnë alternativa për kursimin e parave nëpërmjet kursimit të energjisë, duke mos e dëmtuar shëndetin e familjes dhe kualitetin e ushqimit që ata përdorin.

Sugjerimi do të ishte të shkohet me forma alternative edhe të gatimit edhe të ngrohjes. Sa i përket gatimit, alternativa më e mirë dhe me kosto më të ulët është nëpërmes gazit. Gazi përdoret për gatim, qoftë ai që ka potenciale më të mëdha financiare, duke e blerë një stufë me gaz ose ka modele tjera me kosto më të ulët që kushtojnë 13 euro, kurse një bombolë për mbushjen e gazit kushton rreth 3 euro, çka e ulë shpenzimin për energji elektrike për 20 deri në 30 për qind.

Një kosto shumë të lartë te familjet në Kosovë e ka ngrohja gjatë muajit të dimrit. Ngrohja përmes energjisë elektrike ka një kosto që nuk mund ta përballojnë as vendet e Bashkimit Evropian, prandaj duhet të shqyrtohen alternativa tjera.

Kostoja më e lirë për ngrohje në Kosovë është nëpërmes thëngjillit, prandaj unë sugjeroj që familjet që kanë vështirësi financiare të kalojnë nga alternativa e ngrohjes me dru apo energji elektrike, në thëngjill. Pasi që të krijohet baza për ushqim, strehim dhe ngrohje, shkohet në shpenzime tjera, të cilat gjithsesi duhet të jenë racionale.

Do të thotë ndërtimi i buxhetit familjar duhet të ndërtohet në formë të piramidës dhe piramida bazë është ushqimi njëmujor për familjen. Aty, përmes kursimit të gatimit, jo blerjes së produkteve të gatshme, mund të rritet kualiteti i ushqimit të familjes dhe të ulet kostoja e shpenzimeve të shportës mujore të një familjeje.

Një kosto shumë të lartë e bartin edhe medikamentet. Fatkeqësisht, kostoja më e lartë për medikamentet është te familjet më të moshuara dhe më të ulëta, te familjet e reja. Njerëzit e shtyrë në moshë kanë nevojë për medikamente.

Sa i përket medikamenteve, edhe këtu mund të kursehet, pasi që ekzistojnë mënyra fizike dhe psikike që e ulin koston për medikamente. Për shembull, nëse një i moshuar përdor medikamente për hipertension, ai mund të përdorë më pak medikamente nëse ka kujdes në ushqim dhe nëse zhvillon aktivitet fizik.

Pra, edhe këtu është një kosto për shkak se ne gjithmonë themi se 50 cent apo 1 euro nuk janë shumë, mirëpo kalkulimi i shpenzimeve nuk duhet të bëhet brenda ditës, menaxhimi i parave duhet të bëhet brenda muajit apo brenda vitit. Për shembull, nëse i shpenzojmë, ta zëmë, për blerjen e një produkti jetësor, i cili kushton 30 cent, nuk duhet të themi se nuk janë asgjë, por ne duhet të themi se 30 cent në muaj bëjnë 21 euro, ndërsa nëse e shumëzojmë në vit e gjejmë koston sa kushton ky produkt brenda një viti.

RADIO EVROPA E LIRË
Si duhet të ndërtohet buxheti familjar?

NAIM GASHI
Shpenzimi duhet të shikohet na baza mujore pasi që vetëm atëherë e kuptojmë vëllimin e shpenzimit.

Të zëmë një familje që ka një duhanxhi dhe pakoja më e ulët për një pako cigare është 1 euro, ajo mund të duket e ulët, por brenda një muaji një pako cigare në ditë kushton 30 euro, 10 muaj kushton 300 euro, kurse 12 muaj 360 euro.

Pra, një familje e varfër me një duhanxhi, minimumi i shpenzimit është 360 euro. Pra, me 360 euro në vit ne mund të sigurojmë koston e thëngjillit për ngrohje dhe gatim gjatë tërë vitit, pra me një lëvizje të vogël brenda familjes kursehen para në aspektin afatgjatë.

Nëse vazhdojmë te veshmbathja, në Kosovë është e shtrenjtë, por ekzistojnë alternativa për uljen e kostos. Veshmbathja është e domosdoshme, por ekzistojnë një varg dyqanesh në Kosovë që kanë mallra të përdorura, por që mund të blihen më çmime jashtëzakonisht të volitshme.

Nëse shkojmë më tutje, secila shtëpi ka nevojë për amvisëri edhe për këtë ekzistojnë dyqane që kanë produkte të përdoruara dhe që krijojnë lehtësi për furnizim te familjet me të ardhura të vogla.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë mundësitë për pushime verore?

NAIM GASHI
Me një pagë minimale është e vështirë, por jo e pamundshme, për arsye se nëse pagës minimale ia shtojmë të gjitha këto që i kursyem dhe nëse ndonjë anëtar i familjes mund të ketë ndonjë punë sezonale, e cila paguhet, mund të sigurohet një buxhet minimal për të shkuar një javë në bregdet me kusht që shumicën e ushqimeve t’i marrin me vete dhe të paguajnë vetëm strehimin dhe udhëtimin.

Për shembull, nata në bregdetin shqiptar kushton 10 euro, shtatë ditë - 70 euro, kostoja e udhëtimit është 10 euro për person. Gjithsej strehimi dhe udhëtimi një familjeje mesatare 4 anëtarëshe kushton 130 euro. Me disa produkte elementare që mund t'i blejnë me 70 euro, pushimin mund ta kalojnë me 200 euro.

Pra, me një kursim rigoroz mund të mendohet për një pushim simbolik, edhe pse ne jemi dëshmitarë që këto familje as që mendojnë për pushimet e tyre, por unë kisha propozuar që ata të mendojnë edhe për pushime.

Mënyra se si të menaxhohet paraja


Shtyllë themelore e organizimit, qoftë familjar apo në rrethin më të gjerë, mbetet menaxhimi i parasë në shtëpi.

Në Kosovë, barrën e menaxhimit të parave në të shumtën e rasteve e kanë gratë.

Por, si ia dalin ato që të bëjnë një menaxhim të duhur, pavarësisht të ardhurave të pakta mujore që kanë?

Valbona Kelmendi ka një pagë të ulët mujore, por ajo ia del shumë mirë ta menaxhojë atë. Si e arrin këtë Kelmendi? Çfarë bën ajo më këto para si ia del ta mbulojë muajin?

VALBONA KELMENDI
Në kohën, në të cilën jetojmë, është e vështirë të bëhet menaxhimi i të ardhurave. Në familjen tonë fillimisht bëhet pagesa e shërbimeve publike, si energjia elektrike, fatura e ujit, e mbeturinave dhe tatimi mbi pronë që bëhet një herë në vit.

Këto gjëra janë primare, pastaj vjen ushqimi.

Këtu iu iki gjërave të kushtueshme. Hulumtoj tregun. Nuk duhet blerë një artikull që është i shtrenjtë, pasi që shumë herë ndodh të mos jetë cilësor, mund ta gjesh të njëjtin artikull më lirë dhe më të arsyeshëm.

Me buxhetin që ne kemi, çmimet janë të larta, por njeriu duhet të dijë të ia dalë mbarë me këto para që i marrim. Çdo njeri që punon duhet të menaxhojë mirë paratë e veta. Çdo fund muaji duhet të ketë në kursime së paku 10 euro, ato para grumbullohen dhe në fund të vitit ato kanë një vlerë të konsiderueshme, me të cilat mund të mbulosh shpenzime që kanë vlerë më të lartë.

Zakonisht mendoj të shkoj në pushime, dhe atë duke kursyer gjatë tërë vitit në një arkë të kursimeve që gjendet në shtëpi apo në bankë në llogari të kursimeve.

Edicioni i pestë i rubrikës sonë do të vazhdojë të transmetohet në shtator, ku do të mund të ndiqni për inflacionin në Kosovë dhe menaxhimi i parave përballë këtij fenomeni. Si arrihet te menaxhimi i parave karshi çmimeve të larta?

Flasin ekspertët dhe përfaqësues të autoriteteve në Kosovë.

Pyetjet tuaja mund t’i dërgoni në forumin e kësaj rubrike.
XS
SM
MD
LG